Imzot Vitalii Kryvytskyi takon Papa Leonin Imzot Vitalii Kryvytskyi takon Papa Leonin

Ipeshkvi latin i Kievit: Papa i fton ukrainasit të mos humbasin shpresën

Imzot Vitalii Kryvytskyi takoi sot paradite Papa Leonin, duke i treguar atij dhimbjen dhe besimin e popullit ukrainas në këtë kohë të gjatë lufte. Kanë kaluar më shumë se 3 vjet e 8 muaj nga pushtimi rus në shkallë të gjerë dhe sulmet ndaj qyteteve dhe infrastrukturës ukrainase po intensifikohen gjithnjë e më shumë.

R.SH.- Vatikan

Mirënjohje për mbështetjen e tij ndaj popullit të vuajtur të Ukrainës dhe për inkurajimin e tij për të mos humbur shpresën në një kohë shumë të vështirë: këtë i shprehu Papës imzot Vitalii Kryvytskyi, ipeshkvi latin i Kiev-Zhytomyr, i cili sot paradite pati gëzimin të takonte për herë të parë Leonin XIV.

"Pata mundësinë të takoja Papën për ta falënderuar për lutjet e tij, për dashurinë e tij për Ukrainën, për fjalët e tij që i dëgjojmë gjatë homelive ose gjatë lutjeve të Engjëllit të Zotit të dielave: çdo herë ndiejmë mbështetjen e tij për vendin tonë në një moment kaq të vështirë për ne. E falënderova për mesazhet e tij kaq të qarta. E falënderova edhe për mbështetjen, shtrirjen e së cilës ndoshta nuk do ta njohim kurrë plotësisht". Kështu thotë për Vatican News, imzot Vitalii Kryvytskyi, ipeshkvi latin i Kyiv-Zhytomyr, i cili sot paradite u takua në një audiencë private për herë të parë me Leonin XIV. "E falënderova Papën", thotë akoma ipeshkvi ukrainas, "edhe për gjithçka që Vatikani bën për refugjatët tanë, për fëmijët ukrainas të shtruar në spitalin pediatrik ‘Bambino Gesù’ dhe në çdo vend ku është e mundur të ndihmohet vendi ynë kaq i vuajtur.

E pyeta gjithashtu Papën se çfarë do të donte t'i transmetonte popullit ukrainas, komunitetit tonë të ipeshkvijve katolikë. Dhe, natyrisht, dëgjova edhe një herë fjalë mbështetjeje. Papa na nxiti të mos humbim shpresën, sidomos tani, në këtë Vit Jubilar, edhe pse komuniteti ndërkombëtar, megjithëse po kërkon mënyra të ndryshme për të zgjidhur çështjen tonë, çështjen e kësaj lufte të përgjakshme, nuk gjen ende një zgjidhje. Fjalët e tij të mbështetjes ishin për mua si ato të një babai që e di se mund ta kalojmë këtë provë. Gjatë këtij takimi ndjeva një dorë atërore".

25 tetor 2025, 18:04