Imzot Angelo Massafra Imzot Angelo Massafra

Imzot Massafra në fund të shërbimit në Shqipëri: “Fytyrat tuaja janë të dashura për mua dhe mbeten të pashlyeshme”

Kryeipeshkvi metropolit i Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra, përfundoi misionin e tij në krye të dioqezës e, edhe qëndrimin e tij në Shqipëri, dje, 6 janar, me një meshë lamtumire, në solemnitetin e Dëftimit të Zotit, por edhe në 28-vjetorin e shugurimit të tij ipeshkvnor nga Papa shenjt Gjon Pali II. Duke falënderuar Hyjin dhe të gjithë ata, që takoi gjatë shërbimit të tij, ai ia kaloi katedrën e Shkodër-Pultit pasardhësit, imzot Giovanni Peragine-s

R.SH. - Vatikan

Me këshillën për të qenë një Kishë e vetëdijshme për thirrjen e saj, mishërimin e Krishtit në kohën e sotme, si edhe për misionin e saj për t'i çuar të gjithë njerëzit tek Ai, kryeipeshkvi metropolit i Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra, përfundoi misionin në krye të dioqezës e, edhe qëndrimin e tij në Shqipëri.

Dje, 6 janar, në meshën e lamtumirës, në solemnitetin e Dëftimit të Zotit, por edhe në 28-vjetorin e shugurimit të tij ipeshkvnor nga Papa shenjt Gjon Pali II, imzot Massafra, siç tha vetë, ushtroi për herë të fundit plotësisht “munus sanctificandi”, pra, pushtetin ipeshkvnor për të shenjtëruar, për të kremtuar Eukaristinë Shenjte, “munus docendi”, pra, pushtetin për të mësuar, duke “thyer” me të pranishmit në meshë bukën e Fjalës së Hyjit, si edhe “munus regendi”, pra, pushtetin për të qeverisur, të cilin ia kaloi pasardhësit në katedrën e Shkodër-Pultit, imzot Giovanni Peragine-s, duke i shprehur vlerësimin dhe urimin për një shërbim të frytshëm.

Ndërsa përshkoi leximet liturgjike të ditës, imzot Massafra nuk e harroi as Jubileun e sapofilluar me temën “Shtegtarë të shpresës”, duke u nisur nga shtegtimi i Mbretërve Dijetarë tek Foshnja Hyjnore. “Shtegtimi i njerëzve të urtë, që shkojnë te Jezusi, sjell pasiguri, përvujtëri për të kërkuar pa pretenduar se dinë gjithçka (këtu qëndron urtia e vërtetë!), aftësi për t’i lexuar shenjat, vendosmëri dhe qëndrueshmëri në ecje, por sidomos fe dhe padyshim shpresë – nënvizoi ai. - Edhe ne, jemi gjithmonë në ecje dhe si të tillë duhet t'i kalojmë të gjitha këto sprova dhe na kërkohen këto aftësi. Të mos e humbasim shpresën!”

Së fundi, duke falënderuar së pari Hyjin, imzot Massafra pati një fjalë për këdo takoi gjatë 28 viteve të tij si ipeshkëv në Shkodër. “Fytyrat tuaja – vuri në dukje ai - janë të dashura për mua dhe mbeten të pashlyeshme në kujtesën time; si ata që më shoqëruan në shërbim, ashtu edhe ata që e panë të arsyeshme të mos e bëjnë atë. Kërkoj falje nëse kam bërë keq ndonjë gjë dhe fal me gjithë zemër, sipas mësimit të Mësuesit dhe Zotit tim Jezu Krishtit. Po kthehem në tokën time të origjinës dhe në Urdhrin e Fretërve Minorë, që më dërgoi mes jush si misionar. Po ju lë me fjalët e atit tim Shën Françeskut. Në fund të jetës së tij, pasi realizoi të gjitha të mirat për të cilat ishte i aftë, iu drejtua vëllezërve të tij me këto fjalë: “Të fillojmë, o vëllezër, që t'i shërbejmë Zotit Hyj, sepse deri tani kemi bërë pak, ose aspak!”. Dhe përsëri u tha fretërve: “Unë e bëra detyrën time; përsa u përket juve, Krishti jua mësoftë atë!”.

Pikërisht në përfundim të shërbimit të tij, imzot Angelo Massafra i dha një intervistë kryeredaktorit të programit shqip të Radio Vatikanit – Vatican News, don David Xhuxhës. Ju ftojmë ta dëgjoni.

Ja intervista e plotë me imzot Angelo Massafra-n...
07 janar 2025, 10:50