Papa së bashku me Kardinalin Fridolin Ambongo Besungu (@VATICAN MEDIA) Papa së bashku me Kardinalin Fridolin Ambongo Besungu (@VATICAN MEDIA)

Kard. Ambongo: paqja në Afrikë varet nga ne, afrikanët

Duke rishikuar ngjarjet që lanë gjurmë në jetën e Kishës universale në vitin 2025 dhe situatën e sotme shoqërore e politike të kontinentit, Kardinali kryetar i Simpoziumit të Konferencave ipeshkvnore të Afrikës dhe Madagaskarit (SCEAM) beson se paqja e vërtetë nuk do të vijë përveçse nëpërmjet kthesës së bijve të saj dhe përpjekjeve të tyre për të vërtetën, drejtësinë e barazinë.

R.SH. / Vatikan

Viti 2025 do të mbetet i skalitur në kujtesën e shumë të krishterëve në gjithë botën për shumë ngjarje që ndikuan mbi jetën e Kishës universale: Jubileu i Shpresës, i cili do të mbyllet solemnisht më 6 janar 2026, Festa e Epifanisë së Zotit, por edhe vdekja e Papës Françesku dhe zgjedhja e Papës Leoni XIV. Në agim të Vitit të Ri, gjatë një interviste me Vatican News, Kardinali Fridolin Ambongo, kryetar i Simpoziumit të Konferencave Ipeshkvnore të Afrikës dhe Madagaskarit (SCEAM), reflektoi mbi Jubileun e vitit 2025 që, sipas tij, ishte "një Kairós për të gjithë Kishën universale". Ngjarjet aktuale shoqërore dhe politike në Afrikë vazhdojnë të përshkohen nga konflikte të shumta, grushte shteti dhe fenomene dramatike të rrëmbimeve dhe vrasjeve të të krishterëve, veçanërisht në Nigeri.

Shkëlqesi, cilat janë urimet tuaja më të mira për Afrikën dhe botën në agim të vitit të ri?

Krishti, Princi i Paqes, me ardhjen e tij në botë Ditën e Krishtlindjes, na dhuroftë paqen e Tij dhe sigurinë e një bote më të mirë të mundshme. Prandaj, ju shpreh urimet e mia më të mira për një të ardhme të harmonishme dhe paqësore për të gjithë bijtë e Zotit që banojnë në këtë tokë.

Cila është, sipas Jush, analiza e mesazhit të Krishtlindjes nga Papa Leoni XIV, drejtuar mbarë botës nga lozha qendrore e Bazilikës së Shën Pjetrit, më 25 dhjetor 2025?

E bëj timen thirrjen e Papës, i cili u përqendrua në temën e paqes, për t'i dhënë fund konfliktit dhe dhunës në mbarë botën. E dimë të gjithë: viti 2025 u prek thellësisht nga dhuna në të gjithë globin, në nivele të ndryshme. Është ngushëlluese që Ati i Shenjtë po bën përsëri thirrje për paqe, veçanërisht pasi shumë nga vendet tona në Afrikë kanë përjetuar konflikte të gjata.

Papa pohoi: "nëse të gjithë, në vend që të akuzojnë të tjerët, së pari do të pranonin gabimet dhe do t'i kërkonin Zotit falje, e njëkohësisht do të viheshim në vendin e atyre që vuajnë, duke treguar solidaritet me të ligshtit e të shtypurit, atëherë bota do të ndryshonte".

Ati i Shenjtë u drejtohet të gjitha ndërgjegjeve: ndërgjegjes njerëzore, por edhe ndërgjegjes së krishterë. Secili prej nesh, në nivelin e vet, duhet të bëhet i vetëdijshëm për përgjegjësinë e tij në kërkim të paqes botërore. Të përfytyrojmë për një çast çfarë do të ndodhte nëse secili prej nesh do të ishte i aftë të pyeste veten para Zotit dhe ndërgjegjes së vet: besoj se do t'i shmangnim të gjitha këto konflikte në botë. Fatkeqësisht, bota jonë sundohet nga egoizmi, nga "njeriu që mendon vetëm për vete" dhe nga pandjeshmëria ndaj vuajtjeve të të tjerëve. Jemi përballë njerëzve të fuqishëm, që mund t’i shtypin më të ligshtit.

"Paqja qoftë me ju të gjithë. Drejt një paqeje të çarmatosur dhe çarmatosëse" është tema e mesazhit të Leoni XIV për Ditën e 49-të Botërore të Paqes. Çka e frymëzon këtë temë?

Besoj se ka logjikë, ka koherencë në qëndrimin e Papës. Ai këmbëngul për karakteristikën e paqes "të çarmatosur dhe çarmatosëse". Kjo do të thotë se paqja e vërtetë nuk ndërtohet as konsolidohet me armë. Paqja e vërtetë është proces i arritur përmes dialogut, përmes bashkëjetesës së harmonishme. E kjo paqe duhet të jetë "çarmatosëse", sepse logjika aktuale e botës sonë nuk është ajo e kërkimit të paqes. Fatkeqësisht, këto figura të fuqishme, pa marrë parasysh pasojat, vazhdojnë të pohojnë se "kushdo që dëshiron paqe duhet të përgatitet për luftë". Por për Papën, është pikërisht e kundërta: kushdo që dëshiron paqe, përgatitet për paqen, angazhohet për ta kërkuar dhe për ta ndërtuar paqen. Është vërtet e mjerueshme që kjo logjikë e kërkimit të paqes përmes luftës mbizotëron në botën e sotme.

Cila ishte, sipas Jush, rëndësia e këtij Viti Shenjt për vetë Kishën dhe për popullin e Zotit?

Ishte sigurisht Jubileu i parë i aftë t’i nxiste të gjitha grupet shoqërore dhe kishtare të reflektonin dhe të meditonin mbi temën e Shpresës. Në Romë, miliona shtegtarë nga e gjithë bota kaluan nëpër Portat e Shenjta të Qytetit të Amshuar. Për mua, Jubileu 2025 ishte ngjarje e paparë, me rëndësi të madhe. Ne e jetuam dhe e kremtuam këtë vit të veçantë në mënyrë të vazhdueshme, në nivel kontinental, dioqezan dhe famullitar, duke përshtatur programin e zhvilluar nga Roma. Prandaj, në fund të këtij Viti Jubilar të Shpresës, dëshiroj ta falënderoj Zotin për këtë dhuratë të madhe shpirtërore, për Jubileun. Për mua, është edhe një mundësi për ta kremtuar kujtimin e Papës Françesku, i cili e përuroi solemnisht këtë Vit Shprese më 24 dhjetor 2024, me hapjen e Portës së Shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit në Romë. Për më tepër, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë për Papën Leoni XIV, i cili, pas zgjedhjes së tij, mori përsipër shkopin e shtegtarit për të vazhduar e për të përfunduar shtegtimin e nisur nga paraardhësi i tij.

Si President i Konferencës Ipeshkvnore të Afrikës dhe Madagaskarit (SCEAM) vetëm pak ditë para mbylljes solemne të Jubileut, më 6 janar 2026, cili është mesazhi juaj për të gjithë popullin e Zotit në Afrikë dhe për të gjithë kontinentin afrikan?

Duke u nisur nga realiteti shoqëroro-kishtar i Afrikës, vërejmë se pjesë të ndryshme të kontinentit tonë janë të mbërthyera nga konflikti, dhuna, uria dhe fatkeqësi të tjera natyrore, por edhe nga varfëria e skamja. Për më tepër, është pikërisht skamja dhe varfëria që i shtyjnë shumë nga të rinjtë tanë të braktisin kontinentin për të kërkuar atë që besojnë se është parajsë dikund tjetër. Është e tmerrshme që kjo dëshirë për t'u larguar përfundon kaq shpesh në tragjedi, në Mesdhe. Në fund të Vitit të Shpresës, dëshiroj t'u kujtoj të gjithë vëllezërve dhe motrave tona afrikane se për kontinentin tonë është e mundur një e ardhme më e mirë. Nuk duhet të dëshpërohemi; duhet të kemi besim në aftësinë tonë për të transformuar e për të përmirësuar të ardhmen tonë. Gjithçka varet nga vetë afrikanët: them se "topi është në fushën tonë". Ta ruajmë, prandaj, besimin se një ditë Afrika jonë do të çlirohet nga të gjitha këto konflikte. Uroj që të na ndihmojnë hiret marrë gjatë Vitit Jubilar, duke na dhënë forcën për të ecur përpara e për të shndërruar të ardhmen tonë, të ardhmen e kontinentit tonë. E, mbi të gjitha, të mbetemi shpresëplotë, siç dëshiron Papa Leoni XIV.

Shkëlqesia Juaj, ç’ kujtim keni për Papën Françesku?

Pata privilegjin jo vetëm të krijohem kardinal nga Papa Françesku, në vitin 2019, por një vit më vonë më emëroi anëtar të Këshillit të Nëntë Kardinajve, C9. Në këtë cilësi, pata mundësinë t'i afrohesha, ta njihja dhe mbi të gjitha, të punoja me të. Kujtimi im më i fortë për Të është ai i një Bariu të madh, një njeriu që dinte - e donte të vuante me popullin e tij. Një njeriu, që kishte guximin të fliste dhe të shprehte ndjenjat e popullit të vet, veçanërisht të varfërve. Të mos harrojmë se udhëtimi i parë i papnisë së tij ishte të vizitonte emigrantët në Lampedusa. Për më tepër, ruaj nga Papa i ndjerë gjithë pasionin që kishte për të varfrit, nevojtarët, të flakurit në udhët e botës. Ai ishte kampion i kauzës së të varfërve.

Çfarë do të thoshit për marrëdhënien ndërmjet Papës Françesku dhe Afrikës?

Papa Françesku bëri pesë udhëtime apostolike në Afrikë, duke vizituar dhjetë vende ndërmjet viteve 2015 dhe 2023. Për sa më përket mua, kujtimi më i madh që kontinenti afrikan mund të ruaj prej tij, është sigurisht mesazhi i fuqishëm nga Republika Demokratike e Kongos, drejtuar të fuqishmëve të botës, përballë gjithë varfërisë me të cilën përballet kontinenti sot: "Hiqini duart nga Republika Demokratike e Kongos, hiqini duart nga Afrika! Mos ia zini frymën Afrikës". Sot, Afrika në përgjithësi, e Republika Demokratike e Kongos në veçanti, janë miniera ari që fuqitë botërore mund t'i shfrytëzojnë, e pastaj t'i braktisin.

Një mesazh drejtuar edhe udhëheqësve afrikanë? Çfarë mendoni ju?

Është e qartë se kjo thirrje na drejtohet edhe ne të gjithëve, si afrikanë. Ne, mbi të gjitha, duhet ta duam dhe respektojmë Afrikën tonë. Duhet të dimë si ta sigurojmë, që të gjithë ta respektojnë. Për më tepër, duhet të dimë si ta mbrojmë nga të gjithë ata që vijnë ta plaçkisin, ta zbrazin e pastaj ta braktisin. Ky mesazh nga Papa Françesku mbetet aktual. Ne afrikanët nuk i kemi nxjerrë ende të gjitha pasojat, e duhet ta bëjmë këtë, sepse koha ka ardhur.

A mund të themi se Papa Françesku ishte mbrojtës i vërtetë i Afrikës?

Papa Françesku ka qenë një mbrojtës i çështjes së të vegjëlve, të dobëtve, të varfërve. Afrika është sot kontinenti që më shumë se të gjithë i bashkon këto kategori sociale, të njëjtat që Jezusi i ka konsideruar si të preferuarat e Mbretërisë. Si pasojë, mund të them se Papa Françesku ka qenë një mbrojtës i madh i çështjes së Afrikës, në masën që Afrika është një kontinent i të varfërve dhe të vegjëlve.

Çfarë kujtoni nga Konklavi që zgjodhi Leoni XIV?

Nën udhëheqjen e Shpirtit Shenjt dhe me hirin e Zotit, nga 133 kardinajt e këtij konklavi, zgjodhëm pasardhësin e Papës Françesku në personin e Papës Leoni XIV, për të cilin e falënderojmë Zotin. Menjëherë pas zgjedhjes dhe uljes në fronin e Pjetrit, me energji të madhe, ne vazhdojmë me të shtegtimin e Kishës, të udhëhequr nga Krishti. Papa i ri ka hyrë në këtë dinamikë shpirtërore. E kështu ngjall besim te besimtarët katolikë, burra dhe gra vullnetmirë në të gjithë botën, duke ngulur këmbë në nocionet e paqes dhe të shpresës, sepse kjo e fundit nuk të zhgënjen kurrë.

Në Vitin 2025 u mblodh Asambleja e 20-të Plenare e Konferencës Ipeshkvnore të Afrikës dhe Madagaskarit (SCEAM), nga 30 korriku deri më 4 gusht, në Kigali të Ruandës, me temë: "Krishti, gurrë e shpresës, e pajtimit dhe e paqes". Çfarë duhet të kujtojmë nga ky takim kontinental?

Asambleja Plenare e mbajtur në Kigali të Ruandës, ishte një Kairós për Kishën në Afrikë. Ajo u zhvillua në mes të Vitit Jubilar, e përqendruar në temën e Shpresës, në një kohë kur realiteti shoqëroro-baritor që po jetojmë në Afrikë është gjithnjë e më shqetësues. Në shumë rajone të kontinentit, mbizotërojnë vuajtjet, lufta, fatkeqësitë, uria, thatësira dhe përmbytjet, me pasojat e vuajtjeve të popullatave dhe rrezikun e shkurajimit. Barinjtë e të gjitha Kishave Afrikane, të mbledhura në Kigali, u bashkuan me temën e Vitit të Shenjtë, me shpresën, duke e përshtatur atë në kontekstin afrikan. Krishti është burimi ynë i shpresës në një kontekst ku nuk ka as paqe, as bashkëjetesë harmonie ndërmjet popujve. Për këtë arsye, ipeshkvijtë afrikanë e paraqitën Krishtin si burimin e shpresës, por gjithashtu - e mbi të gjitha - si gurrën e pajtimit, të paqes dhe  të jetesës së mirë, së bashku.

Si mund ta favorizojmë procesin e pajtimit në Afrikë?

Përtej disa vendeve ku procesi demokratik funksionon dhe mirëqenia e popullsisë është në përparësi, mendimi i përgjithshëm sot është se demokracia është në rënie në Afrikë. Gjithnjë e më shumë, në vendet tona afrikane, si në pjesën tjetër të botës, mbizotëron vetëm vullneti i të fuqishmëve. Pasuria është e vetmja gjë që ka rëndësi e njerëzit janë të gatshëm ta kërkojnë me çdo mjet. Pasi fitohet, përdoret për veten, për familjet e për fqinjët e tyre, ndërsa shumica e popullsisë lihet për t’u kujdesur për vete. Është çekuilibër, do të thoja paligjshmëri dhe padrejtësi, e edhe një nga shkaqet kryesore të shumë konflikteve të Afrikës sot.

Çfarë rrugëzgjidhjesh mund të propozohen?

Nuk ekziston ndonjë zgjidhje magjike për t’u përmendur. Megjithatë, dëshiroj të kujtoj disa shkaqe të zakonshme, që shpjegojnë tensionet në Afrikë. Afrika shpesh konsiderohet kontinenti më i pasur me burime minerale, me rezerva të mëdha kobalti, diamantesh, bakri, hekuri, platini dhe ari. Për këtë arsye, shikohet si rezervuar për të gjitha fuqitë botërore që i shfrytëzojnë pasuritë për përfitimin e tyre. Është parasysh çështja delikate e menaxhimit të burimeve natyrore të Afrikës: kontinenti më i pasur me minerale është gjithmonë ai që vuan më shumë. Afrika është burimi i mineraleve strategjike për industritë e tyre, të cilat u krijojnë mundësinë të sundojnë botën. Paradoksi është se këto fuqi ndonjëherë shfrytëzojnë afrikanë të caktuar për burimet në interesin e tyre, jo për përfitimin e popullsisë në tërësi. Për sa kohë që sistemi vazhdon të funksionojë në këtë mënyrë, do të kemi gjithmonë luftë. Kjo po ndodh në Republikën Demokratike lindore të Kongos. Përballë këtyre situatave, afrikanët duhet të zgjohen. Si bij dhe bija të këtij kontinenti, ne duhet ta njohim rolin tonë në mbrojtjen e pasurisë, të cilën na e dhuroi Zoti: burimet tona natyrore. Edhe udhëheqësit tanë duhet ta braktisin logjikën e pushtetit si  mjet për pasurim personal ose partiak, në kurrizin e të tjerëve. Ka ardhur koha që Afrika ta kuptojë se pushteti është shërbim ndaj popullit.

Jemi dëshmitarë gjithnjë e më shpesh të rrëmbimeve dhe nganjëherë vrasjeve të të krishterëve në Afrikë: Nigeria, Republika Demokratike e Kongos dhe Kameruni vuajnë...

Ekziston shqetësim i madh për rritjen e xhihadizmit islamik në kontinentin afrikan. Është e vërtetë që viktimat nuk janë vetëm të krishterët, por edhe myslimanët. Megjithatë, ka rritje të sulmeve kundër të krishterëve. Këtë, për fat të keq, e kemi jetuar në dioqezën e Bunias, në Republikën Demokratike të Kongos, ku xhihadistët  vranë të krishterë ndërsa ishin në lutje. Kjo ndodh rregullisht në Nigeri. Përballë kësaj dhune të panevojshme, besoj se është e nevojshme të alarmohet ndërgjegjja e të gjithë botës, në mënyrë që ky fenomen të luftohet në rrënjë. Nëse nuk bëhet asgjë, kam frikë se kjo pasiguri e madhe do t'i shtyjë të krishterët të tërhiqen deri në atë pikë, sa t'i shohin të tjerët, vëllezërit tanë myslimanë, si armiq.

02 janar 2026, 12:58