Çelësi i fjalëve të Kishës: iniciativa private dhe sipërmarrja
R.SH. – Vatikan
Në vijim të ciklit kushtuar Doktrinës Shoqërore të Kishës, marrim sot në shqyrtim disa aspekte, që kanë të bëjnë me iniciativën private dhe sipërmarrjen. Kujtojmë se Kisha Katolike as e demonizon dhe as e ngre në piedistal pronën private, e cila është dhe duhet të jetë në shërbim të njeriut e të shoqërisë, siç shpjeguam në emisionet e kaluara. Në një kohë kur ekonomia globale vrapon më shpejt se bashkësitë, të cilave duhet t’u shërbejë, Doktrina Shoqërore e Kishës kujton vazhdimisht se motori i vërtetë i zhvillimit është njeriu - një individ i lirë, krijues dhe përgjegjës. Në mësimin e saj, liria ekonomike nuk është privilegj për pak veta, por një e drejtë themelore: “Çdo njeri gëzon të drejtën e nismës ekonomike; çdo njeri duhet t’i përdorë ligjshmërisht talentet e veta që të bashkëpunojë për një begati, të cilën mund ta shijojnë të gjithë, duke marrë shpërblimin e duhur për përpjekjet e veta” (Katekizmi i Kishës Katolike, 2429). Kjo liri, nëse mohohet, mund ta mbytë "shpirtin e iniciativës, domethënë subjektivitetin krijues të shtetasit", siç nënvizonte Papa shenjt Gjon Pali II në enciklikën “Sollicitudo rei socialis” (15).
"Pasuria kryesore e njeriut... është vetë njeriu"
Pra, për Kishën, iniciativa ekonomike nuk ka të bëjë thjesht me prodhimin e mallrave e të shërbimeve, por është një akt thellësisht njerëzor, që nxjerr në pah aftësinë për të krijuar, për të marrë përsipër rreziqe dhe për të sjellë risi në botë. Nuk është rastësi që puna njerëzore përcaktohet si "burimi i pasurisë në shoqërinë e sotme" dhe në bazën e saj ka një bindje të thellë: "pasuria kryesore e njeriut... është vetë njeriu" (Gjon Pali II, enc. Centesimus annus, 32).
Në këtë skenar, sipërmarrja paraqitet si vend ku ndërthuren ekonomia dhe shoqëria. Qëllimi i saj, kujtojnë dokumentet e magjisterit papnor e kishtar, është t'i shërbejë së mirës së përbashkët, duke prodhuar mallra dhe shërbime të dobishme, por edhe mundësi për bashkëpunim dhe zhvillim. Pikërisht kështu merr formë ideja e një kompanie apo e një ndërmarrjeje, që nuk është thjesht “shoqëri kapitalesh”, por "shoqëri njerëzish", në gjendje të krijojë pasuri jo vetëm për pronarët, por për të gjitha palët e përfshira në të.
Ndërmarrja ideale harmonizon fitimin me dinjitetin njerëzor
Sipas Doktrinës Shoqërore të Kishës, ndërmarrja ideale është një bashkësi solidare, që harmonizon fitimin me dinjitetin njerëzor. E ky fitim duhet të jetë "i drejtë", vërtet tregues i efikasitetit, por kurrë absolut: llogaritë mund të jenë në rregull e megjithatë, njerëzit - "pasuria më e çmuar e kompanisë" - mund të ndihen të parespektuar, gjë që sjell pasoja negative për vetë rendimentin e ndërmarrjes. Prandaj, etika nuk është ndonjë opsion a dëshirë e mirë e pronarit, por kusht i nevojshëm dhe i domosdoshëm për një ekonomi, që nuk e tradhton vetveten. Një shembull shumë i rëndësishëm dhe domethënës në këtë drejtim vjen nga veprimtaria që mund t’u referohet sipërmarrjeve kooperativiste, sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ndërmarrjeve artizanale dhe atyre bujqësore me përmasë familjare.
Kritika kundër fajdes
Në dokumentet e magjisterit nuk mungojnë fjalë të ashpra kundër atyre, që shfrytëzojnë të tjerët. “Të gjithë ata që në tregti përdorin praktika fajdesh me interesa të padrejta dhe tregtare që shkaktojnë urinë dhe vdekjen e vëllezërve të tyre, vëllezër për faktin se janë njerëz sikurse edhe ata, kryejnë në mënyrë jo të drejtpërdrejtë një vrasje për të cilën janë përgjegjës”, thuhet në Katekizmin e Kishës Katolike (2269). Ky paralajmërim vlen jo vetëm për individët privatë, por edhe për marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare, ku praktikat abuzive financiare mund të bëhen një formë e re shtypjeje e shfrytëzimi.
Përgjegjësia e sipërmarrësve dhe e drejtuesve
Në botën e sotme tejet të ndërlidhur, bizneseve u besohet një përgjegjësi gjithnjë e më e madhe. Zhvillimi, nënvizohet në enciklikën “Sollicitudo rei socialis” (17), “ose bëhet i njëjtë në të gjithë botën, ose pëson një proces sprapsjeje edhe në zonat me përparim të vazhdueshëm. Dukuri, kjo, që tregon qartë natyrën e zhvillimit autentik: ose marrin pjesë të gjitha kombet e botës, ose nuk do të jetë me të vërtetë i tillë”. Prandaj, si sipërmarrësit, ashtu edhe drejtuesit e ndryshëm - figura kyçe për jetën ekonomike - janë përgjegjës jo vetëm për strategjitë dhe investimet, por edhe për cilësinë e marrëdhënieve, respektin për dinjitetin e punëtorëve dhe zbatueshmërinë e vendimeve të tyre.
Konkurrenca është “cum-petere”
Konkurrenca, sugjeron Magjisteri, duhet të kthehet në formën e saj origjinale, që jepet nga kuptimi i fjalës latinishte “cum-petere” – “të kërkojmë së bashku” zgjidhje më të mira. Një detyrë, për të cilën nevojiten virtyte të lashta e gjithnjë aktuale, të domosdoshme sot më shumë se kurrë: "zelli, puna e palodhur, maturia... besueshmëria dhe besnikëria" (Gjon Pali II, enc. Centesimus annus, 32).
Si përfundim, Doktrina Shoqërore e Kishës kërkon një ekonomi, që favorizon familjet, që investon aty ku popujt mund ta shohin "vlerën e punës së tyre"(Gjon Pali II, enc. Centesimus annus, 36), që synon përmirësimin e cilësisë së jetës dhe të ambientit. Një ekonomi, që e vendos njeriun sërish në qendër, jo si spektator, por si protagonist të fatit të tij krijues.