Kërko

Jeruzalemi Jeruzalemi

Toka Shenjte: paqja nuk është iluzion, por zgjedhje stili jetese

Dhuna lind vdekje dhe shkatërrim; hakmarrja, urrejtje dhe dhimbje. Lajmet dhe pamjet e Gazës dhe vendeve të tjera të shkatërruara nga lufta, flasin për vuajtjet fizike dhe morale të njerëzve të pafajshëm dhe të pambrojtur.

R.SH. / Vatikan

Ibrahim Faltas

Krishtlindja po afrohet: udhëtimi i Kohës së Ardhjes na përgatit për mbërritjen e ndritshme të Atij, që jep paqe. Në Tokën e Shenjtë, pritja për paqe është e fortë e dëshira për ta gjetur kërkon përgjigje. Për vite me radhë, dhe veçanërisht që nga 7 tetori 2023, kemi folur e shkruar për dhunën që lind vdekje dhe shkatërrim, e hakmarrjen, që lind urrejtje e dhimbje. Duket si një rrugë rrethore në të cilën ndërthuren aspektet më negative të njerëzimit, qark që nuk arrin të hapet ndaj solidaritetit dhe mirëkuptimit e nuk arrin ta ndërpresë ciklin vicioz të së keqes, i cili vijon të lindë më shumë të keqe. Lajmet dhe pamjet e Gazës dhe të vendeve të tjera në luftë zbulojnë vuajtjet fizike dhe emocionale të njerëzve të pafajshëm dhe të pambrojtur, e reagimet e menjëhershme zbulojnë indinjatën dhe përfshirjen emocionale të pjesës më të madhe të njerëzimit.

Situatë e dëshpëruar

Kufiri i tolerancës për këtë dhunë të padurueshme është tejkaluar prej kohësh. Kemi parë dhe jemi mësuar për shkaqe të shumta që çuan në vdekje dhe shkatërrim në Gaza: bombardime, përleshje, shpërthime, mungesë mallrash themelore, kujdesi shëndetësor dhe ilaçesh. Thirrjet e panumërta dhe ndërmjetësimi i Papëve dhe krerëve të shteteve nuk kanë arritur ta ndryshojnë ose ta zgjidhin këtë situatë të dëshpëruar. Ndihma që hyri në Gaza dhe mundësia për t’i evakuuar ata që kanë nevojë urgjente për kujdes, ishin një pikë ujë në oqeanin e nevojave reale. Çfarë e shtyn qenien njerëzore të vazhdojë të shkaktojë dhimbje? Si mund ta transformojmë ndjenjën e pafuqisë në gjeste konkrete ndihme dhe solidariteti?

Pas kaq shumë fjalësh dhe kaq shumë dhimbjeje, duket se indiferenca ka rënë mbi të keqen e luftës. E se frika nuk na shtyn të vazhdojmë t’i denoncojmë ata që mund të ndërhyjnë, por nuk e bëjnë! E nuk arrijmë ta kuptojmë pse heshtja na bën bashkëfajtor. Mure fizike dhe të dukshme janë ndërtuar rreth Gazës dhe Shtetit të Palestinës në Bregun Perëndimor, duke penguar kalimin e njerëzve "të paautorizuar": ndihmësve humanitarë dhe të marrëdhënieve njerëzore, vullnetarëve, gazetarëve dhe vëzhguesve ndërkombëtarë. Përreth zonave të luftës në Tokën Shenjte, duket se është ngritur një barrierë, duke bllokuar çdo mundësi për të thënë të vërtetën, e cila ndihmon drejtësinë të shpëtojë jetë e t'i rikthejë dinjitetin njerëzor një popullsie të rraskapitur.

Çfarë ose kush po na pengon të ndihmojmë qeniet njerëzore të dëshpëruara, që jetojnë në kushte çnjerëzore? A mund të jetë e frikshme dobësia e tyre, apo dorëheqja e tyre nuk na e tronditë ndërgjegjen? Kush zgjedh të ndjekë interesat ekonomike, e kush vazhdon të rrisë shpenzimet për të shkaktuar vdekje dhe shkatërrim? Kush i njeh si armiq burrat dhe gratë e rraskapitur nga dhimbja e pamundësisë për të ndihmuar ata, të cilëve ua dhanë fëmijët dhe të moshuarit që janë objektiva të lehtë të dhunës, qenie njerëzore pa forcë dhe sëmundje?

Çfarë interesi vetjak e ndalon ushqyerjen, kujdesin dhe ngrohjen me atë që është lehtësisht e disponueshme dhe e bollshme vetëm pak hapa larg? Pse të mos u jepet një shans jetës së atyre, që nuk mund të jetojnë pa ilaçet e që i presin vetëm jashtë një kalimi kufitar ose pike kontrolli? A i lë të ftohtit e një dimri të tretë pa ngrohtësinë e solidaritetit në Gaza zemrat e ngurtësuara, të shkëputura, indiferente?

Një Foshnje Shenjte po vjen për të pajtuar vëllezërit dhe motrat

Këto janë pyetje pa përgjigje, drejtuara të gjithëve, pa dallim, sepse përballë një situate kaq çnjerëzore, të gjithë jemi përgjegjës. Ekziston një përgjigje: është një Fëmijë i mbështjellë me pelena, i lindur në një shpellë të ftohtë dhe të errët, që sjell paqe në zemrat pa paqe. Është një Fëmijë i Shenjtë, që erdhi për të pajtuar vëllezërit dhe motrat, për t'u dhënë mbështetje të pafajshmëve dhe të pambrojturve, për të pohuar se e vetmja e vërtetë është dashuria për të afërmin. Ta kremtojmë Krishtin Fëmijë duke kujtuar çdo ditë, e jo vetëm në ditët e Krishtlindjeve të Shenjta, mesazhin që na arrin nga shpella e Betlehemit, ende i vërtetë, pas më shumë se dy mijë vjetësh.

Paqja nuk është iluzion, është zgjedhje jete. Paqja nuk është vetëm një fjalë që humbet kuptimin dhe rëndësinë e saj sapo thuhet. Paqja është guxim që ndihmon dhe sjell të vërtetën e Shëlbuesit!

22 dhjetor 2025, 11:05