Koha e Ardhjes, kohë rizgjimi shpirtëror
R. SH. - Vatikan
Koha e Ardhjes është një çast i përshtatshëm për të rizbuluar lidhjen tonë me Zotin, që na do personalisht e nuk na braktis kurrë në duart e armikut tonë. Kështu Koha e Ardhjes, që ka hyrë tashmë në javën e saj të katërt, na fton si besimtarë t’i jetojnë gjërat e përditshme me frymë të re, me ndjenja të thella e me aspirata, që mund t’i përmbushë vetëm Zoti.
Koha e Ardhjes takim me Zotin
Koha liturgjike e Ardhjes është për çdonjërin rast i volitshëm për të ripërtërirë në zemrën e vet dëshirën për ta takuar Zotin që vjen për të na shpëtuar. Emrat tradicionalë të të dielave të Ardhjes (Adventit) rrjedhin nga fjalët e para të Antifonës së hyrjes në Meshë. E diela e parë quhet Ad te levavi («Te ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim», Psalmi 25); e diela e dytë quhet Populus Sion («Populli i Sionit», Isaia 30,19.30); e diela e tretë është ajo e Gaudete («Gëzohun gjithmonë në Zotini», Filipianëve 4,4.5); e diela e katërt është ajo e Rorate («Vesoni, o qiej, prej së larti vesoni», Isaia 45,8).
Origjina e Ardhjes (Adventit)
Termi Ardhje vjen nga fjala “ardhje”, në latinisht adventus. Fjala adventus mund të përkthehet si “prani”, “mbërritje”, “ardhje”. Në gjuhën e botës së lashtë ishte një term teknik i përdorur për të treguar ardhjen e një funksionari, vizitën e mbretit ose të perandorit në një provincë. Por mund të tregonte edhe ardhjen e hyjnisë, që del nga fshehtësia e saj për t’u shfaqur me fuqi, ose që kremtohet si e pranishme në kult.
Të krishterët e përvetësuan fjalën Ardhje për të shprehur marrëdhënien e tyre me Krishtin: Jezusi është Mbreti, që ka hyrë në këtë “provincë” të varfër të quajtur tokë për t’u bërë vizitë të gjithëve; në festën e ardhjes së Tij i bën pjesëmarrës të gjithë ata që besojnë në Të. Me fjalën adventus në thelb donin të thoshin: Zoti është këtu, nuk është tërhequr nga bota, nuk na ka lënë vetëm. Edhe pse nuk mund ta shohim dhe ta prekim siç ndodh me realitetet e ndjeshme, Ai është këtu dhe vjen të na vizitojë në shumë mënyra.
Udhës drejt Betlehemit të Krishtit
Në ritmet e jetës së përditshme, shpesh të ethshme, sikur tha edhe Papa Leoni XIV në audiencën e përgjithshme të kësaj së mërkure, 10 dhjetor, kujtojmë se gëzimi i vërtetë i njeriut është takimi me Zotin: këtë na kujton Kisha, në udhën tonë drejt Betlehemit të Krishtit, gjatë kohës liturgjike e shpirtërore të Ardhjes, që tashmë jemi në javën e katërt dhe të fundit. Pra, nuk duhet të joshemi nga xixëllimat e vitrinave, që në këtë kohë, shumë qytete dhe vende të botës perëndimore, mbushen përplot me sende kalimtare, por duhet të hyjmë në vetë zemrën e Krishtlindjes. E mos të harrojmë se gëzim i vërtetë është ai, që shndërrohet në solidaritet, për dashuri të Zotit, e jo ai, që kërkohet në parajsat artificiale të kënaqësisë, ku Zoti nuk ekziston.
Kohë e përgatitjes për Lindjen e Jezusit
Prandaj, koha liturgjike e shpirtërore e Ardhjes, që kemi filluar para katër javësh, është një kohë pendese dhe rizgjimi shpirtëror. Është kohë e përgatitjes për prtijen e solemnitetit të Mishërimit të Zotit tonë Jezu Krisht.
Kjo kohë shpirtërore e Adrhjes na kujton ardhjen e parë të Birit të Zotit ndërmjet njerëzve, mishërimin e Tij, por është edhe kohë në të cilën, përmes kujtimit të ardhjes së parë të Jezu Krishtit – shpirti ynë udhëhiqet drejt pritjes së ardhjes së dytë të Tij, në fundin e kohëve, në mbarim të botës.
Koha e Ardhjes është kryesisht kohë e përgatitjes për Lindjen e Jezu Krishtit, që nis me Lutjet e para mbrëmësore – mbrëmjen e së Dielës së parë të kësaj kohe të Ardhjes e përfundon, natyrisht, Natën e Krishtlindjes. Është kohë në të cilën Kisha e përqendron gjithë vëmendjen tek misteri i madh i Birit të Hyjit që merr natyrën njerëzore, që hyn në historinë tonë njerëzore e që zbret nga Qielli për dashurinë tonë e për shpëtimin tonë. Kjo është kryesorja për Kohën e Ardhjes.