Venezuelë, i konfiskohet pasaporta kardinalit Porras
R.SH. / Vatikan
Konferenca Ipeshkvore e Kishës katolike të Venezuelës ka shprehur keqardhje të thellë dhe shqetësim ekstrem për ngjarjen që i ndodhi dje, më 10 dhjetor, kardinalit Baltazar Enrique Porras Cardozo, kryeipeshkëv nderi i Karakasit.
Solidariteti dhe kërkesa për hetime
Kardinalit, i cili po udhëtonte nga Aeroporti Ndërkombëtar i Maiquetía — qytet i Shtetit të Vargas në Venezuelë — drejt Madridit për të disa angazhime kishtare, i është konfiskuar pasaporta dhe është detyruar të kthehet në Karakas. Ipeshkvijtë venezuelianë, duke i ripohuar kardinalit solidaritetin e të gjithë Kishës lokale, u kanë kërkuar autoriteteve të hapin një hetim të thelluar për të zbardhur ngjarjen.
Letra e hapur e kardinalit
Në një letër të hapur drejtuar pikërisht të gjithë episkopatit venezueliane, me të cilën tregoi ngjarjen, kardinali Porras shprehu dhimbjen dhe keqardhjen e tij, por kujtoi edhe shpresën e Krishtlindjes: «Forca – shkroi ai – qëndron në cenueshmërinë e skenës së Lindjes së Jezusit, në brishtësinë e së vërtetës që ndërtohet në paqe, pa dhunë dhe pa abuzime. Shpresa lind nga puna e vazhdueshme për të mirën e të gjithëve, veçanërisht të të përjashtuarve».