Kërko

Abati Mkhitar  e Zoja Mari Abati Mkhitar e Zoja Mari

"Një mijë Falemi Mri": devocion i lashtë marian

Lutja, e lindur në Perëndim ndërmjet shekujve 14 dhe 15 dhe e përhapur ndër armenët falë Shërbëtorit të Zotit, Abati Meçitar, ekziston ende në Urdhrin Meçitar të Etërve Armenë në Venecia dhe në disa fshatra katolike armene në Gjeorgji.

R.SH. / Vatikan

Nga Atë Kevork Sarkissian, Urdhëri maronit Mariamit

Në rrugët e jetës, ka shenja që të tregojnë drejtimin e duhur. Për ata që i përkasin Kishës së Krishtit, vetë Zoti dhuroi një nënë që të mund t'i prijë, t’i mësojë e t’i shoqërojë gjatë gjithë jetës së tyre, sepse pa atë Mësuese të dashur, ata mund të humbasin. Amësia e Virgjërës Mari është hir i papërcaktuar për çdo të krishterë, që ajo e merr në prehër, si bir. Papa Shën Pali VI, në një fjalim të vitit 1970, në Shenjtoren e Bonarias në Sardenjë, pati thënë:

"Nëse duam ta quajmë veten të krishterë, duhet të jemi marianë; domethënë, ta njohim marrëdhënien themelore, jetësore dhe providenciale që  e bashkon Marinë me Jezusin e na hap rrugën që të çon tek Ai."

Nga Perëndimi në Lindje

Shërbëtori i Zotit, Abati Meçitar (1676-1749), themelues i Urdhrit Meçitar dhe përtëritës i monasticizmit armen, ishte një nga promotorët që e solli përkushtimin marian, veçanërisht lutjen e Rruzares Shenjte, te popujt e Lindjes. Kështu, në vitin 1735, botoi Tetrak Rosari, ose Fletoren e Rruzares së Shenjtë, në armenisht.

Meçitari, "i madh ndërmjet të mëdhenjve", siç e quante shkrimtari armen Shavarsh Narduni, ia kushtoi Kongregatën e tij Virgjërës së Shenjtë Mari kur e themeloi atë në vitin 1700. Biografi i Meçitarit, Atë Akonz, në librin e tij “Historia e jetës dhe Veprave të Meçitarit të Sebastes", e shkruan përkufizimin e identitetit të Urdhrit si më poshtë:

"Duke dalë nga lutja e mbushur me ngushëllim hyjnor, të bashkuar me njëri-tjetrin në Zotin dhe me eprorin e tyre në një trup, një shpirt dhe në një mendje të vetme, ishin të bashkuar në shërbim të Zotit dhe Nënës së Tij. Dhe që nga ai çast, me hirin e Virgjërës së Shenjtë, nisën të mbanin, si vulën e tyre, këtë mbishkrim: Bir i Birësuar i Virgjërës, Mjeshtër (Vardapet) i Pendesës në katër shkronja Ω… Կ… Վ… Ա…, [inicialet] që tregojnë qëllimin specifik të Urdhrit, themeluar me ndërmjetësimin e Virgjërës së Lume Mari". Jeta shtegtare dhe himnet e Themeluesit janë  shembull i mirë i dashurisë dhe i përkushtimit të tij birnor ndaj Saj.

Vegimi i Virgjërës

Mbrojtja amtare nisi që në vitin 1692, kur Mekhitar, ende diakon i ri, kaloi nëpër manastirin e Sevanit (në Armeni). Aty mori dhuratën e një vegimi: pa Virgjërën e Shenjtë Mari, që e pyeti: "Çfarë do, Mekhitar?" Ai u përgjigj: "Çkado që të duash Ti"!

E përgjigja e Nënës ishte: "Le të bëhet".

Kjo do të ishte pika qendrore e përkushtimit marian të Mekhitar, siç shpjegon më tej Atë Stepanos Akonz: "Që nga ajo kohë, pamja e mrekullueshme e vegimit nuk u fshi kurrë nga mendja e tij; ai gjithmonë e kishte para sysh të mendjes gjatë të gjitha lutjeve; e ishte për të ngushëllim për të gjitha vuajtjet dhe mundimet që duroi gjatë jetës së tij."Por qëllimi, zemra dhe mendimet e jetës së Mekhitarit qenë gjithmonë kristiocentrike, siç shpjegon ai në testamentin e tij shpirtëror, në hyrje të Fjalorit Armen: "Që nga fillimi, ashtu si unë, Kongregata jonë është caktuar t'u shërbejë interesave të popullit armen për lavdinë e Krishtit, Zotit tonë, të bekuar përgjithmonë".

Maria, e pranishme "gjithmonë dhe kudo"

Kështu, Mekhitari gjithmonë dhe kudo e kishte të pranë Virgjërën Mari. Dhe ishte ai që u mësoi ndjekësve të tij lutjen "Të falemi, Mri", të cilën e kishte mësuar që fëmijë nga dy murgj oshënar të Limit (ishull në Liqenin Van, tani në Turqi). Siç shkruan Atë Torossian, dy ankoritët “nuk lanë asgjë tjetër, përveç shembujve të virtytit dhe zakonit të mirë të Përshëndetjeve Engjëllore çdo ditë". Kështu, përkushtimi marian kaloi nga Mekhitari - te Mekhitarët e - prej tyre – e nëpërmjet shembullit të tyre të vazhdueshëm - edhe nëpërmjet teksteve të tyre të botuara, u përhap ndër njerëzit, deri më sot.

Lutja e lashtë e ka origjinën në Perëndim ndërmjet shekujve 14 dhe 15. Tradita thotë se natën e Krishtlindjes së vitit 1445, kur Shën Katerina e Bolonjës po thoshte lutjen e Falemi Marisë, iu duk Virgjëra Mari me Krishtin Fëmijë dhe mori dhuratën e mbajtjes së Foshnjës Hyjnore në krahët e saj për një çerek ore të plotë. Këtë lutje mariane e vazhduan bijat e Shenjtores, në manastirin Corpus Christi - Korpi i Krishtit - deri në një pikë të caktuar në histori.

Devocion, që vazhdon

Sot - vijon historia - ky devocion marian është ende i gjallë ndërmjet Etërve Mekitaristë dhe në disa fshatra katolike armene, në Gjeorgji. Tradita e fshatit vendas është që e gjithë familja të mblidhet, nga fëmijët te të moshuarit, duke u gjunjëzuar për të thënë këtë lutje të devotshme në përgatitje për Krishtlindjen e Shenjtë.

Familja, të cilën Etërit e Koncilit të Vatikanit II e quajtën "Kishë shtëpiake", ende ekziston vërtet në Lindjen e Largët. Kjo është një Rruzare meditative-afektive, e ndjeshme dhe amtare, që nxjerr në pah katër karakteristika të Marisë: Maria është Nënë; është ajo që lindë; ajo që ushqen me gji dhe ajo që e puth të Birin (nënë, lindje, ushqyerje me gji dhe puthje). Jezusi është kështu i mbështjellë me dashurinë amtare të Marisë, me përqafimin e saj, i ushqyer me qumësht të pastër dhe, më në fund, i ngrohur me puthjen e saj të shenjtë.

Të dhjetat

Ruzarja e Shenjtë fillon më 29 nëntor dhe përfundon me një mijë të Falemi Mari, më 23 dhjetor. Kjo periudhë përfshin të gjithë kohën e Ardhjes, ndërsa më 24 dhjetor, në prag të Krishtlindjes, meditohen Misteret e Gëzimit. Lutja ndahet në 25 ditë, me një shtesë të veçantë për çdo dekadë. Në traditën armene, këtë emër, që quhet edhe "Rruzarja e Artë", besimtarët vazhdojnë ta thonë në festat mariane gjatë gjithë vitit liturgjik.

Për çdo dekadë të ndryshme, për çdo Të Falem Mari, i shtohet në një shtesë në rendin e mëposhtëm:

Dhjetshja e parë: Bekuar qoftë ora, o Virgjëra Mari, kur u bëre Nëna e Zotit (10 Të falemi Mari).

Dhjetshja e dytë: E bekuar qoftë ora, o Virgjëra Mari, kur linde Birin e Zotit  (10 Të falemi Mari).

Dhjetshja e tretë: E bekuar qoftë pika e parë e qumështit, o Virgjëra Mari, me të cilën Biri i Zotit u ushqye nga gjiri yt (10 Të falemi Mari).

Dhjetshja e katërt: E bekuar qoftë ajo puthje e parë, o Virgjëra Mari, që ia dhe buzëve hyjnore të Birit të Zotit (10 Të Ringjallemi Mari).

E në prag të festës, pas Rruzares së Shenjtë të Mistereve të Gëzimit, zinxhiri i artë i traditës së devotshme përfundon me një lutje kushtuar Virgjërës Mari.

Lutja e familjes dhe për familjen

Ftesa ime për të gjitha familjet e krishtera: ky përkushtim i përvuajtur, i bukur, simbolik marian, plot përshpirtëri dhe dashuri, duhet thënë në secilën familje. Si na kujton Ati i Shenjtë, Shën Gjon Pali II, në letrën e tij apostolike Rosarium Virginis Mariae:

Rruzarja "është lutje e familjes, e për familjen". Ne duhet të edukohemi dhe të formohemi me ndjeshmërinë amtare të Marisë, e cila është "gruaja e gëzimit të përkryer":  ndërmjetësoftë e iu lutët për ne Birit të saj Jezusit e na dhuroftë një zemër që dëgjon, që lutet, që paqton e bashkon.

21 nëntor 2025, 16:24