2018.11.29 Corona di Avvento, candela

Fjala e Zotit e Dielës së 4-të të kohës së Ardhjes 'A'

Liturgjia e Fjalës së Zotit, me këtë të diele të fundit të Ardhjes, në pragun e Krishtlindjes, merr trajtën e një udhëtari që hap pas hapi i jep zemër vetvetes për t’ia mbërrijë cakut ku dëshiron të mbërrijë, do të thotë deri te Shpella e Betlehemit e jetës sonë konkrete, sepse pikërisht në jetën njerëzore konkrete e të përditshme, Ungjilli dhe Kisha na thërrasin ta gjejmë, ta pranojmë dhe të takohemi me Foshnjën Hyjnore, me Zotin e Mishëruar, me Jezu Krishtin, që vjen në historinë tonë konkrete

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotin të së dielës, kësaj herët meditojmë leximet biblike të dielës së 4-të të kohës së Ardhjes, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik.

Fjala e Zotit e Dielës IV të Kohës së Ardhjes

Fjala e Zotit e Dielës IV të Kohës së Ardhjes

Fjala e Zotit, me këtë të diele të fundit të kohës së Ardhjes, në pragun e Krishtlindjes, merr trajtën e një udhëtari që hap pas hapi i jep zemër vetvetes për t’ia mbërrijë cakut ku dëshiron të mbërrijë, do të thotë deri te Shpella e Betlehemit e jetës sonë konkrete, sepse pikërisht në jetën njerëzore konkrete e të përditshme, Ungjilli dhe Kisha na thërrasin ta gjejmë, ta pranojmë dhe të takohemi me Foshnjën Hyjnore Jezus, me Zotin e Mishëruar, me Jezu Krishtin, që vjen në historinë tonë konkrete.

Shën Jozefi është shembull i njeriut, që ka besim të plotë në planin e Zotit për shëlbimin e njerëzve. Figura e atit të kujtuar të Jezusit është në qendër të Ungjillit të kësaj së Diele të 4-të të kohës së Ardhjes. Shqetësimi i jashtëzakonshëm i një njeriu të ekuilibruar e thellësisht të drejtë dhe prekja hyjnore, që ia rikthen qetësinë e humbur, duke i shpjeguar se çka dukej si tradhti personale, ishte misteri i shëlbimit universal: këto janë dy ndjesitë kryesore që, njëra pas tjetrës, pushtuan zemrën e Shën Jozefit, para e pas zbulesës së Engjëllit të Zotit. E ishte pikërisht Engjëlli ai, që do t’i kumtonte se e fejuara e tij, Maria, do të lindte një fëmijë, i cili qe paracaktuar të shpëtonte popullin e vet nga mëkatet.

Shën Mateu na tregon si ndodhi lindja e Jezusit, duke e parë në këndvështrimin e Shën Jozefit e duke na rrëfyer sesi hoqi dorë nga mendimi për ta ndarë Marinë, kur Zoti ia hapi sytë për të shikuar në të, veprën e Hyjit. E pikërisht nga shembulli i Shën Jozefit, pajtor qiellor i Kishës universale, duhet të mësojmë që jeta jonë të shkrihet gjithnjë më shumë me Vetjen e Jezusit, pikërisht sepse Ai, që është Fjala, mishërohet, vjen nga Zoti si njeri e tërheq pas vetes gjithë ekzistencën njerëzore, duke e çuar brenda Fjalës së Zotit.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës IV të Kohës së Ardhjes, pra, na sjell lajmin e madh, që i dha Engjëlli Tënzot Marisë. Fragmenti i Ungjillit nga Mateu, në mënyrë të veçantë, na kujton rëndësinë e virgjërisë së Zojës së Bekuar. Në sfondin e këtij çasti mahnitës në Nazaret, është profecia e Izaisë: “Ja, Virgjëra do të zërë në kraharor e do të lindë një djalë, që do ta quajë Emanuel”. Ky premtim i lashtë u përmbush plotësisht me Mishërimin e Birit të Zotit.

Virgjëra Mari jo vetëm që u zu, por u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt, domethënë, për hir të vetë Zotit. Qenia njerëzore, që nis të jetojë në kraharorin e saj, merr mish e gjak nga Maria, por ekzistenca e tij, zë fill nga vetë Hyji. Është plotësisht njeri, i bërë prej dheu, për të përdorur simbolin biblik, por i ardhur nga lart, nga Qielli.

E, për ta njohur Jezusin, virgjëria e Marisë është themelore, dëshmon se nisma ishte e Hyjit e sidomos, tregon kush është foshnja e zënë. Por Ungjilli nënvizon edhe një aspekt tjetër, thjeshtësinë, e sidomos, urtinë e Virgjërës e cila, ndonëse shumë e turbulluar, dëshiron ta njohë më mirë vullnetin e Hyjit, pa dyshuar kurrë në gjithëpushtetin e Tij.  Kush beson me gjithë shpirt në dashurinë e Zotit, pranon në zemër Jezusin, jetën e tij hyjnore, për virtyt të Shpirtit Shenjt.

                                                LITURGJIA E FJALËS

Leximi i pare (Is 7, 10-14)

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Përsëri Zoti iu drejtua Akazit e i tha: “Kërkoje prej Zotit, Hyjit tënd, një shenjë të mrekullueshme për ty, qoftë në thellësinë e Nëntokës qoftë në lartësinë në qiell.”
Akazi u përgjigj: “Jo, s’do të kërkoj as s’do ta vë Zotin në provë!”
Atëherë Isaia tha: “Dëgjo, pra, shtëpia e Davidit: A thua pak ju duket t’ua mërzitni njerëzve e tani doni ta mërzitni edhe Hyjin tim? Prandaj, vetë Zoti do t’ju japë një shenjë të mrekullueshme. Ja, virgjëra do të ngjizë e do të lindë një djalë e për me emër do ta quajë Emanuel!” Fjala e Zotit.

Psalmi 24 (23)
Ref: Ja, po vjen Zoti, mbreti i lavdisë.

_______________

E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka,
rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.
Ai vetë e themeloi mbi dete,
dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.
_____________________________

Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit
e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër,
ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi,
ai që nuk betohet në rrenë.
_____________________________

Ky do ta marrë bekimin prej Zotit,
shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.
E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin,
e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.
_____________________________

Lartësohuni, o dyer të amshueshme,
që të hyjë Mbreti i lavdisë”!
Kush është ky Mbreti i lavdisë?
Ai, Zoti i Ushtrive,
ai vetë është Mbreti i lavdisë”!
_____________________________

Leximi i dytë (Rom 1, 1-17)

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Pali, shërbëtori i Jezu Krishtit, i thirrur për të qenë apostull, veçanërisht i caktuar për të kumtuar Ungjillin e Hyjit - të cilin Hyji e kishte premtuar që më parë me anë të profetëve të vet në Shkrimet e Shenjta mbi Birin e vet, i cili është, për kah trupi, pasardhës i Davidit, por i dëftuar për Birin e Hyjit me të gjitha pushtetet me anë të Shpirtit Shenjt pas ngjalljes prej të vdekurve, mbi Jezu Krishtin, Zotin tonë, nëpër të cilin ne morëm hirin të jemi apostuj, që, në nder të Emrit të tij, t’i sjellim në dëgjesë të fesë të gjithë paganët, ndër të cilët jeni edhe ju të grishur prej Jezu Krishtit: të gjithëve në Romë, të dashurve të Hyjit, të grishurve, shenjtërve: Hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Jezu Krishtit Zot. Fjala e Zotit!

ALELUJA, Aleluja.

Qe, Virgjëra do të mbesë shtatzënë e do të lindë një djalë,
të cilit do t’ia ngjisin emrin Emanuel
– që do të thotë: Hyji me ne!
Aleluja.

Ungjilli (Mt 1, 18-24)

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Lindja e Jezu Krishtit ndodhi kështu: Maria, nëna e tij, pasi u fejua me Jozefin, para se të banonin së bashku, u gjend shtatzënë për virtyt të Shpirtit Shenjt. Tashti Jozefi, i fejuari i saj, pasi ishte njeri i drejtë e nuk donte ta çnderonte botërisht, mendoi ta linte fshehtazi. Posa në mendjen e vet vendosi të bëjë kështu, ja, iu duk në ëndërr engjëlli i Zotit dhe i tha: “Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt. Ajo do të lindë djalë e ti ngjitja emrin Jezus, sepse Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tij.”
E gjithë kjo ndodhi që të shkonte në vend fjala e Zotit e thënë nëpërmjet profetit: “Ja, Virgjëra do të mbesë shtatzënë e do të lindë një djalë, të cilit do t’ia ngjesin emrin Emanuel - që do të thotë: Hyji me ne!”
Jozefi, si u zgjua nga gjumi, bëri siç i urdhëroi engjëlli i Zotit: e mori në shtëpi të fejuarën e vet. Fjala e Zotit.

Homelia nga dom Dritan Ndoci

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

E DIELA IV E ARDHJES: JEZUSI ËSHTË “HYJI ME NE”.

Is 7, 10-14; Ps 24 (23); Rom 1, 1-7; Mt 1, 18-24

Shkrimi Shenjt sot hapet me një profeci mjaft të njohur të Isaisë profet. Para se të thotë këtë profeci, njeriu i Hyjit i drejtohet mbretit Akaz duke i thënë se mbreti tani kishte leje prej Zotit që të kërkonte prej Tij «një shenjë të mrekullueshme, qoftë në thellësinë e Nëntokës, qoftë në lartësinë e qiellit».

Në fakt, shenjat e mëdha, apo dhuntitë e mëdha, duhet të kemi shumë kujdes t’i lypim. Kisha na mëson se nuk është gjë e kujdesshme t’i lypësh Zotit karizma të mëdha. Nëse është plani i Tij, Ai i jep vetë ato, kujt do Ai vetë, duke i dhënë edhe Hirin që t’i mbarështojë me kujdes.

Por në këtë rast, mbreti Akaz ishte i ftuar nga vetë Zoti që ta lypte një shenjë të madhe, e cila do të ishte si garancia e shpëtimit për popullin e Hyjit. E prandaj mbreti tashmë ishte i detyruar ta kërkonte një shenjë të tillë.

Por çfarë ndodhi? Mbreti refuzoi: «Jo, s’do ta kërkoj, as s’do ta vë Zotin në provë!» Dredharak e egoist siç ishte ky njeri, tregon në këtë rast një përvujtëri të rreme. Në të vërtetë ai jo se nuk kishte dëshirë të mos e vinte Zotin në provë, por donte të vazhdonte planet e veta dashakeqe që tashmë kishte filluar t’i realizonte në Izrael. Kishte ndër mend të ndërmerrte luftra e politika mjaft të këqija dhe e dinte se, po t’i drejtohej Zotit, Ai do t’i kërkonte pikësëpari të hiqte dora nga ato plane e t’i hapej planeve dashamire të Hyjit.

Mbreti në Izrael duhej të ishte përfaqësuesi i Hyjit për këtë popull. Thjesht përfaqësues e jo udhëheqës, sepse vetëm Hyji (e Besëlidhja e Vjetër e thotë qartë) është udhëheqësi dhe Mbreti i vërtetë i Izraelit. Por Akazi mbret nuk ishte më në kujdes që ta realizonte këtë thirrje të tijën.

Prandaj Isaia profet zemërohet e thotë: «Dëgjo, pra, shtëpia e Davidit: A thua pak ju duket t’u bëni mërzi njerëzve e tash doni ta mërzitni edhe Hyjin tim?» Mbreti po bënte vazhdimisht padrejtësi në popull e tani haptas po i kthente shpinën edhe Hyjit.

«Prandaj, – vazhdon profeti, – vetë Zoti do t’ju japë një shenjë të mrekullueshme.» Hyji gjithsesi nuk heq dorë nga plani i Tij shëlbim­prurës për popullin e vet. E këtu Isaia thotë atë profecinë e famshme: «Ja, virgjëra do të ngjizë e do të lindë një djalë e për emër do ta quajë Emanuel!» Një profeci shumë e qartë për ne të krishterët, por tejet e komplikuar për Izraelin para Krishtit.

«Virgjëra do të ngjizë.»: tregon se do të ndodhë një ngjizje shumë e “çuditshme”. Ndërkohë që kjo vajzë do të vazhdojë të mbetet e virgjër, ajo do të gjendet shtatzënë. Për ne të krishterët është e qartë përgjigjja: Maria do të ngjizte për virtyt të Shpirtit Shenjt, por, para se kjo të realizohej, askush nuk arrinte ta kuptonte se si do të ndodhte.

Pastaj ky fëmijë do të quhej Emanuel, që do të thotë “Hyji me ne”. Ky fëmijë nuk do të jetë thjesht një profet; nuk do të jetë një njeri që do ta afrojë popullin kah Hyji, apo që do të flasë për Hyjin, por do të jetë vetë “Hyji me ne”. A mund ta imagjinonte Izraeli se Hyji do të bëhej njeri? Jo.

Prandaj kjo profeci kaq e errët për Izraelin, do të jetë njëkohësisht edhe më madhështorja: vetë Hyji tregoi planin e Tij për të ardhur në mesin e popullit të vet në një mënyrë siç nuk kishte ardhur kurrë më parë, aq sa të bëhej edhe ai vetë njeri.

Citimin e kësaj profecie e gjejmë sot në Ungjill. Kur Shën Jozefi, me të drejtë, fillon të ketë dyshimet e veta rreth shtatzanisë së Marisë, engjëlli i Zotit i shfaqet në ëndërr për ta qartësuar e i thotë: «Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt.» Njëkohësisht i thotë edhe diçka tjetër: «Ajo do të lindë djalë e ti ngjitja emrin Jezus, sepse Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tij.» I tregon, pra, edhe emrin që duhet të ketë ky fëmijë: Jezus.

Po, përse Jezus e jo Emanuel, siç thoshte profecia? Jezus (në hebraisht Joeshua), do të thotë “Hyji-shpëton”. Kjo do të thotë se profecia e Isaisë nuk kishte për qëllim të tregonte emrin me të cilin do të thirrej ky fëmijë, por se kush do të ishte Personi i tij. Personi i Tij do të ishte ai i Birit të Hyjit, Hyj edhe Ai vetë. Prandaj, këtë fëmijë, po deshën, le ta thërrasin edhe Gjon, Mark, apo ku e di se si, por kjo gjë nuk e ndryshon Personin e Tij Hyjnor: Ai është Hyj. Emrin «Jezus» e gjejmë edhe diku tjetër në Besëlidhjen e Vjetër, ngaqë përdorej shpesh.

Por, nga ana tjetër, e dimë se, në gjestet e Hyjit, asgjë nuk është rastësi: fakti që këtë fëmijë engjëlli thotë se duhej ta thërrisnin Jezus (“Hyji-shpëton”), tregon misionin që ky Fëmijë Hyjnor do të kishte në botë: Shpëtimin tonë. Do të thotë se, pikërisht ngaqë ky Fëmijë është Hyji me ne, do të ishte në gjendje të bëhej edhe Shpëtimtari ynë. Vetëm Hyji mund të na shpëtojë. Emanuel, pra, tregon Perso­nin, ndërsa Jezus tregon misionin. Prandaj Ungjilltari nuk druhet të pohojë menjëherë se pikërisht ashtu po realizohej profecia e Isaisë që e dëgjuam në leximin e parë: «E gjithë kjo ngjau që të shkonte në vend fjala e Zotit e thënë nëpër profetin: “Qè, Virgjëra do të mbesë shtatzënë e do të lindë një djalë, të cilit do t’ia ngjesin emrin Emanuel, që do të thotë: Hyji me ne!”»

Por ka edhe diçka tjetër që nuk duhet të na kalojë pa u vënë re në Ungjillin e sotëm: figura e madhe e Shën Jozefit. Pas Virgjërës Mari, ai e gjen veten të përfshirë në mënyrën më të veçantë në këtë ngjarje. Por, duke qenë edhe ai njeri i fesë, arriti ta pranonte me dashamirësi planin e mistershëm të Zotit që po realizohej para syve të tij.

Ka një detaj që patjetër bën përshtypje në pjesën e sotme ungjillore. Ungjilltari thotë se, kur Jozefi mori vesh për shtatzaninë e Marisë, vendosi të ndahet prej saj. Por, këtë dramë të fortë shpirtërore të këtij njeriu, Shën Mateu ungjilltar na e përshkruan me këto fjalë: «Tashti Jozefi, i fejuari i saj, pasi ishte njeri i drejtë e nuk donte ta publikonte çështjen, mendoi ta lëshojë fshehtazi.» «Pasi ishte njeri i drejtë!»: Neve mbase na vjen spontane të mendojmë të kundërtën. Imagjinoni një situtë të tillë në ditët e sotme. Sikur e fejuara e dikujt të gjendej shtatëzënë me një tjetër (Jozefi mendonte pikërisht kështu), vështirë se nuk do të mendonte që, ngaqë mbahet si i drejtë e nuk do t’ia kishte bërë kujt një tradhti të tillë, atëherë i ka të gjitha të drejtat që t’i bëjë keq sa të mundet e si të mundet palës tradhëtuese. Shpesh bëhen realisht krime, në emër të ndershmërisë. Madje edhe shoqëria e gjërë këto lloj krimesh nuk i dënon fort lehtë, por shpesh i lëvdon. Por kujdes sepse, siç e thotë me të drejtë edhe një uratë e vjetër e jona: «Vrasësin kush për vrasë lëvdon, fjalët e djallit qet e këndon.»

Por, kjo lloj drejtësie nuk është drejtësi, por hakmarrje. Drejtësia është tjetër gjë. Drejtësia është të zgjedhësh gjithnjë të bësh të mirën e kurrë të keqen ndaj Zotit, ndaj tjetrit e ndaj vetes, pavarësisht sa të shtyjnë situatat e jetës. Është e drejtë që gjithnjë të veprojmë drejt.

Jozefi, pikërisht ngaqë ishte i drejtë, nuk donte t’i shkaktonte të keqen askujt, sado që tjetri mund ta meritonte atë. Nuk donte që, së keqes, t’i përgjigjej me një të keqe tjetër. Sa shumë ka bota për të mësuar nga Shën Jozefi!

Në Besëlidhjen e Vjetër, në fakt, për të treguar se Hyji është i mëshirshëm, shpesh ndodhte që termi mëshirë dhe drejtësi, të përdoreshin për të njëjtim kuptim. Jozefi mishëron në jetën e vet këtë mëshirë-drejtësi të Hyjit. Edhe pa e takuar ende Krishtin, ai do ta praktikonte me zemërgjerësi atë që Krishti do të predikonte më vonë: «Duani edhe armitë tuaj!» E Maria, për një çast, në mënyrë të habitshme, i dukej pikërisht armike. Sa shumë i mëson Kishës ky njeri kaq fisnik në shpirt! Prandaj Papa Françesku e ka shpallur Shën Jozefin Pajtor të Kishës së Gjithëmbarshme dhe ka dashur që emri i tij i lum të përmendej në lutjet eukaristike gjatë Meshës së Shenjtë, pikërisht ngaqë Kisha ka shumë për të mësuar nga ai dhe mund të shpresojë ngultas gjithnjë te ndërmjetësia e tij e fuqishme para Hyjit në lumninë e Parrizit.

Por, pa ndihmën e Hirit Hyjnor, as Jozefi nuk do të kishte qenë i aftë ta plotësonte misionin e tij. Prandaj, ngaqë ai vërtet nuk arrinte t’i kuptonte më shumë këto veprime të mistershme të Hyjit, nevojitej edhe ndërhyrja e një engjëlli, pikërisht si në rastin e Abrahamit kur ky ishte gati të sakrifikonte djalin e vet, por një engjëll ia ndaloi.

Ta imitojmë edhe ne këtë mëshirë-drejtësi të Jozefit e, me ndërmjetësinë e tij dhe të fatit të tij Tejet të pastër, Marisë, do të dimë edhe ne ta presim ardhjen e Jezusit, “Hyjit me ne”, në jetën tonë.

Tashmë jemi edhe brenda Nëntëditëshit të Krishtlindjes: kështu jemi të ndihmuar edhe më shumë që ta kundrojmë bukurinë e kësaj ardhjeje të përvujtë të Birit të Hyjit në mesin tonë.

Dom Dritan Ndoci

20 dhjetor 2025, 10:30