Fjala e Zotit e dielës së 33-të gjatë vitit kishtar ‘C’
R.SH. - Vatikan
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët, të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 33-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare. Kёtё tё diel kremtohet Dita e 9-të Botërore e të varfërve.
Gjendemi afër mbarimit të këtij viti liturgjik, ciklit tё tretё, dhe leximet biblike na ftojnë të reflektojmë mbi me realitetet e fundit” të njeriut dhe të botës, mbi udhën e gjatë që kemi bërë dhe pikësynimit drejt të cilit jemi të orientuar.
Kështu, Viti liturgjik po i afrohet fundit dhe udhëtimi ynë do të rifillojë me kohën e Ardhjes, fillimin e një viti të ri i liturgjisë kishtare. Ja pra, jemi në soditje të realiteteve të fundit, drejt të cilave shkon pritja jonë: Zoti Jezus do të shfaqet në lavdi si Ai që vjen. Është vetë Jezusi që në fund të ditëve të tij tokësore, para mundimeve dhe vdekjes së tij mbi kryq, ndërsa ndodhet në Jeruzalem për kremtimin e Pashkëve, përballë tempullit, i nxitur nga një pyetje e dishepujve të tij, përshkruan "ditën e Zotit" (jom 'Adonaj) si ditën e ardhjes së tij.
Fjala e Zotit e kësaj sё diele na kumton profecinë e rrënimit të Jerusalemit në perspektivën e mbarimit tё kohëve. Në perëndimin e botës dhe tё historinë sё saj ajo që ka rëndësi është qëndresa nё fe: "Me qëndresën tuaj do ta shpëtoni jetën tuaj!”, na thotë Jezusi. Po "para ardhjes së Jezu Krishtit, Kisha duhet të kalojë përmes një prove përfundimtare që do të trondisë besimin e shumë besimtarëve. Persekutimi që e shoqëron shtegtimin e saj mbi tokë do të zbulojë "misterin e së keqes" në formën e një mashtrimi fetar, që u ofron njerëzve një zgjidhje qё bie nё sy, njё zgjidhje të përafërt për problemet e tyre, me çmimin e apostazisë nga e vërteta, pra me çmimin e mosbesimit”. Këto fjalë të Katekizmit të Kishës Katolike bëjnë përshtypje (n. 675). Në realitet ato i bёjnё jehonë Ungjillit të kësaj sё diele (Lk 21,5-19) ku: Jezusi na njofton qartë se Kisha, Trupi i tij, do të marrë pjesë në mundimet e tij.
Nё pjesën e Ungjillit të kësaj së diele, Jezusi lajmëron fitoren e së mirës mbi të keqën. Zoti do të vijë për të gjykuar historinë e botës dhe për të shndërruar çdo gjë. Kështu, DITA E ZOTIT, vjen e bëhet moment në të cilin gjithçka merr kuptim e shndërrim: në atë ditë çdo njeri, çdo gjë do të dalë në dritën e Zotit.
Në Leximin I të kësaj së diele, Malakia profet, gjyqin e Hyjit e quan “ditë e Zotit”, duke e përshkruan si zjarr kozmik, si “furrë të ndezur flakë”. Gjyqi i Zotit është agim i ditës së re që ngjyrosë e ndriçon çdo gjë me dritën e vet, është takimi përfundim e vendimtar i njeriut me Krijuesin e vet, me Zotin, takim ky që i jep domethënie, shije e bukuri tërë jetës njerëzore.
Pra, leximet biblike të kësaj së diele pohojnë se jo vetëm njeriu, por edhe bota, si vend i historisë njerëzore, një ditë do të gjykohet nga Zoti. Si dhe kur do të ndodhë kjo, këtë ne nuk e dimë; po me siguri dita e fundit e gjyqit të Zotit do të vijë për çdo njeri, sepse këtë na thotë vetё fjala e Hyjit. E Zoti nuk gënjehet e nuk gënjen.
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë Mal 3, 19-20
Lexim prej Librit të Malakisë profet
Kështu thotë Zoti: “Ja, po vjen dita e ndezur flakë porsi furra! Të gjithë krenarët dhe ata që bëjnë prapësi do të jenë kashtë. Do t’i djegë dita që po vjen – thotë Zoti i Ushtrive – e s’do t’u lërë as rrënjë as gem! Kurse për ju që e keni frikën e Emrit tim do t’ju lindë dielli i drejtësisë me rreze shëndet sjellëse e do të dilni e do të kërceni porsi viçat në kullotë.” Fjala e Zotit.
Psalmi 98
Eja, o Zot, për ta gjykuar botën
----- ----- -----
Këndoni Zotit një këngë të re,
sepse bëri vepra të mrekullueshme!
Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,
me fuqi të krahut të vet të shenjtë.
----- ----- -----
Le të buçasë deti me ç’ka në të,
rruzulli me banuesit e tij;
lumenjtë le të duartrokasin,
e malet le të gërthasin me hare.
----- ----- -----
Le të gërthasin me hare para Zotit,
që po vjen për të gjykuar dheun.
Ai do ta gjykojë botën me drejtësi,
e popujt me maturi.
----- ----- -----
Leximi i dytë 2 Sel 3, 7-12
Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve
Vëllezër, ju vetë mirë e dini se e keni për detyrë ta ndiqni shembullin tonë. Ne, kur jetuam ndër ju, nuk jetuam në përtaci: bukën askujt nuk ia lypëm dhuratë, por punuam natë e ditë me mund e lodhje që të mos i bëheshim ndokujt prej jush barrë.
Jo sikur të mos kishim pasur të drejtë në ndihmën tuaj, por vetveten ju dhamë për shembull, që të na përngjani. Këndej, kur ishim ndër ju, ju patëm dhënë këtë urdhër: “Kush nuk do të punojë, as mos të hajë!”
Tani po dëgjojmë se disa ndër ju jetojnë në papunësi: nuk punojnë asgjë dhe e humbin kot kohën. Të tillëve u urdhërojmë dhe u qesim be Zotin Jezu Krisht, le të punojnë në paqe dhe le ta hanë bukën që e fitojnë vet! Fjala e Zotit.
ALELUJA, aleluja.
Rrini zgjuar, sepse nuk e dini se në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj. Aleluja.
Ungjilli Lk 21, 5-19
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, kur disa po flisnin për tempullin sesi është i stolisur me gurë të bukur e me dhurata kushtimore, Jezusi tha: “Do të vijë dita, kur, ndër të gjitha këto që po shikoni, nuk do të mbetet as gur mbi gur pa u rrënuar.” E pyetën: “Mësues, kur do të ndodhë kjo dhe cila do të jetë shenja se këto po fillojnë të ngjajnë?”
“Ruajuni – u përgjigj – të mos t’ju gënjejnë! Sepse shumë do të vijnë nën emrin tim e do t’ju thonë: ‘Unë jam!’ dhe: ‘U afrua koha!’ Mos shkoni pas tyre! E kur të dëgjoni të flitet për luftëra e për kryengritje, mos u frikësoni! Sepse të gjitha këto do të ndodhin më parë, por as atëherë nuk është menjëherë mbarimi.” Atëherë u tha: “Do të ngritët një komb kundër një kombi tjetër, një mbretëri kundër një mbretërie tjetër, do të ndodhin tërmete të mëdha, në vende të ndryshme uri e murtaja, do të ngjajnë dukuri të përfrigueshme dhe shenja të mëdha nga qielli. Mirëpo, para se të ndodhin të gjitha këto, do të vënë dorë në ju e do t’ju salvojnë; do t’ju dorëzojnë në sinagoga e në burgje, do t’ju qesin para mbretërve e para qeveritarëve për shkak të emrit tim. Kjo do t’ju japë rast të jepni dëshmi.
Mbani mend: s’keni nevojë që më parë ta përgatitni mbrojtjen tuaj, sepse unë do t’ju jap zotësinë e fjalës dhe urtinë, të cilën s’do të mund ta kundërshtojë as t’i bëjë ballë asnjë nga kundërshtarët tuaj. Do t’ju padisin madje edhe prindërit, vëllezërit, farefisi e miqtë dhe disa prej jush do t’i vrasin. Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim. Porse, as një fije floku s’do t’ju bjerë prej kresë! Me qëndresën tuaj do ta shpëtoni jetën tuaj!” Fjala e Zotit.
Homelia nga dom Dritan Ndoci:
E DIELA XXXIII GJATË VITIT: KJO DO T’JU JAPË RAST TË JEPNI DËSHMI
(Mal 3, 19-20; Ps 98 (97); 2 Sel 3, 7-12; Lk 21, 5-19)
Duke qenë se po i afrohemi fundit të këtij viti liturgjik, që përfundon të dielën e adhshme me të kremten e Krishtit Mbret, Fjala e Zotit sot na flet për fundin e kohëve.
Leximi i parë, i marrë nga Libri i Malakisë profet, përdor shprehje shumë të forta për të përshkruar karakteristikat që do të ketë ky fund i kohëve. Për të thënë se ajo ditë do të jetë e mjerueshme për ata që kurrë nuk iu hapën Hirit të Hyjit dhe që, si pasojë, do të pësojnë përjetësisht mungesën e Hyjit, vuajtjen më të mjerueshme për një krijesë, teksti thotë: «Ja, po vjen dita e ndezur flakë porsi furra!» Është vetëm një epitet, patjetër, sepse Ferri nuk është edhe aq «furrë flakësh». Këtu ky epitet përdoret vetëm për të treguar se sa e mundimshme do të jetë mungesa e Hyjit në përjetësi. Kurse, për ata që e duan Zotin, për ata që e kanë frikën e Emrit të Tij (pra, respektin, llojin e frikës që është edhe një ndër dhuratat e Shpirtit Shenjt), thotë: «Do t’ju lindë dielli i drejtësisë me rreze shëndetsjellëse e do të dilni e do të kërceni porsi viçat në kullotë.»
Ardhja e Zotit do të shënojë fundin e kohëve. Bashkë me këtë fund, do të vijë edhe fundi i pushtetit të djallit, i mëkatit dhe i vdekjes. Të drejtët do të ndahen nga të këqinjtë: të parët do të ngjallen për lumturinë e pasosur, ndërsa të dytët – për mjerimin e pasosur. Për të parët, ngjallja do të jetë fitore edhe mbi vdekjen, fitore të cilën do t’ua dhurojë Krishti i Ngjallur, ndërsa, për të dytët, kjo ngjallje do të jetë e mjerueshme, sepse edhe fizikisht do ta vuajnë përjetësisht mungesën e Hyjit të tyre e, edhe nëse tani e quajnë pak këtë mungesë të Hyjit, aty do ta kuptojnë se sa e rëndë është ajo.
Duken si fjalë të frikshme, por e vërteta është kjo. Nganjëherë na e ka ënda që në predikimin e krishterë të dukemi më të mençur se Krishti: Ai ka folur haptas (dhe jo rrallë) për rrezikun e bjerrjes së pasosur dhe se sa e mjerueshme është ajo gjendje, ndërsa ne kemi dëshirën që ta lëmë mënjanë këtë të vërtetë, sepse na duket e bezdisshme.
Por ne ngatërrojmë diçka: të flasësh për Ferrin, nuk do të thotë të tregosh se sa i tmerrshëm është Hyji që mund të të çojë në Ferr (dikush, shumë gabimisht, flet kështu me shpresën që t’i kthejë njerëzit në fe), por duhet folur për Ferrin për të treguar se sa tmerrësisht me seriozitet duhet të merret liria jonë. Falë kësaj lirie, ne të mund të zgjedhim të largohemi prej Zotit, largim i cili pas vdekjes do të jetë fatal dhe i pakthyeshëm. Hyji nuk është i tmerrshëm, por vetëm i dashur. Nuk është Ai që çon në Ferr, por ngurtësia jonë përballë Hirit të Tij në këtë jetë. Nga kjo ngurtësi ka ardhur të na shpëtojë Krishti, para se të jetë tepër vonë.
Krishti në Ungjillin e sotëm na flet për fundin e kohëve, por, në lidhje me kohën se kur do të ndodhë kjo, Ai nuk ka thënë asgjë. Ka mësuar vetëm se si duhet ta presim atë orë.
Në Ungjillin e sotëm, Jezusi na porosit që të ruhemi nga «Mesitë» e rrejshëm: «Mos shkoni pas tyre!», na thotë. Pastaj flet për luftra që do të vijnë, për fatkeqësi natyrore, për sëmundje të ndryshme, por edhe për «dukuri të përfrigueshme dhe shenja të mëdha nga qielli», që do t’i paraprijnë ardhjes së Tij. Kësaj ardhjeje do t’i paraprijnë edhe përndjekjet e shumta ndaj Kishës.
Po, pse gjithë këto vuajtje dhe tmerre? Katekizmi i Kishës Katolike e shpjegon këtë duke mësuar se, sikurse Krishtit iu desh të kalonte nëpër tmerret e vuajtjet e përndjekjeve para se të arrinte në Ngjallje, ashtu edhe Kishës, Trupit të Krishtit, do t’i duhet të përballet me një betejë të njëjtë me atë të Shëlbuesit të vet.
«Para se të ndodhin të gjitha këto, do të vënë dorë në ju e do t’ju salvojnë; do t’ju dorëzojnë në sinagoga e në burgje, do t’ju qesin para mbretërve e para qeveritarëve për shkak të emrit tim.» Këto fjalë të Jezusit ngjajnë si një paralajmërim i frikshëm dhe, për më tepër, mund të ngjajnë deri edhe të çuditshme kur, Ai që i thotë, është i Gjithëpushtetshmi, Ai që mundet t’i kursejë dishepujt e vet nga e gjithë kjo. Por jo. Jezusi ka shtuar fill pas këtyre fjalëve edhe diçka tjetër, shumë madhështore, të cilën e kuptojnë vetëm ata që e duan Atë: «Kjo do t’ju japë rast të jepni dëshmi.» E gjithë kjo patjetër që është një mister më vete, por duket sikur Jezusi i fton dishepujt e vet që, të mbushur me pasionin për t’i përngjarë Atij, t’i mirëpresin rastet kur Provania Hyjnore u vë përpara mundësinë që ta dëshmojnë fenë e tyre. I krishteri, patjetër që nuk duhet t’i kërkojë këto raste vetë, por i mirëpret kur ato shfaqen. Atëherë, me ndihmën e Hirit Hyjnor, ai i “përvesh mëngët” hareshëm për të dëshmuar Zotin e vet, duke iu bashkuar flisë së Tij për shëlbimin e botës.
Por dëshminë ndaj Zotit tonë mund ta japim edhe pa na ardhur vështirësi të theksuara. Është jeta e përditshme ajo që na i jep këto raste. Shenjtja Terezë e Jezusit Fëmijë thoshte se, mbase, asaj nuk i ishte dhënë Hiri i martirizimin nga shpata, por ishte e bindur se i duhej të përballej me martirizimin nga gjilpëra. Gjetje shumë elegante e saj, për të përshkruar martirizimin që i shkaktonin çdo ditë “pickimet” e përditshme që i vinin për hir të Krishtit.
Mbase jo më kot leximi i dytë sot duket sikur ka pikërisht këtë qëllim të fundit: të na ndihmojë të përballojmë pikërisht këtë “martirizim të gjilpërës”, duke u larguar nga një ves shumë i keq siç është përtacia. Shën Pali u ishte drejtuar Selanikasve me një letër të dytë. Në fakt, ai kishte dëgjuar se selanikasit nuk dyshonin për ardhjen e dytë të Krishtit, por, nga ana tjetër, kishin filluar ta prisnin këtë ardhje në përtaci, duke mos bërë asgjë për jetesën e përditshme. Prandaj apostulli u shkruan: «Po dëgjojmë se disa ndër ju jetojnë në papunësi: nuk punojnë asgjë dhe e humbin kohën kot.» Mirëpo ekziston rreziku që këta të bëhen parazitët e shoqërisë dhe, si pasojë, të jenë të ekspozuar ndaj shumë veseve. Kot nuk thonë se «dembelizmi është nëna e të gjitha veseve». Prandaj Shën Pali u thotë: «Vëllezër, kur jetuam ndër ju, nuk jetuam në përtaci: bukën askujt nuk ia lypëm dhuratë, por punuam natë e ditë me mund e lodhje që të mos i bëheshim ndokujt barrë». E pastaj u shpjegon se e kishte bërë këtë për t’u dhënë shembullin.
Atëherë ua kujton atë që u kishte thënë kur kishte qenë në mesin e tyre: «Kush nuk do të punojë, as të mos hajë!» Sa praktik është ky njeri! I shkon problemit fill e në rrënjë. Nganjëherë përtacët i mbushim me receta elegante, për t’i larguar nga vesi i përtacisë. S’paska nevojë: mjaftoka që thjesht të mos hanë dhe do ta kuptojnë shumë shpejt se sa serioz është të largimi nga ai ves shkatërrues. Ne duhet ta presim gjithnjë me gjithë shpirt ardhjen e Krishtit, por po me gjithë shpirt na duhet t’i japim dëshmi Atij në përditshmërinë e jetës sonë.
Këndej, të mos përtojmë t’i përngjajmë Jezusit, i cili, me vullnet të plotë, zgjodhi të jetë i varfër. Për tridhjetë vjet ai jetoi në heshtje të plotë. Kishte mësuar zanatin e zdrukthëtarit, si Shën Jozefi, dhe këtë e përdorte si mjet fitimi të jetesës së vet të thjeshtë. Edhe Shën Pali u thotë Selanikasve se kishte punuar «natë e ditë, me mund e lodhje, që të mos i bëheshim ndokujt barrë». Prandaj edhe ka kurajon t’u thotë përtacëve: «Të tillëve u urdhërojmë dhe u qesim be Zotin Jezu Krisht, le të punojnë në paqe dhe le ta hanë bukën që e fitojnë vetë.»
Ta presim me gëzim, pra, ardhjen e Jezusit! Ta synojmë shëlbimin e shpirtit dhe t’i japim dëshmi Jezusit si në mes të vështirësive të jashtëzakonshme, ashtu edhe në përditshmërinë e jetës sonë! Nëse në përditshmëri do të ta dëshmojmë me gëzim fenë tonë gjatë «martirizimit të gjilpërës», atëherë, me Hirin e Hyjit, do të mund të japim dëshmi edhe përballë «martirizimit të shpatës», nëse ky na kërkohet.
Dom Dritan Ndoci