Feast of the Holy Family of Jesus, Mary and Joseph

Të meditojmë me Ungjillin e Familjes Shenjte

Në të dielën e parë pas Krishtlindjes, dërsa jemi ende të pushtuar nga atmosfera gazmore e festës, Kisha na fton të kundrojmë Familjen e Shenjtë të Nazaretit.

R.SH. – Vatikan

E diela në mes të Tetëditëshes së Krishtlindjes na bën të meditojmë për familjen e Jezu Krishtit. Kështu, kuptohet më mirë ngjarja qendrore e kremtuar në Krishtlindje, mishërimi, i cili nuk kufizohet vetëm në lindjen e Jezusit, por shtrihet në rritjen e tij fizike, psikologjike dhe shpirtërore (shih Lk 2,52), në zhvillimin e tij njerëzor brenda një familjeje dhe një kuadri të caktuar kulturor e fetar, ku përfshihen shtegtimi vjetor në Jerusalem, festa e Pashkëve, tempulli, mësimi i librit të shenjtë Torah me mësuesit. Të ndjekim tregimin e shën Mateu ungjillar për Familjen e Nazaretit e vështirësitë që pati që në fillim. Të ndjekim pjesën ungjillore marrë nga Shën Mateu (2,41-52)...

Ikja në Egjipt

13 Pasi u nisën Dijetarët, ja se, engjëlli i Zotit iu dëftua në ëndërr Jozefit e i tha: “Çohu, merre fëmijën dhe të ëmën e tij e ik në Egjipt. Rri atje derisa të them unë, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë.” 14 Ky u çua, natën e mori fëmijën dhe të ëmën e tij e shkoi në Egjipt. 15 Banoi atje derisa vdiq Herodi që të plotësohej fjala e Zotit e thënë me gojë të profetit: “Nga Egjipti e thirra Birin tim.”

Kthimi nga Egjipti

19 Kur vdiq Herodi, engjëlli i Zotit iu duk në ëndërr Jozefit në Egjipt 20 dhe i tha: “Çohu, merre fëmijën dhe të ëmën e tij e shko në dhe të Izraelit, sepse vdiqën ata që kërkonin t’ia merrnin jetën djalit.”

21 Atëherë ai u çua, mori fëmijën e të ëmën e tij dhe shkoi në dhe të Izraelit. 22 Por, si mori vesh se në Jude mbretëronte Arkelau në vend të Herodit, të atit, pati frikë të shkojë atje; dhe i mësuar në ëndërr prej Hyjit, shkoi në krahinën e Galilesë. 23 Si arriti atje, zuri vend në një qytet që quhet Nazaret, për t’u plotësuar fjala që thanë profetët: Do të quhet Nazarenas.

Të lutemi së bashku

Edhe Maria e Jozefi, si gjithë prindërit,

u desh ta kuptonin

se nuk mund të vendosnin ata vetë për të ardhmen tënde.

Sepse Tij, o Jezus, si të gjithë bijtë,

duhet t’i marrësh vetë vendimet themelore

që të duhen për jetën.

 

Edhe Maria e Jozefi, si gjithë prindërit,

zbuluan detyrën e tyre themelore:

të përgatisin për jetën një krijesë

që pastaj, pashmangshmërisht, do të ndërmarrë

rrugën e vet, një udhë të paparashikueshme,

në të cilën do të ecë me liri.

 

Edhe Maria e Jozefi, si gjithë prindërit,

e kuptuan se kishte ardhur çasti

për t’u mënjanuar,

pasi kishin dhuruar çdo gjë

për të cilën ka nevojë një fëmijë:

dashurinë e çiltër, orientimin e sigurt,

fenë e sinqertë, bërë nga fjalë,

por edhe nga gjeste të përditshme.

 

Edhe Maria e Jozefi, si gjithë prindërit,

e provuan personalisht ç’do të thotë

të respektosh etapat e ndryshme

të rritjes së një fëmije.

Në fund të fundit, edhe Ti, o Jezus,

duke u kthyer me ta në Nazaret,

vazhdove t’ua njohësh rolin

dhe autoritetin e tyre.

27 dhjetor 2025, 08:59