2025.10.29 Giovani verso Assisi 2025

Të rinjtë drejt Asizit, pesëqind në Edicionin e 54-të

Duke filluar nga 30 tetori, të rinjtë nga e gjithë Italia do të nisin nga Asizi një udhëtim formimi, përshpirtërie dhe vëllazërimi françeskan. Ky takim, thotë fra Nikola, do të jetë mundësi e dobishme për të “reflektuar së bashku mbi një temë qendrore të jetës së krishterë: lutja, jeta shpirtërore dhe marrëdhëniet me Zotin”. Tema e këtij viti është: “Ku je? I Tejetlarti, i Gjithëpushtetshmi, Zoti ynë i mirë”

R.SH. - Vatikan

"Jemi vërtet gati, por ju përgatitini zemrat. Presim me padurim t'ju shohim në Asizi". Në një video të shkurtër në faqen e Facebook-ut të Kujdestarisë së Përgjithshme të Kuvendit të Shenjtë, fra Nicola Zanin, drejtor i Qendrës Rinore Françeskane, iu drejtua 550 pjesëmarrësve të moshës 18 deri në 30 vjeç, të cilët do të mbërrijnë nga e gjithë Italia duke nisur që nesër, 30 tetor, për edicionin e 45-të të takimit "Të Rinjtë Drejt Asizit", ngjarje kyçe në shtegtimin françeskan të formimit, përshpirtërisë dhe vëllazërimit. Ky takim, vazhdon Vëllai Nicola, është i dobishëm për "të reflektuar së bashku mbi temat kryesore të jetës së krishterë: lutja, përshpirtëria dhe marrëdhënia me Zotin". Titulli i këtij viti “Ku je? I Tejetlarti, i Gjithëpushtetshmi, Zoti ynë i mirë”, të kujton sakaq pyetjen ekzistenciale të njeriut para Zotit, frymëzuar nga Kënga e Krijesave e Shën Françeskut të Asizit.

Etapat e takimit

Deri më 2 nëntor, Kuvendi Shenjt do të ketë një program katër-ditor me çaste lutjeje, katekizmi, punëtorie tematike, dëshmi dhe festime që do t'i udhëheqin të rinjtë përmes përvojës së takimit dhe dallimit. Takimi do të hapet me një mbrëmësore në kishën e poshtme të Bazilikës së Shën Françeskut,  kryesuar nga Vëllai Marco Moroni, kujdestar i Manastirit të Shenjtë. E do të pasohet nga katekizmi mbajtur nga Atë Gabriele Vecchione, kapelan i Universitetit La Sapienza të Romës.

E premtja, 31, do t'i kushtohet lutjes dhe heshtjes shpirtërore, adhurimit eukaristik, lectio divina, adhurimit të Kryqit, meditimit të krishterë dhe lutjes e lavdërimit të Zemrës së Krishtit.

Në mbrëmje, një liturgji pendestare do të mbahet në kishën e sipërme, kryesuar nga Ati Riccardo Pincerato, kreu i Shërbimit Kombëtar të Ministrisë së Rinisë të Konferencës së Ipeshkvijve Italianë.

 Më 1 nëntor, në Solemnitetin e të Gjithë Shenjtorëve, në kishën e sipërme do të mbahet një kremtim eukaristik, duke paraqitur dëshmi jete dhe besimi, përfshirë ato të Alberto dhe Daniela Friso, çift i martuar, fratit Giuseppe Altizii dhe motrës Sara Fabis. Dita do të kulmojë me një vigjilje dhe mandat përfundimtar kryesuar nga Vikari i Përgjithshëm i Urdhrit të Fretërve të Kuvendit Minor, Frati Igor Salmić.

Edicioni i 45-të do të përfundojë të dielën, më 2 nëntor, me Meshë dhe aktivitete për diskutim në grupet rajonale.

Sfida, të përqendrohemi te të rinjtë

"Në një periudhë, kur thuhet vazhdimisht se brezat e rinj i rezistojnë përvojave të besimit", deklaroi Frati Giulio Cesareo, drejtor i Zyrës së Komunikimit të Bazilikës, "takimi 'Të Rinjtë drejt Asizit' tregon se sfida e vërtetë është të dish t’i kuptosh pyetjet e tyre të thella, e t’i shoqërosh në një udhëtim bashkëpërgjegjësie. Rritja nuk arrihet thjesht duke marrë njohuri, por duke ndarë një udhë jete dhe duke kërkuar vetveten".

29 tetor 2025, 14:28