Të meditojmë me Ungjillin e dielës së II pas Krishtlindjes: Fjala u bë njeri!
R.SH. - Vatikan
Në të dielën II pas Krishtlindjes, vijojmë të reflektojmë mbi Mishërimin e Fjalës së Zotit. Ungjilli sipas Gjonit, që në kreun e parë (1,1-18), na thotë se pikërisht në këtë mister, njeriut i dhurohet jeta e amshuar, ndërsa akoma jeton në historinë e kësaj bote. Kështu, zbulohet plani i Hyjit për njerëzimin: kush e pranon Fjalën e bërë njeri, bëhet Bir i Zotit. Të ndjekim pjesën e Ungjillit nga Gjoni:
Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte në Hyjin e Fjala ishte Hyj. Kjo ishte në fillim në Hyjin. Prej Saj u bë çdo gjë e pa Të nuk u bë asgjë. E çdo gjë që u bë, e pati në Të jetën e Jeta është drita e njerëzve; e Drita shndriti në errësirë e errësira nuk e pushtoi.
Qe një njeri i dërguar prej Hyjit. Emri i tij ishte Gjon. Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar Dritën, që të gjithë të besojnë nëpër të. Ai nuk ishte Drita, por për të dëshmuar Dritën. Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri, erdhi në botë. Ishte në botë e bota u krijua prej Saj, e bota nuk e njohi. Erdhi ndër të vetët, e të tijtë nuk e pranuan. Atyre që e pranuan u dha zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit: atyre që besojnë në Emrin e tij. Këta s’i bëri bijtë të Hyjit as gjaku as prirja e mishit as prirja e njeriut, por Hyji. E Fjala u bë njeri e banoi ndër ne. Ne e pamë lavdinë e tij, atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm plot hire të vërtetë.
Gjoni e dëshmon Atë. Ai shpall: “Ky është ai, për të cilin thashë: ‘Ai që vjen pas meje, është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje’!” Vërtet, prej plotësisë së tij të gjithë ne morëm, madje, hir mbi hir. Vërtet, Ligji u dha nëpër Moisiun, porse hiri dhe e vërteta erdhën nëpër Jezu Krishtin. Hyjin kurrë askush nuk e pa: Biri i vetëm, që është Hyj, një natyrë me Atin, Ai bëri të njihet.
Të lutemi së bashku
Ti o Zot, nuk hyn në histori
si dritë që t’i lëbyr
e t’i lëndon sytë.
Ti nuk hedh poshtë porta,
duke na detyruar të të shohim
me doemos.
Nuk imponohesh me forcë,
pa na pyetur aspak.
Jo, o Jezu Krisht,
Ti rri jashtë derës,
troket e, pret përgjigje.
Nëse ta dëgjojmë zërin,
nëse ta hapim zemrën
Ti hyn në jetën tonë
e na mbush me dhurata.
Ti je dritë plot mirësi,
nuk na poshtëron, duke nxjerrë në pah,
gjëra të jetës, që do të donim
t’i mbulonin e t’i zhduknim
për të mos i parë as ne vetë.
Ti na e shndrit shtegun
e na kërkon të të pranojmë
si shok udhëtimi
të pabujshëm e besnik.
Ti je jetë, që mbështet
çdo fragment bukurie,
Ti je jetë, që di të njohë
çdo gjurmë mirësie,
Ti je jetë, që gjallëron
me mëshirë e durim.
Prandaj është kaq bukur kur zhytemi
në oqeanin tënd të paqes e të dritës.