Ipeshkvi Shomali: kur paqja nuk ekziston më, mbetet shpresa për ta arritur atë
R.SH. / Vatikan
Toka e Shenjtë, vendlindje e Princit të Paqes, po përgatitet të jetojë Krishtlindjen, e treta e dhunës, por bashkësia e krishterë nuk po dorëzohet. Në Jenin, në Bregun Perëndimor, dy ditë më parë, në një akt të rëndë vandalizmi, të rinj myslimanë të radikalizuar i vunë qëllimisht flakën Bredhit të Krishtlindjeve. Ndërsa Imzot William Shomali, Vikar i Përgjithshëm i Patriarkanës Latine të Jeruzalemit, mbërriti dje pasdite për ta përuruar e për ta bekuar Pemën e re të Krishtlindjes, rindërtuar me ndihmën e shumë besimtarëve.
Duke folur për mediat e Vatikanit, Imzot Shomali përshkroi situatën në Gaza, tragjedinë dhe shkatërrimin e dukshëm kudo, por edhe qëndrueshmërinë e njerëzve që vendosën të qëndronin atje jo vetëm për shkak të mungesës së alternativave: "Kur hyra në Rrip, kishte shkatërrim kudo. Thuhet se 80% e infrastrukturës u shkatërrua - e është e vërtetë! Ndoshta edhe më shumë. Çka mbeti në këmbë dhe nuk u shemb, u përshkua nga të shtënat me armë zjarri. Ka shenja lufte kudo. Dritare të thyera, dyer të mbyllura me tulla.... Jeta është bërë edhe më e ndërlikuar. Por pavarësisht nga kjo, njerëzit deshën të qëndronin në shtëpitë e tyre ose të ndërtonin një tendë pranë shtëpisë së tyre të shkatërruar. Ishin më mirë aty, sesa të zhvendoseshin dikund tjetër. Pamë mijëra tenda, njëra pas tjetrës, shpesh të përmbytura, të mbuluara me baltë. Pranë detit, në plazh, sheh mbeturina kudo".
Shenja normaliteti
Rrënojat janë të dhimbshme e kujtesë e vazhdueshme e pasojave të luftës. Frika mbetet në sytë e njerëzve, veçanërisht sepse armëpushimi shpesh shkelet. Por, vazhdon Imzot Shomali, që nga dita e armëpushimit, disa dyqane janë rihapur, një shenjë e vogël normaliteti: "Sigurisht, kur themi dyqan, nuk duhet të mendojmë për një supermarket; ato janë tenda të pajisura për shitjen e mallrave ose tezga të vogla, që shesin mollë, portokalle, banane dhe perime të ndryshme. Kjo nuk ishte e mundur gjatë konfliktit, kështu që njerëzit tani mund të bëjnë pazarin e tyre, me kusht që të kenë para për të blerë. Por kur mungon puna, mungojnë edhe paratë. Pastaj ka nga ata që po përpiqen të rindërtojnë me mjete të improvizuara, sigurisht, por nuk rrinë duarkryq. Të gjithë po përpiqen të rilindin"
Drama e Cisgiordanisë
Lidhur me atë që mungon, e edhe atë që nevojitet urgjentisht, Vikari i Përgjithshëm i Patriarkanës Latine të Jeruzalemit përqendrohet në kushtet shëndetësore të popullsisë së Gazës, por edhe të Bregut Perëndimor, territor tjetër palestinez i prekur nga konflikti. Më 22 dhjetor, Izraeli i dha dritën jeshile krijimit të 19 vendbanimeve të reja, gjë që Lidhja Arabe e dënoi si "sfidë të qartë ndaj vullnetit të bashkësisë ndërkombëtare kundër zgjerimit kolonial dhe shkelje e së drejtës ndërkombëtare". "Çka që mungon aktualisht - thekson ipeshkvi - janë spitalet funksionale e të mirëpajisura, po ne edhe në dy spitalet që vizituam, pamë mungesë të madhe ilaçesh, veçanërisht antibiotikësh, të cilët janë bërë një mall i rrallë. Vëmendja ka qenë prej kohësh në Gaza, por edhe në Bregun Perëndimor, territor tjetër palestinez, që vuajti shumë vitet e fundit. Sidomos në Bregun Perëndimor verior, në Jenin dhe Tulkarem, ka dy kampe refugjatësh që janë zbrazur dhe shkatërruar, duke strehuar 40,000 persona të zhvendosur. Mungesa e lejeve për të punuar në Izrael dhe mungesa e klientëve e mundësive të punës, shkaktojnë vështirësi dhe lënë qindra njerëz të papunë, e duke i katandisur kështu shumë familje në rrezik varfërie".
Prania e Kishës
"Është e nevojshme që edhe Kisha të mobilizohet për t’i ndihmuar familjet që nuk kanë të ardhura", shton Imzot Shomali. "Çdo famulli kishtare duhet të kujdeset edhe për të varfrit. E kur nuk mundet, i drejtohet Patriarkanës Latine të Jeruzalemit. Ne kemi një komitet ndihme humanitare për të paguar qiranë, faturat e spitalit, ilaçet, kuponat e ushqimit dhe tarifat e shkollës dhe të universitetit. Kur nuk ke para, ke nevojë për gjithçka; jeton në varfëri të vazhdueshme. Por paratë mungojnë edhe këtu. Që nga fillimi i luftës, ka pasur rikthim të shtegtimeve, të themi ndërmjet fundit të pandemisë Covid-19 dhe deri në vitin 2023. Pastaj gjithçka u ndal përsëri. Disa javë më parë, pati një shenjë të vogël kthimi nga disa grupe të vogla; të tjerët do të vijnë pas Pashkëve, ose para Pashkëve. Por tani për tani, hotelet e Betlehemit janë 85% bosh dhe punonjësit, në shtëpi pa pagesë.
Pastaj e pyetëm Imzot William Shomalin se si mund të bëhet, si mund t'ua shpallim lindjen e Shëlbuesit, Princit të Paqes, të gjithë këtyre popujve të ligështuar nga uria, lufta e të shkatërruar në dashuritë e tyre."Kur s’ka paqe" - pohon prelati - "mbetet shpresa se paqja do të vijë. Shpresa të jep forcë për të rindërtuar. E ne e kemi shpresë se paqja do të vijë, ndoshta jo menjëherë, jo nesër, as pas një muaji. Por ne e dimë se situatat që duken të pamundura - bëhen të mundura me hirin e Zotit. E kjo shpresë na mbush plot".