Kërko

Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriark Latin i Jerusalemit, në Gaza Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriark Latin i Jerusalemit, në Gaza

Gaza, Kard. Pizzaballa: bombat nuk e kanë shkatërruar dëshirën për rilindje

Në përfundim të vizitës së tij tre-ditore në Rripin e Gazës, kardinali Pierbattista Pizzaballa, patriarku latin i Jerusalemit, u tregon mediave të Vatikanit situatën e një popullsie të rraskapitur nga vite lufte. “Problemet janë ende të gjitha të pranishme. Duhet të rindërtohen shtëpi, shkolla, spitale. Popullsia jeton në varfëri ekstreme, mes kanalizimeve dhe mbeturinave, por, në të njëjtën kohë, ka dëshirën për të rindërtuar jetën e vet”.

R.SH. – Vatikan

“Pavarësisht gjithçkaje, në Gaza ka shenja shprese”. Kardinali Pierbattista Pizzaballa, patriarku latin i Jerusalemit, rrëfen vizitën e tij në Rripin e Gazës — e nisur më 19 dhjetor dhe që zgjati tre ditë — kur sytë e tij u kryqëzuan me ata të banorëve, të lodhur nga më shumë se dy vjet luftë. Dhe kur veshët e tij, dhe zemra e tij, dëgjuan zërin e burrave, grave dhe fëmijëve të cilëve u mungon gjithçka. Megjithatë, kardinali Pizzaballa, në një intervistë për mediat e Vatikanit, tregon se e ka prekur nga afër dëshirën e njerëzve për t’u kthyer në jetën e zakonshme: “Problemet janë ende të gjitha të pranishme e të mëdha. Duhet të rindërtohen shtëpi, shkolla, spitale. Popullsia jeton në varfëri ekstreme, mes kanalizimeve dhe mbeturinave, por, në të njëjtën kohë, ka dëshirën për të rindërtuar jetën e vet”. Një qetësi e thellë që kard. Pizzaballa e ka gjetur edhe në shikimin e fëmijëve, kur ata sollën në jetë skenën e gjallë të Krishtlindjes. Ishte një moment, kujton ai, që preku me butësi të gjithë të pranishmit. “Këtu Krishtlindja festohet pa kremtime të mëdha, përveç liturgjisë. Por ka vërtet shumë gëzim”.

Jo të braktisur

Ajo që patriarku Pizzaballa e percepton me qartësi të madhe është edhe fakti se në Gaza njerëzit nuk ndihen aspak të braktisur nga bota. “Pastaj duhet të dallojmë: një gjë është komuniteti politik, një tjetër shoqëria civile. Për këtë popullsi bota ka qenë e pranishme”. Duke reflektuar mbi atë se çfarë është vërtet paqja për Gazën, kardinali Pizzaballa thekson se ajo “përfaqëson një fjalë shumë kërkuese. Të flasësh për paqe në një kontekst që nuk e njeh atë mund të duket si një slogan. Por të mos keqkuptohem: ne e duam paqen, por, para së gjithash, duhet të krijojmë kushtet që ajo të vendoset në mënyrë reale, të fortë dhe të qëndrueshme. Për këtë duhet punuar tani, në mënyrë që zemrat të jenë vërtet gati për paqen”.

Të mos ikim

Kardinali Pizzaballa do të jetë në Betlehem për të kremtuar natën e Krishtlindjes dhe tashmë e ka në mendje mesazhin që do t’u drejtojë të gjithë të krishterëve: “Do t’u them se Jezusi hyri në histori kur historia ishte e papërsosur, ashtu si sot. E edhe ne nuk duhet të ikim nga historia jonë, nga realiteti ynë: duhet të hyjmë në të dhe, si Jezusi, të jemi ata që e ndryshojnë”. Në një konferencë shtypi të mbajtur në Jerusalem, një ditë pas vizitës së tij në Rripin e Gazës, kardinali Pizzaballa deshi t’i shpjegojë mbarë botës se, megjithëse uria tashmë është pothuajse e kapërcyer, janë ende të paktë banorët që mund të përballojnë blerjen e ushqimit: “Situata ekonomike është katastrofike. Ajo që më ka goditur është numri i lartë i fëmijëve që jetojnë në rrugë. Jemi të shqetësuar për të ardhmen e tyre”.

Angazhimi maksimal

Patriarkana Latine e Jerusalemit po angazhohet pa pushim jo vetëm për të rihapur shkollat, por edhe për t’iu përgjigjur të gjitha nevojave të tjera materiale dhe shpirtërore të popullsisë. “Si Kishë — ka thënë Pizzaballa — do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të rivendosur stabilitetin në Gaza. Duhet të jemi zëri i të gjithë të varfërve dhe i të gjithë atyre që vuajnë për shkak të luftës. Sigurisht, nuk mund të injorojmë atë që ka ndodhur dhe as të besojmë se paqja do të vijë nesër, por duhet të kalojmë nga një situatë kundërshtimi në një situatë konstruktive”.

23 dhjetor 2025, 17:02