Çelësi i fjalëve të Kishës: solidariteti ndërmjet punëtorëve
R.SH. - Vatikan
Javën e kaluar folëm, ndër të tjera, mbi të drejtën e punëtorëve për grevë. Doktrina shoqërore e Kishës, së cilës ia kushtojmë ciklin e filluar kohët e fundit, jo vetëm që e pranon atë, por përvijon edhe rolin e sindikatave, sidomos përmes shkrimeve të Papës shenjt Gjon Pali II, i cili pati lidhje të fuqishme me Solidarnoshin, që lëkundi themelet e regjimit komunist në Poloni. Magjisteri papnor e kishtar e njeh dhe e pranon rolin themelor të sindikatave të punëtorëve, arsyeja e ekzistencës së të cilave ka të bëjë me të drejtën e punëtorëve për të formuar shoqata apo organizata, që mbrojnë interesat jetësore të njerëzve të angazhuar në punë të ndryshme. Papa polak Gjon Pali II, në eciklikën “Laborem exercens” (20), kujton se sindikatat “bazohen mbi luftën e punëtorëve, të botës së punës dhe, para së gjithash, të punëtorëve industrialë, për mbrojtjen e të drejtave të tyre para sipërmarrësve dhe pronarëve të mjeteve të prodhimit”. Organizatat sindikaliste, duke ndjekur qëllimin e tyre specifik në shërbim të së mirës së përbashkët, janë një faktor konstruktiv për rendin shoqëror dhe solidaritetin e pra, një element i domosdoshëm i jetës shoqërore. Njohja e të drejtave të punës ka përbërë gjithmonë një problem të vështirë për t’u zgjidhur, pasi ndodh brenda proceseve historike dhe institucionale të ndërlikuara dhe, ende sot, mund të thuhet se është e papërfunduar. Kjo e bën më shumë se kurrë aktual dhe të nevojshëm ushtrimin e një solidariteti të vërtetë mes punëtorëve.
Urrejtja dhe lufta për ta zhdukur tjetrin janë metoda krejtësisht të papranueshme
Doktrina shoqërore e Kishës nënvizon se marrëdhëniet brenda botës së punës duhet të kenë vulën e bashkëpunimit: urrejtja dhe lufta për ta zhdukur tjetrin janë metoda krejtësisht të papranueshme, edhe sepse, në çdo sistem shoqëror, janë të domosdoshme për procesin e prodhimit si puna, ashtu edhe kapitali. Në dritën e këtij konceptimi, doktrina shoqërore «mendon se sindikatat nuk janë vetëm pasqyrim i strukturës “së klasave” në shoqëri dhe as eksponent i luftës së klasave, që në mënyrë të pashmangshme qeveris jetën shoqërore» (Gjon Pali II, enc. Laborem exercens, 20). Sindikatat janë vërtet nxitësit e luftës për drejtësi shoqërore, për të drejtat e njerëzve të punës, në profesionet e tyre specifike: «Kjo “luftë” duhet të shihet si një angazhim normal “për” të mirën; …nuk është luftë “kundër” të tjerëve» (Gjon Pali II, enc. Laborem exercens, 20). Sindikata, duke qenë para së gjithash mjet i solidaritetit dhe i drejtësisë, nuk mund të abuzojë me mjetet e luftës; në bazë të thirrjes së vet, duhet të fitojë mbi tundimet e korporativizmit (tundim drejt kontrollit të jetës shoqërore), të dijë të vetërregullohet dhe të vlerësojë pasojat e vendimeve të veta në horizontin e së mirës së përbashkët.
Sindikatës, përveç funksioneve mbrojtëse dhe kërkuese, i takon si përfaqësimi, që synon “organizimin sipas një rendi të drejtë të jetës ekonomike” (Koncili II i Vatikanit, Kusht. bar. Gaudium et spes, 68), ashtu edhe edukimi i ndërgjegjes shoqërore të punëtorëve, me qëllim që ata të ndihen pjesë e gjallë, sipas aftësive dhe prirjeve të secilit, në krejt veprën e zhvillimit ekonomik, shoqëror dhe të ndërtimit të së mirës së përbashkët universale. Sindikata dhe format e tjera të asociacionizmit të punëtorëve duhet të bashkëpunojnë me subjektet e tjera shoqërore dhe të interesohen për mbarështimin e gjërave publike. Organizatat sindikaliste kanë për detyrë të ndikojnë mbi pushtetin politik, që ta sensibilizojnë atë siç duhet për problemet e punës dhe që ta angazhojnë në dobi të realizimit të të drejtave të punëtorëve. Sindikatat, megjithatë, nuk kanë karakterin e “partive politike”, që luftojnë për pushtet dhe nuk duhet t’u nënshtrohen vendimeve të partive politike apo të kenë lidhje tepër të ngushta me to: “në kushte të tilla, ato humbasin me lehtësi kontaktin me detyrën e tyre specifike: sigurimin e të drejtave të njerëzve të punës, në kuadrin e së mirës së përbashkët të krejt shoqërisë dhe bëhen, mjet për qëllime të tjera” (Gjon Pali II, enc. Laborem exercens, 20).
Forma të reja solidariteti
Konteksti shoqëroro-ekonomik i sotëm, i karakterizuar nga procese globalizimi ekonomiko-financiar gjithnjë e më të shpejta, i shtyn sindikatat të ripërtërihen. Sot sindikatat janë të thirrura për të vepruar me forma të reja, duke zgjeruar rrezen e veprimit të solidaritetit në mënyrë që të mbrohen, përveç kategorive tradicionale punëtore, edhe punëtorët me kontratë pune jo tipike apo me kohë të përcaktuar; punëtorët, puna e të cilëve është vënë në rrezik nga shkrirja e ndërmarrjeve - gjë që po ndodh gjithnjë e më shpesh, edhe në nivel ndërkombëtar; ata që nuk kanë një punë, të ardhurit, punëtorët stinorë, ata që për mungesë përditësimi profesional janë të përjashtuar nga tregu i punës dhe që nuk mund të hyjnë pa kurse të përshtatshme rikualifikimi.
Përballë ndryshimeve në botën e punës, solidariteti mund të rigjallërohet e, ndoshta, edhe të ketë baza më të mira se në të kaluarën, nëse veprohet për rizbulimin e vlerës subjektive të punës: duhet të vazhdojmë ta pyesim veten rreth subjektit të punës, pra, pumëtorit dhe kushteve në të cilat jeton. Për këtë, janë gjithmonë të nevojshme lëvizje të reja solidariteti të njerëzve të punës dhe me njerëzit e punës, mëson Kisha.
Që Shën Gjon Pali II kërkonte “forma të reja solidariteti”, që shoqatat e punëtorëve të orientohen drejt përgjegjësive më të mëdha, jo vetëm lidhur me mekanizmat tradicionalë të rishpërndarjes së të ardhurave, por edhe lidhur me prodhimin e pasurive dhe me krijimin e kushteve shoqërore, politike dhe kulturore, që u mundësojë atyre, të cilët mund dhe duan të punojnë, ushtrimin e së drejtës për punë, në respektim të plotë të dinjitetit të tyre si punëtorë. Kapërcimi gradual i modelit organizativ të bazuar në punën e paguar në ndërmarrjen e madhe bën të mundur, përveç kësaj, një përditësim të normave dhe të sistemeve të sigurimit shoqëror, nëpërmjet të cilëve punëtorët janë mbrojtur deri tani, duke mos harruar të garantohen të drejtat e tyre themelore. Këto ndryshime kanë të bëjnë me risitë në botën e punës, që janë shfaqur në vite. Por për to do t’ju flasim në emisionin e ardhshëm.