Atë Tarantino: në Krishtlindje, Maria e Jozefi kanë nevojë për ne
R.SH. / Vatikan
Mesazhi i Krishtlindjes nga Atë Mariano Tarantino, Administrator Dioqezan i Sapës
Shumë të dashur vëllezër dhe motra në Krishtin,
Sot Kisha e shenjtë na shpall, edhe një herë, lajmin e mirë të lindjes së Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, në shpellën e Betlehemit.
Tash që ka lindur, Jezusi ka nevojë për gjithçka, ka nevojë për ty, sepse askush nuk e njeh këtë fëmijë të lindur për ne; askush nuk i sheh këto shenja të pranisë së tij, askush... përveç Zojës së Bekuar, Shën Jozefit... dhe neve! Kemi fatin jo vetëm të besojmë se lindi, jo vetëm të shohim se po lind, por kemi fatin më të madh ta ruajmë këtë dhuratë në zemrën tonë, në familjet tona, në Dioqezën tonë... dhe kjo jo vetëm për veten tonë, por për botën mbarë.
Sa njerëz ka rreth nesh që shohin vetëm halle dhe probleme, që jetojnë në vuajtje shpirtërore dhe fizike. Sa njerëz nuk dinë asnjë send për Shpresën dhe për Shpëtimin që ka lindur edhe për ta.
Të korrat janë vërtetë të mëdha dhe punëtorë ka pak, thotë Jezusi. Por ne... jemi, o Zot, këtu pranë asaj shpelle dhe sot ndihemi të privilegjuar jo vetëm sepse të njohim por edhe sepse mund të bëjmë edhe ne diçka për shpëtimin e të afërmve tanë, për shpëtimin e këtij vendi dhe të botës mbarë. Prandaj, çfarë don prej nesh, o Zot? Ku na dërgon? Te kush? Kush na pret? Dhe ju, o Mari, o Jozef, si thoni? A të shkojmë, pra? Si thua, ti o Mari?
Të dashur vëllezër dhe motra, ndoshta, edhe ju po dëgjoni në zemrën tuaj këtë përgjigje të tyre! Po, si Kishë dhe personalisht, duhet të dalim për një mision të ri ungjillëzues, sepse nuk mjafton më ai besim që morëm prej gjyshërve tanë, sidomos sot kur shohim se si bota të bën për veten, ta mbush mendjen me kriteret e veta dhe pothuajse as nuk e vëren. Po, duhet të shkojmë tek të rinjtë që nuk kanë më shpresë për jetën e tyre në vendin tonë. Po, duhet të shkojmë tek të moshuarit që kanë ngelur vetëm në shtëpitë e tyre të reja por të boshatisura. Po, duhet të shkojmë te familjet, sidomos, tek ato të reja që kanë njëmijë sfida për t'i përballuar dhe presin mbështetjen tonë.
Po, duhet të shkojmë... por jo menjëherë: sot është dita e Krishtlindjes dhe nuk bën të lëmë vetëm Marinë dhe Jozefin në atë shpellë. Edhe ata kanë nevojë për ne, sidomos tani që bota i ka lënë vetëm dhe Jezusi fëmijë pret puthjen, përqafimin, mbështetjen e tyre.. si edhe tonën.
Le të rrimë, pra, në këto ditë në lutje, në adhurim të këtij Jezusi fëmijë... le ta marrim në grykë dhe, siç kanë bërë shumë shenjtërit e Kishës, në vetminë e lutjes sonë ose nëpër kishat tona, le t'ia shprehim përkushtimin e jetës sonë: në paç nevojë për ne, o Jezus, këtu na ke! Na nis për mision tek ata që na presin... që të presin Ty. Amen.
Urime të përzemërta. Gëzuar Krishtlindjen!
Pader Mariano Tarantino
Administrator Dioqezan