Sydney, pikëllim për sulmin dhe thirrje që fetë të mbrojnë paqen
R.SH. / Vatikan
Dhimbje dhe zemërim "për sulmin frikacak që gjakosi Hanukkah në Bondi Beach të Australisë", i shprehën, nga Konferenca e Ipeshkvijve Italianë, një mesazh dërguar nga kryetari, Kardinali Matteo Maria Zuppi dhe Ipeshkvi Derio Olivero, kryetar i Komisionit për Ekumenizëm dhe Dialogun - Rabinit Arbib, kyetari i Asamblesë Rabinike Italiane, dhe Noemi Di Segni, president i Unionit të Komuniteteve Hebraike Italiane. Konferenca e Ipeshkvijve Italianë (CEI) - duke theksuar "lidhjen me të cilën njerëzit e Testamentit të Ri janë të lidhur shpirtërisht me prejardhjen e Abrahamit" - përsërit "dënimin e saj të vendosur të antisemitizmit, duke i nxitur katolikët italianë të hedhin poshtë të gjitha format e dhunës, si verbale ashtu edhe fizike". Angazhimi i tyre i përbashkët është të "përhapin kulturën e paqes" dhe të ndërtojnë shoqërinë e pajtuar.
Shembulli i Ahmed al-Ahmad
Dënim, pikëllim, simpati, por edhe shpresë e përfaqësuar nga veprimi heroik i qytetarit mysliman, që ndërhyu për të çarmatosur një nga kriminelët, duke shpëtuar ndoshta edhe jetë të tjera: disa reagime kundër sulmit antisemit në Sydney nga dy terroristë të lidhur me të vetëshpallurin "Shtet Islamik" theksojnë shembullin e Ahmed al-Ahmad.
"Ne duhet të shkojmë përtej respektit; jemi të thirrur të kërkojmë mënyra për të ndihmuar njëri-tjetrin", shkruajnë patriarkët dhe krerët e Kishave të Jerusalemit në një mesazh: "Njerëzit e besimit janë të thirrur të mbrojnë njëri-tjetrin, ashtu siç bëri Ahmedi". Presidenti i Konferencës së Ipeshkvijve Katolikë në SHBA, imzot Paul Stagg Coakley, deklaroi, në një letër drejtuar udhëheqësve të komunitetit amerikan hebraik, se "ndërhyrja vetëmohuese e një myslimani që çarmatosi një nga sulmuesit është shenjë shprese e se dhembshuria për të tjerët mund të mbizotërojë ende". Meqenëse festimi i Hanukkah-ut i këtij viti përkon me sezonin e Kohës së Ardhjes, prelati vuri në dukje se "Hebrenjtë dhe katolikët kanë të njëtin premtim: premtojnë se drita dhe shpresa do të mbizotërojnë mbi errësirën. Le t’i forcojnë këto festime zemrat tona, të nderojnë kujtimin e të vrarëve dhe të plagosurve dhe të na ndihmojnë të ndërtojmë një botë të formuar nga drejtësia, dhembshuria dhe paqja".
Ngushëllime nga Kishat e tjera
Patriarku Ekumenik Bartolomeu i shkroi Kryeipeshkvit Ortodoks Grek të Australisë, Makarios, duke e siguruar për lutjet e tij të pandërprera "për vëllazërinë e njerëzve, popujve, feve dhe kulturave", edhe për mbështetjen e pjesëmarrjen e tij në "të gjithë dialogët dypalësh dhe shumëpalësh në këtë drejtim".
Kryetari i Konferencës së Ipeshkvijve Katolikë të Anglisë e të Uellsit, Kardinali Vincent Gerard Nichols, i dërgoi një letër Kryerabinit të Mbretërisë së Bashkuar, Ephraim Mirvis, duke kujtuar "dhunën e pakuptimtë" dhe "dhimbjen që prek të gjithë besimet dhe kombet". Shpresojmë se "ju do të gjeni forcë dhe ngushëllim në solidaritetin e njerëzve që janë me ju, kundër dhunës dhe antisemitizmit".