Kritikat e COMEC-së ndaj Gjykatës së Bashkimit Evropian për martesat homoseksuale Kritikat e COMEC-së ndaj Gjykatës së Bashkimit Evropian për martesat homoseksuale

Comece në BE: martesa është ndërmjet një burri dhe një gruaje

Kritikat e COMEC-së ndaj Gjykatës së Bashkimit Evropian për martesat homoseksuale. Ipeshkvijtë evropianë kritikojnë hapur vendimin e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian lidhur me njohjen e bashkimeve ndërmjet personave të së njëjtës gjini. Do të ketë ndikim në sigurinë juridike, mund të sjellë “zhvillime negative në fusha të tjera të ndjeshme” duke hapur rrugën për “qasje të ngjashme juridike në të ardhmen në fushën e shtatzënisë për të tjerët”.

R.SH. – Vatikan

Një vendim që duket se e shtyn jurisprudencën përtej kompetencave të Bashkimit Evropian dhe që mund të ketë “ndikim në sistemet juridike kombëtare në fushën e të drejtës familjare” dhe të “ushtrojë presione që ato të ndryshohen”, duke krijuar një konvergencë të efekteve të së drejtës martesore megjithëse BE-ja nuk ka asnjë mandat për të harmonizuar të drejtën e familjes. Komisioni i Konferencave Ipeshkvore të Bashkimit Evropian (Comece) ndërhyri sot, më 9 dhjetor, me një deklaratë të presidencës, lidhur me vendimin e fundit të Gjykatës së Drejtësisë së BE-së mbi njohjen e martesave ndërmjet personave të së njëjtës gjini midis shteteve anëtare. Vendim, shkruajnë ipeshkvijtë BE-së, që mund të ketë “ndikim në sigurinë juridike” dhe të sjellë “zhvillime negative në fusha të tjera të ndjeshme”, duke hapur rrugën për “qasje të ngjashme juridike në të ardhmen në çështjen e amësisë surrogate”.

Vendimi i Bashkimit Evropian

Në qendër të çështjes është rasti Wojewoda Mazowiecki (C-713/23). Në vitin 2018 dy qytetarë polakë banues në Gjermani, njëri prej të cilëve edhe me shtetësi gjermane, u martuan në Berlin. Duke dashur të zhvendosen në Poloni si çift i martuar, ata kërkuan që akti i tyre i martesës i hartuar në Gjermani të transkriptohej në regjistrin civil polak në mënyrë që të njihej. Kërkesa u refuzua pasi ligji polak nuk e lejon martesën ndërmjet personave të së njëjtës gjini. Çështja arriti në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së, e cila, me vendimin e 25 nëntorit të kaluar, vendosi se, megjithëse rregullat që lidhen me martesën janë kompetencë e shteteve anëtare, këto të fundit janë të detyruara të respektojnë të drejtën e BE-së në ushtrimin e kësaj kompetence.

Refuzimi për të njohur një martesë midis dy shtetasve të së njëjtës gjini, të lidhur ligjërisht në një shtet tjetër anëtar të BE-së ku ata ushtruan lirinë e qarkullimit dhe qëndrimit, mund të shkaktojë – sipas gjyqtarëve – shqetësime të mëdha administrative, profesionale dhe private, duke i detyruar bashkëshortët të jetojnë si persona të pamartuar në shtetin e tyre të origjinës. Për këtë arsye, Gjykata konsideron se ky refuzim është në kundërshtim me të drejtën e BE-së. Megjithatë, gjyqtarët e Bashkimit Evropian sqarojnë se detyrimi i njohjes nuk e imponon shtetin anëtar të parashikojë në të drejtën e tij kombëtare martesën ndërmjet personave të së njëjtës gjini, por vetëm të lehtësojë procedurat e lidhura me këtë njohje. Si rrjedhojë, pasi transkriptimi është e vetmja mënyrë e parashikuar nga e drejta polake që një martesë e lidhur në një shtet tjetër anëtar BE-së të njihet efektivisht nga autoritetet administrative, Polonia – përfundojnë ata – është e detyruar ta zbatojë këtë procedurë pa dallim si për martesat midis personave të së njëjtës gjini, ashtu edhe për ato midis personave të gjinive të kundërta.

Ipeshkvijtë: martesa është mes një burri dhe një gruaje

Vërejtjet e shprehura nga Komisioni i Konferencave Ipeshkvore të Bashkimit Evropian (Comece) në deklaratën e saj “janë të rrënjosura në vizionin antropologjik të Kishës, të bazuar në ligjin natyror, të martesës si bashkim ndërmjet një burri dhe një gruaje”. Duke respektuar rolin e gjyqësorit të BE-së, ipeshkvijtë ndjenë detyrimin të komentojnë disa aspekte të vendimit, “duke vënë në dukje me shqetësim ndikimin e tij mbi çështjet që janë në thelb kompetencë kombëtare”. Tema e së drejtës familjare, që ka pasoja ndërkufitare, duhet të ndjekë “një qasje të matur e të kujdesshme” dhe të “shmangë ndikimet e pajustifikueshme mbi sistemet juridike kombëtare”. Vendimi i 25 nëntorit, në vend të kësaj, “duket se e shtyn jurisprudencën përtej kufijve të kompetencave të BE-së”.

Komisioni i ipeshkvijve të BE-së kujton se neni 9 i Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian përcakton se “e drejta për t’u martuar dhe e drejta për të krijuar një familje garantohet sipas ligjeve kombëtare që rregullojnë ushtrimin e tyre”. Martesa, e cila në shumë sisteme juridike të shteteve anëtare, përkufizohet si bashkimi ndërmjet një burri dhe një gruaje. Gjykata pranon se detyrimi i afirmuar në vendimin e saj “nuk cenon institutin e martesës në shtetin anëtar të origjinës, që përcaktohet nga e drejta kombëtare”, dhe konfirmon se “rregullat që lidhen me martesën u përkasin kompetencave të shteteve anëtare dhe e drejta e Unionit nuk mund të cenojë këtë kompetencë”. Shtetet anëtare “janë pra të lira të parashikojnë e vendosin ose jo, në të drejtën e tyre kombëtare, martesën për persona të së njëjtës gjini”.

Megjithatë – dhe këtu lindin shqetësimet e ipeshkvijve – Gjykata e Drejtësisë “e ngushton rreptësisht kuptimin e kësaj deklarate duke nënvizuar se, në ushtrimin e kësaj kompetence, çdo shtet anëtar duhet të respektojë të drejtën e BE-së, veçanërisht dispozitat e traktateve mbi lirinë e qytetarëve për të qarkulluar dhe qëndruar në territorin e shteteve anëtare”. Një pozicionim që rrezikon të varfërojë kuptimin e nenit 9 të Kartës së të Drejtave Themelore, duke lënë në plan të dytë “identitetet kombëtare” të shteteve anëtare, në këtë rast në lidhje me përkufizimin e martesës. Shtete, të cilat – përfundon Comece – “nuk do të jenë në gjendje të përcaktojnë qartë cilat pjesë të së drejtës së tyre familjare do të mbeten në kompetencën e tyre”.

09 dhjetor 2025, 18:26