Porta Shenjte e Shën Palit, Kard. Harvey: ka shpresë edhe në këtë kohë të plagosur
R.SH. / Vatikan
"Çfarë gëzimi, kur më thanë: ‘Do të shkojmë në shtëpinë e Zotit. Këmbët tona ndalen para portave të tua, o Jeruzalem". Fjalët e psalmistit dhe tingulli i bririt shoqëruan ritin e hapjes së Portës së fundit Shenjte, asaj të Bazilikës papnore të Shën Palit jashtë Mureve, në Romë, kryesuar sot, e diel, 5 janar, nga kardinali kryeprift James Michael Harvey. Sekuenca e çasteve dhe e skenave lidhej me atë që tashmë u jetua në fillim të Jubileut të Shpresës në Bazilikën e Shën Pjetrit, në burgun Rebibbia, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran dhe në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, përpara se të hynte në Bazilikën ku ruhen eshtrat e Apostullit të Popujve. Sytë e besimtarëve u kthyen drejt kryqit, në majë të timpanit të fasadës së stolisur me mozaikët e jetës që mposht vdekjen e mëkatin, ku ka dy fjalë latine: "Spes unica". Fjalë që e sigurojnë njeriun: “Krishti është shpresa, Porta për të hyrë në Mbretërinë e Zotit”.
Hapja e Portës Shenjte
Në Bazilikën e Shën Palit, në Udhën Ostiense, në Romë dhe në lagjen me të njëjtin emër pranë bregut të majtë të lumit Tiber, disa kilometra nga vendi ku u martirizua Apostulli i popujve, riti i hapjes së Portës Shenjte u shoqërua me lutje. Kardinali Harvey iu afrua Portës, në të djathtë të fasadës, realizuar në basorelieve bronzi me episode të rëndësishme nga jeta e Shën Palit. Më pas hapi kapakët e Portës, i shoqëruar nga lutja e heshtur e besimtarëve. Tingujt e këmbanave të Bazilikës i paraprinë çasteve në vijim. Kardinali Harvey e kaloi pragun ndërsa Bazilika kumbonte nga tingujt e himnit jubilar. Procesioni, në të cilin morën pjesë edhe anëtarët e bashkësisë murgare të Shën Palit Jashtë Mureve, u drejtua drejt Altarit të Dëshmisë. Kardinali Harvey, së bashku me kryeipeshkvin Rino Fisichella, proprefekt i Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin dhe organizator i Jubileut, përshkuan navatën e Bazilikës së Shën Palit.
Kisha fton shtegtarët në gjurmët e fesë
Në vijim, besimtarët dhe shtegtarët dëgjuan fragmentin nga Ungjilli i Gjonit mbi mishërimin e Fjalës së Zotit që "erdhi të jetojë mes nesh". Më pas, predikimin e kryepriftit të Bazilikës së Shën Palit jashtë Mureve u ndal në përshkrimin e hapjes së Portës Shenjte, "një akt sa i thjeshtë aq edhe ndjellës". “Me gëzim të pamasë e kaluam pragun e tempullit të shenjtë, sepse në mënyrë emblematike kaluam derën e shpresës” – theksoi.
Kombinimi që përshkroi ritin liturgjik të kryesuar në bazilikën e shkatërruar nga zjarri në shekullin e 19-të, u realizua nga dy fjalët kryesore të Vitit të Shenjtë: gëzim dhe shpresë. "Gëzim - tha Kardinali Harvey - sepse lindi Shëlbuesi, shpresë sepse Krishti është shpresa jonë". "Hapja e Portës Shenjte - kujtoi kardinali në vijim të homelisë - shënon udhën shpëtimtare të hapur nga Krishti, me mishërimin, vdekjen dhe ringjalljen e tij, duke u bërë thirrje të gjithë anëtarëve të Kishës të pajtohen me Zotin dhe me të afërmin e tyre". Të kalosh pragun e Portës Shenjte me besim do të thotë të hysh në "kohën e mëshirës dhe të faljes", në mënyrë që çdo njeriu "t’i hapet rruga e shpresës që nuk zhgënjen". “Sa na duhet shpresa tani! Në këtë periudhë post-pandemike - kujtoi në predikimin e tij kryeprifti i Bazilikës së Shën Palit Jashtë Mureve - fatkeqësisht të plagosur nga tragjeditë, luftërat dhe krizat e llojeve të ndryshme; shpresa, edhe pse pa dyshim e lidhur me të ardhmen, përjetohet edhe në të tashmen”.
Shpresa nuk është fjalë boshe!
Në fund të fundit, shpresa, siç kujtoi Papa Françesku në audiencën e përgjithshme më 11 dhjetorin e kaluar, "nuk është një fjalë boshe, apo dëshira jonë e paqartë që gjërat të shkojnë për mirë". "Shpresa - pohoi edhe kardinali Harvey, duke kujtuar atë që tha Papa - është siguri, sepse bazohet në besnikërinë e Zotit ndaj premtimeve të tij". Nuk duhet të mendojmë se shpresa është "virtyt pasiv", kohë në të cilën "presim që gjërat të ndodhin". Është, siç nënvizon Françesku, "virtyt jashtëzakonisht aktiv, që ndihmon në realizimin e tyre".
Jubileu i vitit 2025, si çdo vit shenjt, kërkon nga ne të bëhemi shtegtarë “gjymtyrë të një bashkësie që ka ecur në rrugët e kësaj bote për dy mijë vjet, duke shpallur ringjalljen e Zotit Jezus". Kisha e fton çdo shtegtar "të nisë udhëtimin shpirtëror në gjurmët e fesë". “Shpresa e krishterë – përfundoi kardinali Harvey – na mbështet vërtet në shtegtimin tonë”. Krishtlindja, Jubileu dhe shtegtimi i njerëzimit presin hapat e shtegtarëve të shpresës”.