2019.07.03 Fuga in Egitto Santa Famiglia di Nazareth

Fjala e Zotit e Familjes së Shenjtë

“Merre me vete fëmijën dhe nënën e tij e ik në Egjipt”. (Mt 2,13-15.19-23). Ka lindur Krishti fëmijë: dëshiron të thithë jetën, ndërsa rreth tij mbretërit përgatisin e përhapin vdekjen. Ungjilli i Mateut ((Mt 2,13-15.19-23) dëshmon se Fjala e Zotit jo vetëm që është bërë mish i brishtë prej fëmije, por është mish i kërcënuar, i rrethuar, i sulmuar, i ekspozuar ndaj të gjitha forcave të verbra që e bëjnë të angështuar jetën e njerëzve. Është Krishtlindja që vazhdon: është Zoti që mishërohet ende

R.SH. - Vatikan

Ja në takimin tonë me Fjalën e Zotit të solemnitetit të Familjes së Shenjtë. Gjendemi në kohën e Krishtlindjes e vazhdojmë të kundrojmë misterin e mishërimit të Zotit tonë Jezu Krishtit, vazhdojmë ta adhurojmë Zotin që ka dashur të lind në Familjen e Nazaretit për të na mësuar edhe ne po ato virtyte që lulëzuan në familjen e Jezusit. Pra, kjo festë na propozon si reflektim misterin e jetës së Jezu Krishtit.

Fjala e Zotit e Familjes së Shenjtë

Fjala e Zotit e Familjes së Shenjtë

Fjala e mishëruar e Hyjit depertoi, u vendos e hyri thellësisht e rrënjësisht në realitetin njerëzor duke marrë pjesë në të gjitha përmasat. Kështu kjo festë na përkujton edhe një herë se Familja është e mira më e çmueshme, se Familja është vlera më e shtrenjtë që njerëzimi ka e prandaj Jezusi, Maria e Jozefi janë shembuj për ne se si duhet të jetojmë në përkim e dashuri unitetin familjar.

Kremtimi i festës së Familjes së Shenjtë, në të dielën e parë pas Krishtlindjes, ka një domethënie shumë të qartë: Fjala e Zotit duke u mishëruar, ka dashur ta shenjtërojë natyrën njerëzore në të gjitha aspektet e saj, e mes këtyre aspekteve themelor është ai i familjes.

Tema e familjes është jashtëzakonisht aktuale edhe sot, e Fjala e Zotit, e kësaj feste, na tërheq vëmendjen e të të gjithëve, prindër e fëmijë ndaj vlerave njerëzore nga të cilat duhet të burojnë sjelljet dhe veprimet e mira e të drejta, në mënyrë që çdo familje të jetë e denjë të quhet Familje; vend i formimit të personit, vend i kultivimit dhe i rritjes e rrezatimit të vlerave njerëzore, shpirtërore, shoqërore, kulturore, kombëtare e botërore.

Ne nga një herë Familjen e Shenjtë e shikojmë me admirim e smirë të shenjtë duke menduar e konsideruar atë si familje të “privilegjuar” në krahasim me familjen tona të zakonshme. E kjo bëhet për ne një alibi i lehtë për të arsyetuar realitetin tonë familjar. Mirëpo, duke lexuar më vëmendje pjesën e Ungjillit të kësaj feste marrë nga Mateu, zbulojmë se as Familja e Shenjtë e Nazaretit nuk është kursyer e as ruajtur prej vështirësive që të gjithë ne kemi e përjetojmë. Jezusi jo vetëm që lind i varfër e larg prej vendit e tokës së tij, por qysh i vogël është refugjat, detyrohet të emigroj. Të qenurit të tij Bir i Zotit nuk e ka vënë në strehim e as ruajtur prej vështirësive e problemeve, madje ky fakt i ka shkaktuar probleme edhe më të mëdha e të reja.

Në të vërtetë Jezusi nuk emigron për shkaqe ekonomike apo për arsye të fatkeqësive natyrore apo nga lufta: emigrimi i tij nuk është llogaritje apo leverdi njerëzore e menduar e përgatitur. Është engjëlli që i tregon udhën për një sistemim të përkohshëm për ti shpëtuar persekutimit e vdekjes. E gjithnjë është engjëlli përherë emisar i Zotit, këshilltar i çmueshëm i shpirtit ai që e ndihmon Jozefin me familje të kthehet në vend të sigurt për Foshnjën Hyjnore. Pengesa e problemi është Herodi, vendimet dhe përcaktimet e tija çnjerëzore realizojnë profecitë. Ai urdhëron masakrën e fëmijëve të pafajshëm duke synuar asgjësimin e Foshnjës së Betlehemit. Po Familja e Shenjtë është “në udhëtim”, shpëton, e përjeton shtegtimin e fesë, zhvendoset në përkim me shenjat e Zotit.                                                                             

Edhe vet Jezusi ka qenë një fëmijë që i ka dëgjuar prindërit, të cilët e kanë edukuar, para së gjithash, me shembullin e tyre. Pra prej tyre, prej kësaj Familje shembullore e të Shenjtë, Jezusi mësoi se si t’i bindej vullnetit të Zotit Atë, por edhe se lidhja shpirtërore vlen më shumë se sa lidhja e gjakut. Po të shohim Ungjijtë, nuk gjejmë fjalime mbi familjen, por një ngjarje, që vlen shumë më tepër se çdo fjalë:

Zoti deshi të lindë e të rritet në një familje njerëzore. Në këtë mënyrë e ka shuguruar e shenjtëruar si rrugë të parë e të zakonshme për takimin e tij me njerëzimin. Në jetën e kaluar në Nazaret, Jezusi e ka nderuar Virgjërën Mari dhe Jozefin e drejtë, duke mbetur nën autoritetin e tyre për gjithë kohën e fëmijërisë dhe të adoleshencës. Në këtë mënyrë ka vënë në dukje vlerën primare të familjes në edukimin e personit. Kisha kërkon që çdo familje të marrë si shembull familjen e Nazaretit, duke i qëndruar forcave që duan ta shkatërrojnë dhe ta minojnë themelet e shenjtërinë e saj. 

                                                                                             Liturgjia e Fjalës                                    

Leximi i parë (Sir 3, 2-6.12-14 Vulgata e re 3, 3-7’14-17)

Kush e druan Zotin i do prindërit.

Lexim prej librit të Zanafillës

Zoti e nderon babain në fëmijë dhe e ka përforcuar të drejtën e nënës mbi fëmijë.  Kush e nderon babain, i shpërblen mëkatet, ruhet prej tyre dhe do t’i dëgjohet lutja kur e thotë. Ai që e nderon nënën, është porsi ai që grumbullon visare. Kush e nderon babain e vet, në fëmijë do të gjejë gëzim, dhe kur të lutet, lutja do t’i dëgjohet. Kush e nderon babain e vet, do të ketë jetë të gjatë, kush e dëgjon babain, ngushëllim do t’i sjellë nënës. Biro, kije kujdes babain e plakur, dhe mos e shqetëso gjatë jetës së tij.  Po edhe nëse dobësohet nga mendja, ji i butë me të, dhe mos e përbuz asnjëherë në jetën e tij. Sepse ndihma e dhënë babait kurrë nuk do të harrohet, sepse do të mbillet për shlyerje të mëkateve 17 e do të rritet për drejtësinë tënde, ditën e vështirësisë sate Zotit do t’i bjerë ndër mend për ty, e, si dielli e shkrin akullin, mëkatet e tua do të shkrihen. Fjala e Zotit!

Psalmi 128 (127)

Ref. JETA DHE BEKIMI NË FAMILJEN QË E DRUAN ZOTIN

Lum njeriu që e druan Zotin, që ecën udhëve të tija!

Do të ushqehesh prej punës së duarve të tua, i lumi ti, mirë do të kalosh! 

Gruaja jote: vresht plot fruta në dhomat e shtëpisë sate; djemtë e tu: pinjoj ulliri përreth tryezës sate! 4 Ja, se si bekohet njeriu që e druan Zotin! 5 Të bekoftë Zoti prej Sionit e pafsh lumturinë e Jerusalemit në të gjitha ditët e jetës sate!

Leximi i dytë (Kol 3, 12-21)

Jeta e familjare e krishterë, sipas urdhrit të dashurisë.

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve

Vëllezër, Vishuni, pra, pasi jeni të zgjedhurit e Hyjit, shenjtër e të dashur me zemër të dhimbshme, me mirësi, me përvujtëri, me butësi, me duresë. Durojeni njëri-tjetrin dhe faleni njëri-tjetrin në qoftë se ndokush ka ndonjë ankim kundër tjetrit. Sikurse Zoti ju fali ju, po ashtu bëni edhe ju! E pastaj, përmbi të gjitha vishuni me dashurinë! Ajo i mban së bashku të gjitha virtytet. Paqja e Krishtit mbretëroftë në zemrat tuaja - në të cilën edhe jeni të grishur të jeni të gjithë një Trup i vetëm. Dhe jini mirënjohës! Fjala e Krishtit banoftë në ju me tërë begatinë e vet! Mësoni çdo dije dhe këshillojeni njëri-tjetrin me plot urti! Këndojini lavde Hyjit me gjithë zemër me psalme, himne dhe këngë të përshpirtshme!Çkado që të thoni dhe të bëni, le të jetë në nder të Emrit të Jezusit Zot, duke falënderuar me anë të Tij Hyjin Atë. Ju gra, dëgjojini burrat tuaj ashtu si ka hije në Zotin.  Ju burra, duajini gratë tuaja dhe mos jini me to të vrazhdët! Ju fëmijë, dëgjojini prindërit në gjithçka, sepse kjo gjë i pëlqen Zotit. Ju etër, mos i tutukatni fëmijët tuaj që të mos e humbin guximin. Fjala e Zotit!

Aleluja! Paqja e Krishtit mbretëroftë në zemrat! Fjala e Krishtit banoftë në ju me tërë begatinë e vet! (Kol 3, 15-16) Aleluja

 

Ungjilli (Mt 2, 13-15.19-23) Fëmija rritej, forcohej e merrte fuqi përplot me urti.

Leximi i ungjillit shenjt sipas Mateut

Në atë kohë, pasi që u nisën Dijetarët, ja se, engjëlli i Zotit iu dëftua në ëndërr Jozefit e i tha: Çohu, merre fëmijën dhe të ëmën e tij e ik në Egjipt. Rri atje derisa të them unë, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë. Ky u çua, natën e mori fëmijën dhe të ëmën e tij e shkoi në Egjipt. Banoi atje derisa vdiq Herodi që të plotësohej fjala e Zotit e thënë me gojë të profetit: Nga Egjipti e thirra Birin tim. Kur vdiq Herodi, engjëlli i Zotit iu duk në ëndërr Jozefit në Egjipt dhe i tha: Çohu, merre fëmijën dhe të ëmën e tij e shko në dhe të Izraelit, sepse vdiqën ata që kërkonin t’ia merrnin jetën djalit”. Atëherë ai u çua, mori fëmijën e të ëmën e tij dhe shkoi në dhe të Izraelit. Por, si mori vesh se në Jude mbretëronte Arkelau në vend të Herodit, të atit, pati frikë të shkojë atje; dhe i mësuar në ëndërr prej Hyjit, shkoi në krahinën e Galilesë.  Si arriti atje, zuri vend në një qytet që quhet Nazaret, për t’u plotësuar fjala që thanë profetët: Do të quhet Nazarenas. Fjala e Zotit!

 

27 dhjetor 2025, 09:04