Kisha Latine e Krishtit Shëlbues në Taybeh me dekorime Krishtlindjesh Kisha Latine e Krishtit Shëlbues në Taybeh me dekorime Krishtlindjesh

Palestinë: në Taybeh "Netët e Krishtlindjes" për t'u rikthyer në rrënjët e gëzimit të krishterë

Qyteza palestineze me shumicë të krishterë, e tronditur periodikisht nga dhuna e kolonëve izraelitë, po përgatitet për lindjen e Jezusit me nisma shpirtërore, shoqërore e kulturore. Famullitari i Kishës Latine: "Feja lind nga plagët e zemrës dhe jep fryte paqeje e shprese pavarësisht nga ashpërsia e rrethanave".

R.SH. - Vatikan

Një besim i rrënjosur thellë në shpresë. Kjo i jep jetë Taybeh-ut, fshat në Bregun Perëndimor, në Shtetin e Palestinës, ku, pasditen e së enjtes, më 4 dhjetor, filluan "Netët e Krishtlindjes" në Kishën Latine të Krishtit Shëlbues. Pas një lutjeje ekumenike për të përfshirë edhe bashkësitë e tjera lokale (ortodokse greke dhe melkite), skena e lindjes së Jezusit në oborr do të ndriçohet, e më pas do të nisë ceremonia e hapjes së një tende, ngritur për veprimtaritë e planifikuara.

Në tokën e lindjes së Krishtit

Në këtë qytet palestinez kryesisht të krishterë, të tronditur periodikisht nga dhuna e kolonëve izraelitë, fillon pritja për Krishtlindje, kohë për të sjellë pak dritë, pavarësisht vuajtjeve. Përveç zbukurimeve të Krishtlindjes, që duken përgjatë rrugëve, e madje edhe në fasadën e Kishës, edhe zemrat e besimtarëve përgatiten, të frymëzuara nga brohoritja e ngjarjes së madhe: "Krishtlindjet tona janë historia e një toke". Temë, kjo, që synon të nxjerrë në pah lidhjen e drejtpërdrejtë ndërmjet lindjes së Jezusit dhe tokës ku u përkund së pari në djep! Në një djep të çuditshëm: në grazhd! Mbi një tokë ende e torturuar nga lufta në Rripin e Gazës dhe nga bastisjet në Bregun Perëndimor, tokë e etur për paqe. Banorët e Taybeh e dinë diçka për këtë, pasi kanë parë edhe një herë ndërtesa dhe makina të shkatërruara, zjarre dhe dëmtime të të korrave të tyre nga duart e kolonëve. Vetëm pak javë më parë.

Kohë feste

Atë Bashar Fawadleh, famullitar i Kishës Latine të Taybeh, shpjegon se "Netët e Krishtlindjeve" janë "kohë feste, që përqafojnë familjet, ndezin buzëqeshjet dhe na kthejnë në rrënjët e gëzimit tonë". Për disa ditë, Taybeh shndërrohet "në një hapësirë ​​të gjallë, ku ngjyrat vallëzojnë me muzikën, lojërat ndërthuren me të qeshurat e fëmijëve dhe tregjet mirëpresin vizitorët. Sheshet, vazhdon prifti, "janë plot me shfaqje artistike, lodra për fëmijë dhe veprimtari kulturore e shoqërore". Nëse Krishtlindja ka ndodhur pikërisht atje, në tokën e Jezusit, atëherë "ne jemi protagonistët", pohon Atë Fawadleh.

Një mesazh shprese

"'Netët' e Taybeh-ut nuk janë thjesht ngjarje, por përvojë që i vë në lëvizje të gjitha shqisat" shpjegon famullitari: "Tingujt e këngëve të Krishtlindjes jehojnë në ajër, aromat e ëmbëlsirave të dimrit mbushin rrugët". Është  nismë e hartuar për të mbledhur  të rinj dhe të moshuar, në pritje të Foshnjës Hyjnore, që lind përsëri, çdo vit, në zemrat e besimtarëve. Mbledhja në rrugët e qytetit në këto netë, pohon akoma Atë Fawadleh, "do të thotë të shkruash një kapitull të ri në historinë e kësaj toke dhe të festosh Krishtlindjen në mënyrën tonë, në mënyrën që pasqyron Taybeh-un, njerëzit e saj dhe gëzimin e saj".

Në një vend ku jeta i nënshtrohet kufizimeve, për shkak të mbylljeve të shumta dhe barrierave ushtarake ngritur nga ushtria izraelite, të cilat janë shumëfishuar që nga 7 tetori 2023, këto nisma të Krishtlindjes marrin një kuptim edhe më të veçantë. Ajo që banorët e qytetit Taybeh dëshirojnë të ofrojnë është, pra, një mesazh qëndrueshmërie dhe shprese, i cili vjen nga një tokë që vuan, por nuk vdes!  "Besimi - vazhdon famullitari i Taybeh - lind nga zemra e plagosur e jep fryte paqeje dhe shprese, pavarësisht nga ashpërsia e rrethanave".

05 dhjetor 2025, 11:54