Palestinezët në pritje për të marrë ushqim Palestinezët në pritje për të marrë ushqim

Thirrja e prijësve ekumenikë: uria në botë është dështim moral

Caritas Internationalis, World Vision dhe Këshilli Botëror i Kishave nisën një deklaratë të përbashkët lidhur me "Të Drejtën për Ushqim dhe Ushqyerje", e me një bashkëpunim të paparë të besimeve të krishtera për të përballuar urinë globale në botë. Thirrja drejtuar qeverive në Vitin jubilar, për anulimin e borxhit të vendeve të varfra e për t’i dhënë fund investimit për armët.

R.SH. / Vatikan

Sot, afërsisht 673 milionë njerëz vuajnë nga uria kronike, pavarësisht se sistemet globale ushqimore prodhojnë ushqim të mjaftueshëm për t’i ushqyer të gjithë. Deri në vitin 2024, mbi 150 milionë fëmijë në mbarë botën vuajtën nga ngadalësimi i rritjes për shkak të kequshqyerjes, duke u dëmtuar në zhvillimin fizik dhe mendor. "Uria mes begatisë është shenjë e dështimit moral dhe nevojës për veprim të ngutshëm. Ushqyerja e të uriturve dhe kujdesi për më të ligshtit mbetet detyra kryesore e njerëzimit,  detyrë që udhëheqësit fetarë dhe bashkësitë e tyre përpiqen ta përmbushin vazhdimisht". Kjo theksohet sipas një deklarate të përbashkët nga udhëheqësit dhe përfaqësuesit e Këshillit Botëror të Kishave, Caritas Internationalis dhe World Vision, pas një takimi të mbajtur dje në Romë gjatë Sesionit të 53-të të Komitetit të FAO-s për Sigurinë Botërore të Ushqimit.

Shpenzimet për luftën kundër urisë, jo për armë

Pasiguria ushqimore, sipas të dhënave të FAO-s, prek në mënyrë disproporcionale gratë, fëmijët, bashkësitë indigjene dhe të ligshta. "Jemi thellësisht të shqetësuar për ndarjet e burimeve që i japin përparësi shpenzimeve ushtarake shumë më tepër se ndihmës humanitare dhe mbrojtjes sociale. Ne i nxisim qeveritë  t'i riorientojnë burimet në luftimin e urisë, mbështetjen e ndërtimit të paqes dhe parandalimin e përdorimit të urisë si armë lufte, në përputhje me ligjin ndërkombëtar humanitar dhe Rezolutën 2417 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së", vazhdojnë nënshkruesit. Në vitin 2024, afërsisht 1 në 8 persona jetuan konflikte, shpenzimet globale ushtarake tejkaluan 2.7 trilion dollarë, një rritje prej 9.4% nga viti 2023, ndërsa financimi për ndihmën humanitare ushqimore mbetet i pamjaftueshëm dhe vazhdon të vuajë shkurtime.

"Ky është dështim moral: qeveritë, jo vetëm tregjet, përcaktojnë se kush do të vuajë nga uria. Konfliktet shkatërrojnë sistemet ushqimore, i detyrojnë fermerët të largohen nga toka e tyre dhe krijojnë kriza refugjatësh". Në Sudan, për shembull, mbi 3.2 milion fëmijë nën pesë vjeç jetojnë në pasiguri të rëndë ushqimore; në Palestinë, më shumë se gjysmë milioni njerëzish vuajnë nga uria.

Të anulohet borxhi i Vendeve të varfra

Deklarata e Këshillit Botëror të Kishave, Caritas Internationalis dhe World Vision kujton edhe shtimin e urisë për shkak të ndryshimeve klimatike, gjë që kërcënon krijimin dhe vetë mbijetesën e njerëzimit. Për t'iu përgjigjur kësaj situate, udhëheqësit kërkojnë miratimin e masave urgjente dhe parandaluese, që i japin përparësi sistemeve bujqësore rezistente ndaj klimës, duke përfshirë agroekologjinë, kujdesin për ujin dhe financimin për fermerët e vegjël, veçanërisht gratë, të cilat prodhojnë afërsisht 70% të ushqimit në botë, por marrin shumë më pak.

Thirrja, edhe një herë, është që qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare të sanksionojnë të drejtën për ushqim të mjaftueshëm në kushtetutat dhe kornizat e tyre ligjore. Në këtë Vit Jubilar të Shpresës, është gjithashtu e nevojshme të anulohet borxhi i vendeve të varfra: "Si njerëz të besimit, mënyra se si i trajtojmë të uriturit pasqyron marrëdhënien tonë me hyjnoren dhe angazhimin tonë për drejtësi. Traditat tona morale nuk kërkojnë asgjë më pak se realizimin e plotë të së drejtës për ushqim për çdo njeri në tokë".

Uria nuk është mallkim, por një zgjedhje politike

"E drejta për ushqim është një e drejtë për të jetuar i lirë nga uria" - tha Michael Fakhri, Raportues Special i OKB-së për të Drejtën e Ushqimit, i cili kërkoi vëmendje të vazhdueshme ndaj Gazës, ku njerëzit po vuajnë nga mungesa e qëllimshme e ushqimit, e edhe Sudanit, ku konflikti është shndërruar në një nga fushatat më të mëdha të urisë në historinë moderne. "Uria", shtoi ai, "shkaktohet nga shtypja dhe shfrytëzimi: kur puna përdoret kundër punëtorëve dhe tokat e njerëzve janë të pushtuara". Arif Husain, Kryeekonomist i Programit Botëror të Ushqimit (WFP), theksoi koston njerëzore të mosveprimit: "Kjo deklaratë bëhet në kohën e duhur. Vjen në një kohë kur vlerësimet të kujtojnë se deri në 14 milionë njerëz mund të vdesin ndërmjet viteve 2025 dhe 2030 për shkak të shkurtimeve të ndihmës. Me pasurinë private globale, që i tejkalon 450 trilionë dollarë, është e qartë se uria nuk është çështje burimesh, por vullneti. Duke pasur parasysh se 85% e popullsisë së botës përbëhet nga njerëz me besim, e nëse ngrejnë zërin, mund t’i nxisdim qevritë të veprojnë, Uria është zgjedhje politike, e tashmë ka ardhur koha të zgjedhim ndryshe!

E drejta për ushqim: mision i përbashkët

Nga Caritas Internationalis, Musamba Mubanga-Mtonga, avokat për Sigurinë Ushqimore dhe Ndryshimet Klimatike, e përcaktoi urinë si  dështim moral kolektiv dhe, duke cituar Laudato Si' të Papës Françesku, theksoi: "Begatia e Tokës u është besuar të gjithëve, jo një pakice të privilegjuar. Fundi i urisë kërkon që ne të zgjedhim dhembshurinë mbi konfliktin, solidaritetin mbi indiferencën dhe humanizmin e përbashkët mbi prioritetet e gabuara. Drejtësia e vërtetë kërkon çlirimin e komuniteteve nga zinxhirët e borxhit që përjetësojnë urinë dhe varfërinë, një thirrje që Viti Jubile na e kujton fuqimisht: falni borxhet, rivendoseni dinjitetin dhe ndërtoni një botë ku të gjithë mund të lulëzojnë".

I nderuari  Kenneth Mtata, Drejtor i Programeve në Këshillin Botëror të Kishave, theksoi misionin e përbashkët të komuniteteve fetare: "Ne e njohim rolin jetik të burimeve të bazuara mbi fenë, në kundërshtim me nxitësit sistematikë të urisë. Së bashku, mund të bëjmë një ndryshim të vërtetë për më shumë se 673 milionë njerëz, që aktualisht jetojnë me uri kronike". Kai Hutans i World Vision International përfundoi:

"Ne bashkohemi me udhëheqësit fetarë të mbarë botës në pohimin se uria në një botë të begatë është dështim moral, jo fat i zi, i pashmangshëm. Çdo fëmijë ka të drejtën për ushqim të mjaftueshëm e ushqyes, ndaj besimi ynë kolektiv na detyron të veprojmë në mënyrë që asnjë fëmijë të mos shkojë në shtrat i uritur".

24 tetor 2025, 13:11