Vizita në Romë e Këngëtarëve të Yllit, Mesha me Papën Françesku
R.SH. / Vatikan
Prej më se 35 vjetësh, Missio Switzerland, drejtimi kombëtar i Shoqatave të Misionit Papnor të Zvicrës (PMS), organizon aksionin e Këngëtarëve të Yllit me moton "Fëmijët ndihmojnë fëmijët", në bashkëpunim me famullitë kishtare vendase. Fëmijët shkojnë shtëpi më shtëpi gjatë periudhës së Krishtlindjes e deri asaj të Epifanisë duke përhapur mesazhin e paqes dhe të bekimit për Vitin e Ri, me synim ndërgjegjësimin e atyre që takojnë, për të mbështetur projekte në favor të fëmijëve me çaste të vështira në mbarë botën.
Përveç grupit zviceran, 20 këngëtarë të tjerë të Yllit, nga Gjermania, Austria, Sllovakia, Tiroli i Jugut dhe Rumania, sivjet ishin në Romë ndërmjet Krishtlindjes dhe Vitit të Ri. Pika kryesore e këtyre ditëve romake ishte Mesha me Papën Françesku, më 1 janar.
Gjatë Meshës së Vitit të Ri, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit në Romë, Ati i Shenjtë Françesku i dhuroi një çast të veçantë Këngëtarëve të rinj të Yllit. Pak para fillimit të kremtimit eukaristik, duke vënë re se këngëtarët e Yllit qenë ulur në rreshtin e parë, i ftoi të bënin një foto në grup. Këngëtarët e Yllit luajtën një rol të rëndësishëm në kremtim, me rrobat dhe kurorat e tyre festive dhe duke sjellë dhurata në altar, gjatë ofertës.
Për Ännën, pjesëmarrëse e re nga famullia e Shëna Ndout në Bazel, takimi me Papën Françesku ishte një çast veçanërisht prekës “Nuk isha nervoze, por tejet e lumtur që Papa na kushtoi kohë”, tha me shumë entuziazëm. “Nuk do ta harroj kurrë se isha fare pranë Tij.”
Gjatë qëndrimit, të rinjtë vizituan Rojën Papnore Zvicerane e morën pjesë edhe në një vizitë në kazermë, në një Meshë të përbashkët dhe në një darkë të këndshme me pjesëtarët e Gardës. Më tej, të rinjtë e Bazelit çuan gëzimin e tyre në ambasadën zvicerane pranë Selisë Shenjtë, kënaqen me këngët e tyre pacientët e rinj të Spitalit Pediatrik Bambino Gesù dhe takuan kardinalin Kurt Koch në zyrën e tij. Kardinali, i lidhur thellësisht me ish-dioqezën e vet, shprehu mirënjohjen e tij për angazhimin e Swiss Star Singers në dobi të fëmijëve më të pafavorizuar. Një përvojë e veçantë për fëmijët ishte edhe kalimi i “Portës Shenjte”, hapur me rastin e fillimit të Vitit Shenjt.
Përveç bekimit të shtëpive të rajonit të tyre dhe mbledhjes së fondeve që këtë vit synojnë të ndihmojnë fëmijët në Kolumbi, Kenia dhe në Republikën Demokratike të Kongos, grupet Swiss Star Singers çuan mesazhin e tyre në Pallatin Federal më 16 dhjetor, ndërsa më 5 janar do të jenë në Europark në Rust, së bashku me dy delegacione nga Franca dhe Gjermania.