Kërko

2021.12.09 presepe gallio vicenza aula paolo VI giovani particolare san giuseppe

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës IV të Kohës së Ardhjes 'A'

Në jetën e Jozefit, Ti, o Zot,/hyre rrëmujshëm,/në një mënyrë krejt të papritur,/të paparashikuar, të paimagjinuar./Në pak kohë, sa shumë probleme..:/Por Jozefi ka besim tek Ti, o Zoti im,/lëshohet në dorën Tënde,/zbaton vullnetin Tënd,/pa garanci paraprake,/pa shenja të jashtëzakonshme,/pa mundësi të mëdha për të zgjedhur,../E falë tij/“Zoti me ne” – Emanueli/u mbrojt, u sigurua, u përkrah,/u rrit, u përgatit për jetënnga njeriu, që iu bë baba...

R.SH. - Vatikan

“Njeriu, që dëgjoi ëndrrën”, kështu mund të quhet shën Jozefi, në qendër të pjesës së sotme ungjillore, në të dielën IV të Kohës së Ardhjes, vitit 'A'. Ungjilli i ditës, marrë nga kapitulli I i Shën Mateut, një nga pjesët e pakta, që flasin për shokun e jetës së Marisë, na përshkruan dyshimet e Jozefit dhe përgjigjen, që u jep atyre, engjëlli i dërguar prej Zotit. Por, të ndjekim këtë pjesë, një nga më të bukurat e Ungjillit:

18 Maria, pasi u fejua me Jozefin, para se të banonin së bashku, u gjet shtatzënë për virtyt të Shpirtit Shenjt. 19 Tashti Jozefi, i fejuari i saj, pasi ishte njeri i drejtë e nuk donte ta çnderonte botërisht, mendoi ta lëshojë fshehtazi. 20 Posa në mendje të vet vendosi të bëjë kështu, ja se, iu duk në ëndërr engjëlli i Zotit dhe i tha: ‘Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt…’. 24 Jozefi, si u zgjua nga gjumi, bëri sikurse i urdhëroi engjëlli i Zotit: e mori në shtëpi të fejuarën e vet”.

Të lutemi së bashku:

Në jetën e Jozefit, Ti, o Zot,

hyre rrëmujshëm,

në një mënyrë krejt të papritur,

të paparashikuar, të paimagjinuar.

Në pak kohë, sa shumë probleme:

një e fejuar, që priste fëmijë

(e Jozefi e dinte se nuk është i veti),

mundësitë, që jepte Ligji

e, pastaj, vendimi më i butë,

që nuk e çnderon Marinë,

ta linte fshehtazi.

 

Në mesin e këtij pështjellimi,

Jozefi dëgjon në ëndërr një zë,

(po a mund të orientohemi me ëndrra

në gjëra me rëndësi kaq të madhe?).

Por Jozefi ka besim tek Ti, o Zoti im,

lëshohet në dorën Tënde,

zbaton vullnetin Tënd,

pa garanci paraprake,

pa shenja të jashtëzakonshme,

pa mundësi të mëdha për të zgjedhur,

madje, as emrin e fëmijës.

 

E, pikërisht, falë tij, Biri yt

pati një familje si gjithë të tjerët,

një nënë e një babë.

E falë tij

“Zoti me ne” – Emanueli

u mbrojt, u sigurua, u përkrah,

u rrit, u përgatit për jetën

nga njeriu, që iu bë baba.

O Zot, ja, kështu realizohen planet e Tua,

me njerëz si Jozefi e Maria,

të gatshëm të të lënë të hysh në jetën e tyre

deri në këtë pikë.

 

20 dhjetor 2025, 10:32