Vdiq kardinali Dominik Duka, kryeipeshkëv nderi i Pragës
R.SH. / Vatikan
Këtë natë, të martën më 4 nëntor, në moshën 82-vjeçare, vdiq kardinali Dominik Duka, kryeipeshkëv metropolit nderi i Pragës. Vdekja ndodhi në spitalin qendror ushtarak (VUN) të kryeqytetit të Republikës Çeke.
Në vitin 1965 u pranua në Fakultetin Teologjik të Shenjtorëve Cirili dhe Metodi në Litoměřice. Më 5 janar 1968 hyri në klandestinitet në Urdhrin e Vëllezërve Prediktarë / Domenikanë; dha zotimet e përkohshme më 6 janar 1969. U shugurua meshtar më 22 qershor 1970. Më 7 janar 1972 dha kushtet solemne të jetës rregulltare si domenikan. Në vitin 1975, leja e tij shtetërore për të ushtruar shërbesën fetare u revokua dhe ai punoi si dizajner në një fabrikë automobilash.
Nga viti 1975 deri në vitin 1986 ishte vikari provincial e gjithashtu edhe mësues i novicëve. Në vitin 1979 mori licencën në teologji në Fakultetin Teologjik Papnor të Shën Gjon Pagëzusit në Varshavë.
Në vitin 1981 u dënua për kundërshtimin e kontrollit shtetëror mbi Kishat dhe u mbajt në paraburgim për 15 muaj. Pasi u kthye në liri, u zgjodh epror i provincës rregulltare dominikane të Bohemisë dhe Moravisë, detyrë që e mbajti deri në vitin 1998.
Më 6 qershor 1998 u zgjodh nga Gjon Pali II ipeshkëv i Hradec Králové.
Më 6 nëntor 2004 Gjon Pali II e emëroi administrator apostolik të dioqezës së Litoměřice, detyrë që e mbajti deri më 22 nëntor 2008.
Më 13 shkurt 2010 u promovua nga Benedikti XVI në Kryeipeshkëv Metropolit i Pragës. Më 21 prill të po atij viti u zgjodh president i Konferencës Ipeshkvore Çeke, detyrë që e mbajti deri në vitin 2020.
Benedikti XVI e krijoi Kardinal të Kishës së Shenjtë Romake në koncistorin e 18 shkurtit 2012, duke i caktuar titullin e Kishës së Shenjtorëve Marçelini dhe Pjetri.
Në vitin 2013 mori pjesë në konklavën që zgjodhi Papa Françeskun, i cili më 13 maj 2022 e pranoi dorëheqjen e tij si Kryeipeshkëv Metropolit i Pragës për shkak të kufirit të moshës.