Kërko

Homazhe në vendin e sulmit me kamion në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg Homazhe në vendin e sulmit me kamion në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg

Vijojnë krimet kundër të krishterëve në Evropë

Liria Fetare: në vitin 2024, në Evropë pati mëse 2,000 krime urrejtjeje kundër të krishterëve: agresione, vandalizëm, zjarre Kishave. Vrojtuesi i intolerancës dhe diskriminimit kundër të krishterëve në Evropë (OIDAC Europe) regjistroi 2,211 krime, pasojë e urrejtjes anti-kristiane në vitin 2024

R.SH. / Vatikan

Vrojtuesi i intolerancës dhe diskriminimit kundër të krishterëve në Evropë (OIDAC Europe) regjistroi 2,211 krime, pasojë e urrejtjes anti-kristiane në vitin 2024. "Pas këtij numri qëndrojnë raste konkrete të vandalizmit në Kisha, zjarrvënie dhe dhunë fizike me pasoja reale për jetën e bashkësive vendase" pohoi Anja Tang, drejtoreshë e organizatës joqeveritare, me seli në Vjenë. Raporti vjetor, i publikuar sot, përmblodhi të dhëna nga statistikat zyrtare të policisë evropiane dhe burime të tjera, përfshirë Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

 Shumica e krimeve, pasojë e urrejtjes anti-kristiane në vitin 2024, u dokumentua në Francë (770), Mbretërinë e Bashkuar (502), Gjermani (337) dhe Austri (116). Në Austri, grupi i monitorimit kujton raste të shumta vandalizmi në Kisha, si dhe dymbëdhjetë sulme fizike. Për Gjermaninë, statistikat e policisë për vitin e kaluar shënojnë 337 krime anti-kristiane, afërsisht 22% më shumë se vitin e kaluar.

Vrojtuesi i intolerancës dhe diskriminimit kundër të krishterëve në Evropë (OIDAC Europe) e konsideron veçanërisht alarmant faktin që vitin e kaluar u regjistruan 94 sulme zjarrvënëse kundër Kishave dhe institucioneve fetare. Ky është pothuajse dyfishi i numrit të regjistruar në vitin 2023. Shumica e rasteve të zjarrvënies kundër Kishave u dokumentuan në Gjermani, me 33 raste. Sipas grupit të monitorimit, kjo prirje duket se po vazhdon.

19 nëntor 2025, 14:59