Patriarku Pizzaballa kryesoi Meshën e Krishtlindjes në Kishën e Familjes Shenjte në Gaza të dielën, më 21 dhjetor. Patriarku Pizzaballa kryesoi Meshën e Krishtlindjes në Kishën e Familjes Shenjte në Gaza të dielën, më 21 dhjetor.

Atë Romanelli: Krishtlindje e vështirë në Gaza

Vizita tre-ditore baritore e Patriarkut Pizzaballa në Rrip, përfundoi. Në një bisedë me mediat e Vatikanit, famullitari i Kishës së Familjes Shenjte rrëfen vështirësitë e jetës së përditshme dhe shpreh mirënjohjen për afërsinë e Kishës, dhe të një mesazhi dërguar nga Papa Leoni XIV.

R.SH. / Vatikan

"Disa ditë më parë, Papa Leoni XIV na dërgoi një mesazh me shkrim. Shkruante se lutet gjithnjë për ne dhe na falënderon për gjithçka që bëjmë". Këtë kujtoi Atë Gabriel Romanelli, famullitar i Kishës së Familjes së Shenjtë në Gaza, në një bisedë me mediat e Vatikanit. "Ne e falënderuam Atin e Shenjtë - vazhdoi prifti - për gjithçka që  bën për paqen e edhe për ne. U dha bekimin e tij të gjithëve".

Kështu, Atë Romanelli e shpreh me emocion të thellë mirënjohjen e tij për  afërsinë e Kishës, përmes komunikimeve me Papën dhe pranisë fizike të Patriarkut Latin të Jeruzalemit, Pierbattista Pizzaballa, i cili e përfundoi vizitën e tij tre-ditore baritore në Rrip, të dielën, më 21 dhjetor. "Ishte një vizitë shumë prekëse", shpjegon Atë Romanelli, sepse Kardinali Pizzaballa pati mundësi të takohej dhe të dëgjonte, "si gjithmonë", bashkësinë e vogël të krishterë vendase.

Mesha e Krishtlindjeve, para kohe

Të dielën më 21 dhjetor, para se të largohej nga Gaza, Patriarku kryesoi, para kohe, Meshën e Krishtlindjes, gjatë së cilës nëntë fëmijë morën Kungimin e tyre të Parë, ndërsa një tjetër besimtar i ri, i quajtur Marco, u pagëzua. "Ishte festë e bukur", tregon famullitari. "Gëzimi ishte i prekshëm, ashtu si shpresa në Shëlbuesin dhe në njerëzimin", plot besim për një fazë të dytë të këtij armëpushimi dhe për kohën e rindërtimit. Famullia e Familjes Shenjte në Gaza, më pas, i dorëzoi Kardinalit Pizzaballa një pikturë të Krishtit të vuajtur "për t'ia dërguar Papës Leoni XIV, si shenjë mirënjohjeje për afërsinë atërore dhe angazhimin e  palodhur për paqen", siç e kujton Patriarkana.

Situata humanitare, ende serioze

Krishtlindja e ardhshme për të krishterët e Gazës "është e vështirë, na kthen në Krishtlindjet dy mijë vjet më parë. Të vështira si kjo nuk kanë qenë kurrë", pohon prifti i Gazës, që kujton, më pas, se Jozefit iu desh të ikte me Jezusin në Egjipt, "duke kaluar Gazën", sipas traditës. "Nuk vuajti më shumë, vazhdon Atë Romanelli, se sa vuajti dhe vazhdon të vuajë Jezusi gjatë gjithë historisë". Edhe pse bombardimet në Gaza kanë mbaruar, "shpërthimet mund të dëgjohen ende ndonjëherë, toka dridhet, por njerëzit janë më të qetë". Megjithatë, ka "ankth" ndërmjet banorëve të Rripit të Gazës, kur kuptojnë se u mungojnë gjërat e nevojshme për mbijetesën dhe jetën e përditshme. Nga njëra anë, nuk ka energji elektrike: "Ne jetojmë me gjeneratorë, duke djegur çdo gjë për të siguruar pak energji, falë pjesërisht paneleve të pakta diellore. Megjithatë, shumica e njerëzve, më shumë se dy milionë, jetojnë në tenda, ku nevojitet edhe energjia elektrike", vëren Atë Gabriel Romanelli.

Manifestimi i fesë, përmes akteve të bamirësisë

Nga ana tjetër, uji i pijshëm është i pakët, për të mos përmendur mungesën e ilaçeve dhe situatën e mbeturinave: Qyteti i Gazës "është plot me mbeturina kudo sepse, për shembull, vendet e plehrave, që ishin jashtë qytetit, tani mund të përdoren, ngaqë janë përtej vijës së verdhë", ku është vendosur ushtria izraelite.

Në këtë atmosferë Gaza po përgatitet të festojë Krishtlindjen. Ditët e fundit, banorëve të lagjes iu shpërndanë dhurata të vogla: vezë, pula, batanije dhe rroba, të mirëpritura me gëzim, në një botë ku ka ende kaq shumë nevoja. "Është një Krishtlindje ndryshe", përfundon Atë Romanelli, që na kthen tek gjërat themelore", "tek shprehja e fesë sonë përmes akteve konkrete të bamirësisë".

22 dhjetor 2025, 16:57