Kërko

Pamja e jashtme e Bazilikës së Lindjes në Betlehem (©Kujdestaria e Tokës së Shenjtë) Pamja e jashtme e Bazilikës së Lindjes në Betlehem (©Kujdestaria e Tokës së Shenjtë)

Fra Francesco Patton: feja e historia në zemër të Betlehemit

Një udhëtim historiko-teologjik në gjurmët e Jezusit, duke filluar nga Bazilika e Lindjes, vend adhurimi, por edhe burim përçarjesh dhe grindjesh ndërmjet besimeve të ndryshme. Prej këndej, më 6 janar 1964, Papa Shën Pali VI bëri​​një thirrje urgjente për paqen botërore.

R.SH. - Vatikan

Fra Francesco Patton: feja e historia në zemër të Betlehemit

Ndërsa Krishtlindja afrohet, mendjet dhe zemrat e të krishterëve në të gjithë botën drejtohen nga Betlehemi, qytet vetëm pak kilometra larg Jerusalemit. Edhe pse barrierat aktuale fizike dhe gjeopolitike po e izolojnë gjithnjë e më shumë, e në vitet e fundit, numri i vizitorëve ka rënë në mënyrë drastike për shkak të luftës, Betlehemi mbetet një nga destinacionet më të rëndësishme për shtegtarët, sepse  pikërisht aty Luka dhe Mateu flasin për lindjen e Jezu Krishtit, në atë "Betlehem të Efrata-së" së vogël (Mikea 5,1), e për vendlindjen e paraardhësit të shquar të Jezusit, Mbretit David. Duke u përpjekur të sjell diçka nga pasuria historike, arkeologjike dhe shpirtërore e këtij qyteti dhe zemrës së tij, Bazilikës së Lindjes, me Shpellën ku Maria lindi Jezusin dhe Grazhdin e ku e vendosi pasi e mbështolli me pelena, i shpreh mirënjohjen veçanërisht tekstit të vëllezërve të mi Heinrich Fürst dhe Gregor Geiger, Terra Santa: Guida francescana per pellegrini e viaggiatore (Terra Santa Edizioni, Milano, 2018), sigurisht udhëzuesi më i përshtatshëm për Vendet e Shenjta.

"Betlehemi", emri i qytetit, është i pasur me shtresa historike dhe gjuhësore. Në hebraisht, Bet Lechem tradicionalisht përkthehet si "shtëpia e bukës", por mund të rrjedhë edhe nga një rrënjë më e vjetër, "shtëpia e Lachamu", hyjni e lashtë lokale. Në të vërtetë, interpretimi si "shtëpia e bukës" e paraflet Jezusin si Buka e Jetës (krahaso Gjoni 6,35, 41, 51). Emri arab i qytetit, Beit Lahm, do të thotë "shtëpia e mishit". Ky interpretim ka gjithashtu një rezonancë të thellë dhe domethënëse teologjike, duke pasur parasysh se në Betlehem, për të huazuar fjalët e Shën Françeskut, Biri i Zotit "nga kraharori i Virgjëreshës Mari mori korpin e vërtetë të njerëzimit dhe të brishtësisë sonë" (2Lfed 4: FF 181) "Letra e Dytë drejtuar Besimtarëve", një shkrim nga Shën Françesku i Asizit.

Identiteti dhe bashkësia e Betlehemit

Popullsia e Betlehemit ka pësuar transformime të thella gjatë shekujve. Deri në vitin 1947, qyteti ishte i banuar kryesisht nga të krishterë palestinezë. Sot, nga afërsisht 30,000 banorë. Të krishterët tani përfaqësojnë më pak se 40%, për shkak të shtimit më të madh të popullsisë Popullsia e Betlehemit ka pësuar transformime të thella gjatë shekujve. Deri në vitin 1947, qyteti banohej kryesisht nga të krishterë palestinezë. Sot, nga afërsisht 30,000 banorë, të krishterët  përfaqësojnë më pak se 40%, për shkak të rritjes më të madhe demografike të popullsisë myslimane, fluksit të emigrantëve, kryesisht të krishterë, dhe krijimit të tre kampeve të mëdha palestineze për refugjatë në Betlehem, banorët e të cilëve janë myslimanë. Megjithatë, karakteri i krishterë i Betlehemit është ende i dukshëm, siç mund të shihet në shikimin e parë nga kullat e kambanave në horizont.

Nga "Sheshi i Grazhdit", mund të shihni, ndër të tjera, Kishën Ortodokse Siriane kushtuar Nënës së Zotit, Kishën Protestante të Lindjes dhe Kishën e re Melkite (katolikë bizantinë). Në zemër të qytetit, rrethuar nga manastire ortodokse greke dhe armene dhe manastiri françeskan, ndodhet Bazilika e Lindjes. Karakteri i krishterë i qytetit njihet edhe në nivelin politik, deri në atë pikë sa me dekret të presidentit palestinez, kryetari i bashkisë së Betlehemit duhet të jetë i krishterë. Ashtu si në të gjithë Tokën e Shenjtë, bashkësia e krishterë vendase është ekumenike: katolikët romakë (rreth 5,000 vetë) dhe ortodoksët grekë përbëjnë pranitë më të mëdha, shoqëruar nga katolikët grekë, armenët, ortodoksët sirianë dhe katolikët sirianë, koptët dhe luteranët.

Ekonomia vendase është tradicionalisht e lidhur me turizmin fetar, aktivitet që në dekadat e fundit (dhe veçanërisht në vitet e fundit) u dëmtua nga paqëndrueshmëria politike, pandemia dhe luftërat. Shumica e të krishterëve punojnë në pritjen dhe udhëheqjen e shtegtarëve, si dhe në prodhimin dhe shitjen e suvenireve të bëra nga druri i ullirit dhe madreperla, artizanat i paraqitur dhe i inkurajuar nga françeskanët duke filluar nga shekulli i 16-të.

Shpella e Lindjes brenda Bazilikës së Betlehemit (©Kujdestaria e Tokës së Shenjtë)
Shpella e Lindjes brenda Bazilikës së Betlehemit (©Kujdestaria e Tokës së Shenjtë)   (©Custodia di Terra Santa)

Lindja dhe shpella

Luka Ungjilltar (2,1-7) e rrëfen lindjen e Jezusit maturisht, por edhe poetikisht, duke lidhur historikun e ngjarjes me një dekret regjistrimi të lëshuar nga Cezar Augusti. Në perspektivën teologjike të Lukës, Jozefi, si pasardhës i shtëpisë së Davidit, udhëton për në Betlehem për t'u "regjistruar". Mateu e sheh lindjen e Jezusit në Betlehem si përmbushjen e profecisë së lashtë mesianike të Mikesë (Mikea 5:1) - e është falë kësaj profecie që Tre Mbretërit ishin në gjendje të arrinin në shtëpinë ku strehoheshin Maria, Jozefi dhe Krishti Fëmijë (krahaso Mt 2,1-11).

Vendi specifik i lindjes identifikohet si shpellë nga një traditë e lashtë. Filozofi dhe martiri Justin (rreth vitit 100 pas Krishtit - Roma midis viteve 163 dhe 167 pas Krishtit) ishte i pari që foli për të. Në Dialogun me Trifonin (78.5), shkruar rreth vitit 150 pas Krishtit, na jep këtë informacion:

"Fëmija lindi në Betlehem. Meqenëse Jozefi nuk dinte ku të trokiste në atë fshat, u strehua në një shpellë aty pranë. Dhe ndërsa ishin atje, Maria lindi Krishtin dhe e vendosi në një grazhd".

Edhe një ungjill apokrif me origjinë judeo-kristiane, Protoevangjeli i Jakobit, i shkruar në mesin e shekullit të 2-të, flet për një shpellë pranë Betlehemit si vendin e lindjes së Jezusit: “Kur arritën në mes të udhëtimit, Maria i tha Jozefit: ‘Më lër të zbres nga gomari, sepse kush është brenda meje, më jep forcë ta nxjerr në dritë’. Ai e detyroi të zbresë nga gomari dhe i tha: ‘Ku të të çoj për ta fshehur këtë pahijshmëri tënde? Vendi këtu është i shkretë’. Por ai gjeti një shpellë dhe e çoi atje” (ProtGc 17,3–18,1).

Gjatë kohës së Perandorit Adrian (117–138 pas Krishtit), ngjashëm me atë që kishte ndodhur me Varrin Shenjt në Jerusalem, pati edhe një përpjekje në Betlehem për të shtypur adhurimin e komunitetit vendas të krishterë duke ndërtuar një tempull të vogël për perëndinë greke Adonis, me një korije të shenjtë ngjitur mbi shpellë. Rreth vitit 248 pas Krishtit, teologu i madh Origen dëshmoi: “Tani, në lidhje me faktin se Jezusi lindi në Betlehem, nëse dikush dëshiron ende prova të mëtejshme, pas profecisë së Mikesë dhe rrëfimit të Ungjillit të dhënë nga dishepujt e Jezusit, mjafton të theksohet se, në përputhje me rrëfimin e Ungjillit, shpella ku lindi Jezusi është ende në Betlehem dhe, në shpellë, grazhdi ku Foshnja ishte mbështjellë me pelena. E kjo gjë që tregohet është aq e famshme në ato vende, saqë edhe armiqtë e fesë e pranojnë se pikërisht në atë shpellë lindi Jezusi, i cili është objekt nderimi dhe admirimi për të krishterët" (Contra Celsum, I,51, në Aristide Colonna, Origene, Contro Celso, Opere scelte, Utet, 87/1282, 2013).

Historia e Bazilikës

Bazilika e parë e madhe me pesë navata me një kor tetëkëndësh u ndërtua mbi Shpellën e Lindjes së Krishtit. Gërmimet e fundit mendojnë se ndërtesa origjinale ishte vetëm pak më e shkurtër dhe po aq e gjerë se ajo aktuale. Struktura e saj, ndoshta e dëmtuar nga zjarri (me shumë mundësi gjatë kryengritjes samaritane të vitit 529 pas Krishtit), u rindërtua më vonë. Tradita, e pambështetur plotësisht nga arkeologjia, pohon se Perandori Justinian (shekulli i 6-të) e shkatërroi kishën e vjetër, për të ndërtuar një më të madhe dhe më të bukur.

Një ngjarje historike vendimtare në ruajtjen e saj ndodhi në vitin 614, kur persianët, duke pushtuar Tokën Shenjte dhe duke shembur pothuajse të gjitha kishat, e kursyen Bazilikën e Lindjes së Krishtit. Legjenda tregon se kjo ndodhi sepse, në mozaikët e fasadës, ata panë përshkrime të Magjistarëve të veshur me rroba të ngjashme me të tyret. Kjo ngjarje e mrekullueshme dhe shpëtimi i mëvonshëm në vitin 1009 nga tërbimi shkatërrues i kalifit egjiptian Al-Hakim, çimentuan reputacionin e saj si vend i mbrojtur. Kur Kryqtarët morën kontrollin e Betlehemit në vitin 1099, sundimtarët e parë të Mbretërisë Latine të Jerusalemit, Baldwin I dhe Baldwin II, zgjodhën Betlehemin në vend të Jerusalemit për kurorëzimin e tyre (respektivisht në vitet 1100 dhe 1118): "Shpjegimi më i besueshëm për këtë zgjedhje është ai i legjendës së Herakliut: dikush do të ndihej i turpëruar të mbante kurorën mbretërore aty ku Mbreti Mesia kishte mbajtur një kurorë me gjemba" (Fürst-Geiger, Op. cit., 706/1021). Kryqtarët u kufizuan në ridekorimin e strukturës ekzistuese. Në vitin 1335, françeskanët morën përsipër shërbimin e shtegtarëve nga kanonet augustiniane, duke u vendosur përgjithmonë në vitin 1347 dhe duke e fortifikuar manastirin.

Në fund të Mesjetës, bazilika ra në një gjendje të mjerueshme gjysmë-braktisjeje. Në vitin 1480, dominikani Felice Fabri e përshkroi "të dhunuar, plotësisht pa llamba; dukej si një hambar" (ibid.). Falë angazhimit të françeskanëve, u nis një përpjekje e madhe restaurimi, me kontribute nga Republika e Venedikut (për trarët kryesorë), Burgundia (për transportin) dhe Anglia (për plumbin për mbulesat).

Pronësia e përbashkët e françeskanëve zgjati deri në vitin 1637, kur filluan mosmarrëveshjet që çuan, në vitin 1757, në transferimin e administrimit të kishës dhe një pjese të shpellës te ortodoksët grekë. Episodet pasuese të tensionit, diskutimet dhe ndërhyrjet e ndryshme diplomatike, që kulmuan në vitin 1847 me heqjen e yllit të argjendtë nga shpella (e restauruar më vonë), i shtynë autoritetet osmane të lëshonin, në vitin 1852, të ashtuquajturin dekret "Status Quo", i cili rregullon zonën dhe është ende në fuqi sot. Ky dekret zbaton në mënyrë strikte të drejtat dhe detyrat e pronësisë dhe përdorimit të hapësirave të shenjta të tre komuniteteve kryesore (ortodokse greke, katolike romake/françeskane dhe apostolike armene).

Brendësia e Bazilikës së Lindjes me mbetjet e mozaikëve ende të dukshme (©Kujdestaria e Tokës së Shenjtë)
Brendësia e Bazilikës së Lindjes me mbetjet e mozaikëve ende të dukshme (©Kujdestaria e Tokës së Shenjtë)   (©Custodia di Terra Santa)

Arkitektura dhe ikonografia

Bazilika e Lindjes është e rrethuar nga manastiret greke dhe armene dhe manastiri françeskan i Kujdestarisë së Tokës së Shenjtë, me kishën ngjitur kushtuar Shën Katerinës së Aleksandrisë dhe konviktin e shtegtarëve (Casa Nova), duke i dhënë kompleksit pamjen e një fortese. Karakteristika dalluese e fasadës së saj është portali më i vogël i hyrjes në botë, vetëm 130 cm i lartë. Kjo hyrje, fillimisht një portë monumentale Justiniane, u reduktua nga Kryqtarët dhe më pas u muros më tej rreth vitit 1500 për të parandaluar dhunimin e kishës duke përdorur atriumin si në stallat për kuaj ose deve. Sot është simbol i fuqishëm teologjik, i quajtur "dera e përvujtërisë": të gjithë, pavarësisht rangut, duhet të përkulen për të hyrë në vendin ku Biri i Perëndisë u përul dhe u bë fëmijë për shpëtimin tonë.

Brenda, bazilika është mbresëlënëse për hapësirën dhe harmoninë (26 x 54 metra) e pesë navatave të saj, të formuara nga katër rreshta me dhjetë kolona monolitike prej guri të kuq. Muret dhe dyshemeja ruajnë gjurmë të shkëlqimit të tyre origjinal, megjithëse dyshemeja është ngritur me rreth 80 cm.

Kolonat dhe shenjtorët

Përgjatë nefeve a korridoreve, 28 kolona të epokës së Kryqëzatave (shekulli i 12-të) janë të zbukuruara me figura të pikturuara shenjtorësh, të shoqëruara me mbishkrime në greqisht dhe latinisht. Kjo ikonografi është jashtëzakonisht eklektike dhe pasqyron gamën e gjerë të përkushtimeve të kohës. Gjejmë një numër shenjtorësh perëndimorë: Shën Kataldo (Peshkop i Tarantos), Leonard i Limoges, apostujt Jakob dhe Bartolomeu, Mbretin Olaf të Norvegjisë dhe Mbretin Knut të Danimarkës. Përveç kësaj, një numër shenjtorësh lindorë dhe vendas: Shën Gjergji, etërit e monasticizmit Euthymius, Anthony dhe Macarius, Shën Saba dhe Shën Theodosius.

 

Mozaikët e Koncileve

Muret e sipërme të nefit qendror ishin të mbuluara tërësisht me mozaikë, pjesë të konsiderueshme të të cilëve kanë mbetur si ishin. Këto mozaikë pasqyronin gjenealogjinë e Jezusit (nga Ungjilli i Mateut) dhe, në një seksion të sipërm, Koncilet e Kishës së lashtë. Në të djathtë, tekstet e shtatë koncileve të para ekumenike (universale) - nga Koncili i Parë i Nikesë (325 pas Krishtit) deri në Koncilin e Dytë të Nikesë (787 pas Krishtit) - vendosën themelet e doktrinës së krishterë. Fatkeqësisht, vetëm ai i Konstandinopojës I (381 pas Krishtit) mbetet i paprekur. Në të majtë, përshkruheshin gjashtë sinode lokale (Gangres, Sardika, Antiokia, Ankira). Kjo zgjedhje ikonografike nuk kishte vetëm qëllim ilustrues, por edhe doktrinar: bazilika kishte për qëllim jo vetëm të festonte lindjen e Birit të Hyjit, por edhe të tregonte doktrinën e saktë kristologjike, në  përpjekje për të shëruar idealisht përçarjen ndërmjet Kishave Lindore dhe Perëndimore, duke siguruar themelin e besimit të përbashkët. Sipër, shtatë engjëj në një procesion qiellor, vepër e artistit Basilio, lëvizin simbolikisht drejt shpellës. I shtati u rishfaq në vitin 2016, gjatë punimeve restauruese të kryera nga firma Piacenti.

Shpella Betlehemit, presbiterium dhe ekumenizmi

Presbiterium i ngritur ndodhet në kryqëzimin e nefeve të Bazilikës. Është e ndarë nga altari i mirëfilltë e nga një ikonostas i shkëlqyer, i kuq dhe i artë, i krijuar në vitin 1764 dhe i praruar në vitin 1853, tipik i Kishave ortodokse greke. Shpella e Lindjes së Jezu Krishtit, e arritshme nga transepti jugor, është zemra shpirtërore e kompleksit. Këtu, për shkak të "Status Quo-së", të tre komunitetet kanë juridiksione të dallueshme: shpella është në pronësi të grekëve dhe françeskanëve, grazhdi dhe altari i Dijetarëve u përkasin françeskanëve, ndërsa armenët kanë të drejtë të temjanojnë dhe të vendosin ikona në Krishtlindjen e tyre (19 janar). Pavarësisht rregulloreve komplekse të "Status Quo-së", klima ekumenike në Betlehem është vazhdimisht në rritje. Këtë e dëshmon kundërshtimi i përbashkët kundër shfrytëzimit politik të Kishës e, mbi të gjitha, puna e restaurimit. Nga Shpella e Lindjes së Jezusit, mund të arrihen edhe shpellat e tjera, në pronësi të Kujdestarisë së Tokës Shenjte, e dhe Kisha e Shën Katerinës, gjithashtu në pronësi të françeskanëve.

Shpella e Lindjes në zemër të Bazilikës së Betlehemit (©Kujdestaria e Tokës së Shenjtë)
Shpella e Lindjes në zemër të Bazilikës së Betlehemit (©Kujdestaria e Tokës së Shenjtë)   (©Custodia di Terra Santa)

Në pritje të shtegtarëve

Sfida e vërtetë sot nuk është thjesht mirëmbajtja dhe restaurimi i hapësirave; sfida e vërtetë është ruajtja e pranisë së krishterë në Betlehem, një prani dy mijëvjeçare dhe ekumenike. Fatkeqësisht, ndarja e Betlehemit nga Jeruzalemi, ndërtimi i murit, pikat e kontrollit që pengojnë hyrjen për shtegtarët e, mbi të gjitha, për banorët, si dhe vendbanimet në rritje eksponenciale rreth qytetit vitet e fundit, tani po e mbytin komunitetin që jeton atje.

Pas dy Krishtlindjesh kaluar pa shtegtarë e pa festime, me dritat e fikura dhe në një klimë lufte, të gjithë në Betlehem presin kthimin e shtegtarëve për Krishtlindjen e ardhshme, në mënyrë që të festojnë së bashku, të krishterë vendas dhe të krishterë nga e gjithë bota, ngjarjen që e ndryshoi historinë: lindjen e Krishtit Fëmijë, Birit të Hyjit të mishëruar dhe të lindur nga Virgjëra Mari.

Thirrje urgjente për paqe

Nga ky vend, fjalët e thëna në Betlehem nga Papa Shën Pali VI më 6 janar 1964, duken gjithashtu veçanërisht profetike dhe në kohën e duhur: "Duke u larguar nga Betlehemi, ky vend i pastërtisë dhe i qetësisë ku, njëzet shekuj më parë, lindi ai të cilit i lutemi si Princ i Paqes, ndiejmë detyrën imperative t'ua ripërtërijmë krerëve të shteteve dhe të gjithë atyre që janë përgjegjës për popujt, thirrjen tonë urgjente për paqe botërore. Ata që mbajnë pushtetin le ta dëgjojnë këtë britmë të zemrës sonë dhe të vazhdojnë bujarisht përpjekjet e tyre për t'i siguruar njerëzimit paqen që ai e aspiron me aq zjarr. Le të nxjerrin nga i Plotfuqishmi Zot dhe nga thellësitë e ndërgjegjes së tyre njerëzore një inteligjencë më të qartë, një vullnet më të zjarrtë dhe një frymë të ripërtërirë harmonie e bujarie, për të shmangur me çdo kusht ankthin dhe tmerret e një lufte të re botërore, pasojat e së cilës do të ishin të pallogaritshme. Le të bashkëpunojnë për të rivendosur paqen në të vërtetën, drejtësinë, lirinë dhe dashurinë vëllazërore".

 

21 dhjetor 2025, 10:04