Fjala e Zotit, e Dielës së 2-të pas Krishtlindjes
R.SH. - Vatikan
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së II pas Krishtlindjes, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.
Fjala e Zotit e dielës së 2-të pas Krishtlindjes
Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele të Dytë pas Krishtlindjes ka në qendër të vëmendjes Hyrjen e Ungjillit të Shën Gjonit, që shpreh, në formë himni, Misterin e Mishërimit të Birit të Hyjit predikuar nga Apostujt, të cilët e panë me sytë e tyre zbritjen e Zotit ndër ne. E me fjalët e Shën Gjonit, na rikujton se: “...Fjala u bë njeri, e banoi ndër ne. ..e... Prej plotësisë së Tij të gjithë morëm hire e mbi hire”.
Krishtlindja është dhuratë dashurie, që na mëson ç’do të thotë të japësh falas, pa kurrfarë interesi: ky është kuptimi i Mishërimit të Jezusit. Për këtë na flet Ungjilli i kësaj së diele nga Gjoni (1,1-18) duke na folur për ngjarjen fillestare të shëlbimit. Kisha na fton që si të krishterët ta rifitojmë mahnitjen përballë këtij misteri të pashembullt. Fragmenti i njohur i Ungjillit të Gjonit, pra, ndalet posaçërisht tek misteri i Hyjit, që zbriti nga qielli, për të hyrë në korpin tonë. Zoti u bë njeri si ne, me mish e gjak njerëzor. Mendoi si njeri. Deshi si njeri. Pati nënë, baba, miq.
Çdo vit Zoti vjen në historine, domethënë, në kohën, hapësirën e, sidomos, në ligështinë njerëzore. Pikërisht këtë na kujton pjesa e Ungjillit të kësaj së diele të Dytë pas Krishtlindjes, nga Gjoni, duke përmbledhur, kështu, Misterin e madh të Misherimit te Zotit, në një shprehje tejet të shkurtër “Fjala u bë njeri”. E kjo, për të thënë se shëlbimi, që solli Zoti i Mishëruar në Jezusin e Nazaretit, e prek njeriun në realitetin e tij konkret e në çfarëdo lloj situate. Hyji pranoi të jetojë si njeri, për ta shëruar njeriun nga gjithçka e ndan prej Tij, për t’i krijuar mundësinë ta quajë, në Birin e Tij të Parëlindur, me emrin ‘Abbà, Atë’, e për të qenë vërtet bir i Hyjit.
Ungjilli i Gjonit na flet për përmasat e jashtëzakonshme të mishërimit të Birit të Zotit, duke vënë në dukje disa aspekte të kësaj ngjarjeje të pashoqe. Mbi të gjitha, vlerën që ka dhurata. Duke përjashtuar dhuratat, që bëhen për forcë zakoni, dhurata shpreh dashuri, është shenjë dashamirësie e nderimi. Po Zoti shkoi shumë më përtej, u bë njeri si ne, për të na dhuruar natyrën e tij hyjnore. E duke bërë kështu, i dha një masë të re aktit të dhurimit.
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë Sir 24, 1-4.12-16
Lexim prej Librit të Siracidit
Urtia lëvdon vetveten, në Hyjin e gjen nderin dhe do të mburret në mes të popullit të vet, në bashkim të Tejetlartit do ta çelë gojën dhe lëvdohet në praninë e tij: lartësohet në mes të popullit të vet, do të çmohet me nderim në mbledhjen e shenjtë, lavdi do të ketë në turmën e të zgjedhurve dhe në mes të bekuarve do të bekohet. Atëherë më urdhëroi Krijuesi i gjithësisë, Ai që më krijoi mua, paqe i dha banesës sime duke më thënë: “Ngule banesën në Jakobin e merre për pronë Izraelin dhe lësho rrënjë në të zgjedhurit e mi”.
Qysh në fillim, para çdo kohe, kam qenë krijuar dhe s’do të mbaroj askurrë! Para tij kam shërbyer në Tendën e shenjtë e kështu kam ngulur banesën në Sion. Kështu më dha pushim në qytetin e dashur dhe pushtetin e kam në Jerusalem. Kështu u rrënjosa në një popull të ndershëm, në pjesën e Zotit, në trashëgimin e tij, dhe banimi im është në mesin e shenjtërve. Fjala e Zotit
Psalmi (147)
Fjala e Zotit u bë njeri e banoi ndër ne
Lavdëroje, Jerusalem, Zotin,
madhëroje, o Sion, Hyjin tënd!
Sepse i forcoi shulat e dyerve të tua,
i bekoi bijtë e tu në ty!
Fjala e Zotit u bë njeri e banoi ndër ne
Ai ua siguron kufijve të tu paqen,
ai të ushqen me palcën e grurit.
Ai e dërgon fjalën e vet mbi tokë,
lajmi i tij vrapon me shpejtësi.
Fjala e Zotit u bë njeri e banoi ndër ne
Ai ia zbulon fjalën e vet Jakobit,
drejtësitë e gjyqet e veta Izraelit.
Nuk bëri kështu me asnjë komb tjetër:
asnjërit nuk ia zbuloi vendimet e veta.
Fjala e Zotit u bë njeri e banoi ndër ne
Leximi i dytë (Ef 1, 3-6.15-18)
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve
Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror në qiell në Krishtin. Në të na zgjodhi para krijimit të botës që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri. Ai na parashënoi për vete të jemi bij në shpirt në saje të Jezu Krishtit me pëlqimin e vullnetit të vet për nder të lavdisë së hirit të tij me të cilin na pajisi me anë të Birit të vet të dashur.
Prandaj edhe unë, qysh se dëgjova për fenë tuaj në Jezusin Zot dhe për dashurinë kundrejt të gjithë shenjtërve, nuk pushoj të falënderohem për ju e t’ju kujtoj në urata të mia, që Hyji i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i lavdisë, t’ju japë Shpirtin e dijes e të zbulesës për ta njohur Atë; t’ju japë syve të zemrës suaj dritë, që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja e tij, begatinë e pakufishme të trashëgimit të tij ndër shenjtër. Fjala e Zotit!
Aleluja!
Lavdi ty, o Krisht, i predikuar ndër paganë; lavdi ty, o Krisht, i besuar në botë.
Aleluja!
Ungjilli (Gjn 1, 1-18)
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte në Hyjin e Fjala ishte Hyj. Kjo ishte në fillim në Hyjin. Prej Saj u bë çdo gjë e pa Të nuk u bë asgjë. E çdo gjë që u bë, e pati në Të jetën e Jeta është drita e njerëzve; e Drita shndriti në errësirë e errësira nuk e pushtoi.
Qe një njeri i dërguar prej Hyjit. Emri i tij ishte Gjon. Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar Dritën, që të gjithë të besojnë nëpër të. Ai nuk ishte Drita, por për të dëshmuar Dritën. Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri, erdhi në botë. Ishte në botë e bota u krijua prej Saj, e bota nuk e njohi. Erdhi ndër të vetët, e të tijtë nuk e pranuan. Atyre që e pranuan u dha zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit: atyre që besojnë në Emrin e tij. Këta s’i bëri bijtë të Hyjit as gjaku as prirja e mishit as prirja e njeriut, por Hyji. E Fjala u bë njeri e banoi ndër ne. Ne e pamë lavdinë e tij, atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm plot hire të vërtetë.
Gjoni e dëshmon Atë. Ai shpall: “Ky është ai, për të cilin thashë: ‘Ai që vjen pas meje, është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje’!” Vërtet, prej plotësisë së tij të gjithë ne morëm, madje, hir mbi hir. Vërtet, Ligji u dha nëpër Moisiun, porse hiri dhe e vërteta erdhën nëpër Jezu Krishtin. Hyjin kurrë askush nuk e pa: Biri i vetëm, që është Hyj, një natyrë me Atin, Ai bëri të njihet. Fjala e Zotit!
Homelia nga dioqeza e Shkodrës, dom Dritan Ndoci:
E DIELA II PAS KRISHTLINDJES - E FJALA U BË NJERI E BANOI NDËR NE.
(Sir 24, 1-4. 12-16; Ps 147; Ef 1, 3-6. 15-18; Gjn 1, 1-18)
Në këtë të Diele të Dytë pas Krishtlindjes përjetohet ende e freskët klima e hareshme që kjo festë na ka sjedhur. Kaq e freskët është kjo klimë, saqë edhe Ungjilli i sotëm është i njëjti me Ungjillin që kemi dëgjuar ditën e Krishtlindjes. Por, duke qenë se është i paraprirë nga lexime të tjera, na fton që t’i afrohemi atij nga një këndvështrim pak më ndryshe.
Në leximin e parë sot kemi dëgjuar një pjesë të shkëputur nga libri i Siracidit. Ky libër bën pjesë në ato libra të Besëlidhjes së Vjetër të cilët quhen ndryshe edhe librat e Urtisë. Janë libra të shkruar nga njerëz të mençur e të urtë të cilët, duke qenë thellësisht besimtarë, e kanë menduar fenë e tyre dhe, nën frymëzimin e Hyjit, kanë shkruar tekste të një thellësie të madhe jo vetëm feje, por edhe për sa i përket njohjes së jetës së përditshme dhe kuptimit të jetës.
Në këta libra përmendet shpesh termi Urti. Është një term i një rëndësie të veçantë sepse nuk nënkupton vetëm aftësinë e njeriut për të qenë i urtë, i mençur, por kryesisht nënkupton Urtinë që vjen prej Hyjit. Kur këta autorë të shenjtë flasin për këtë lloj Urtie, duket sikur po përshkruajnë një personazh të gjallë. Mbreti Salomon pikërisht kështu e përshkroi kur iu lut Hyjit që t’i dhuronte Urtinë: «O Hyj i etërve të mi dhe Zoti i mëshirës, [...] ma jep urtinë që rri në fron pranë teje.» (Ur 9, 1. 4) E arrin të shprehet deri edhe me këto fjalë: «Me ty është urtia që i njeh veprat e tua, që ishte pranë edhe atëherë kur e krijove rruzullin, dhe e dinte çfarë është e pëlqyeshme në sytë e tu» (Ur 9, 9).
Edhe në leximin e sotëm kemi dëgjuar të flitet për Urtinë pikërisht si për një person të gjallë: «Urtia lëvdon vetveten». Madje vihen në gojën e saj këto fjalë: «Ai që më krijoi, paqe i dha banesës sime duke më thënë: “Ngule banesën në Jakobin e merre për pronë Izraelin dhe lësho rrënjë në të zgjedhurit e mi”».
Por të mos ngutemi për të thënë se ata po profetizonin për Birin e Hyjit. Teksti i sotëm thotë se urtia është një krijesë («Atëherë më urdhëroi Krijuesi i gjithësisë, Ai që më krijoi mua»), ndërsa Biri i Hyjit «i lindur e jo i krijuar» prej Atit.
Për izraelitët kjo Urti përfaqësonte më fort Ligjin të cilin Hyji ua kishte dhuruar nëpërmjet Moisiut. Në hebraisht, fjala Ligj përkthehet Torah.
Kaq i çmueshëm ishte për Izraelin ky Ligj, saqë shihej si dhurata më e madhe që Hyji mund t’i bënte. Psalmi i sotëm na bënë ta vërejmë një mirënjohje të tillë: «Lëvdoje, Jerusalem Zotin. [...] Ai ia zbulon fjalën e vet Jakobit, drejtësinë e gjyqet e veta Izraelit. Nuk bëri kështu me asnjë komb tjetër: asnjërit nuk ia zbuloi vendimet e veta».
Ja pra: Ligji i Hyjit – ku qendra ishin Dhjetë Urdhërimet – ishte Urtia, Dija e Hyjit. Këtë Urti Ai ia ka bërë ta njohë edhe popullit të vet. E thënë me fjalën e Siracidit, kjo Urti e ka «ngulur banesën e vet në Jakobin [Izraelin].» E, dhënia e Ligjit, ishte garancia e pranisë së Hyjit në mesin e popullit të vet.
Ka shumë rëndësi ky imazhi i «nguljes së banesës», sepse sot në Ungjill përdoret sërish i njëjti term. Në njërin prej rreshtave të kësaj pjese thuhet: «E Fjala u bë njeri e banoi ndër ne», por, në origjinalin grek, thuhet tekstualisht: «E Fjala u bë njeri dhe e vendosi tendën e vet në mesin tonë».
Kjo na bën të kuptojmë shumë gjëra. Në librin e Daljes flitet për udhëtimin e popullit të Izraelit nëpër shkretëtirë dhe shpesh thuhet se si Hyji, i mbështjellë me re, zbriste mbi tendën ku ruhej Arka e Besëlidhjes me dy pllakat e Dhjetë Urdhërimeve brenda saj. Ajo tendë, në të cilën gjendej Arka e Besëlidhjes, ishte garancia e pranisë së Hyjit në mesin e popullit të vet dhe, sa herë që Hyji zbriste mbi këtë tendë me re, populli e kuptonte se Hyji po i thoshte të niseshin në marshim.
Tani mund ta kuptojmë më kollaj atë rresht të Ungjillit «E Fjala u bë njeri dhe e vendosi tendën e vet në mesin tonë»: Shën Gjoni ungjilltar ka dashur të na tregojë se tashmë garancia e pranisë së Hyjit në mes nesh nuk është më tenda me Arkën e Besëlidhjes, por vetë Jezusi, Biri i Hyjit i bërë Njeri.
Ligji ishte si përgatitje për ardhjen e Birit, por Ligji as që nuk mund të krahasohej me Të. Ligji është si një pasqyrë që të bën të shohësh ku je mirë e ku je keq, por nuk ka forcën të të ndihmojë nga brenda. Nga brenda të ndihmon vetëm Hiri i Hyjit, i cili të shtyn në njohjen e së vërtetës. E kjo forcë na u dha vetëm në Jezusin: «Vërtetë, Ligji u dha nëpër Moisiun, porse Hiri dhe e vërteta erdhën nëpër Jezu Krishtin» Ky, Jezusi, është udhërrëfyesi i vetëm për kah njohja e plotë e Hyjit: «Hyjin kurrë askush nuk e pa: Biri i vetëm – që është Hyj, një natyre me Atin – Ai bëri të njihet.» Jezusi është garancia e pranisë së Hyjit në mesin e popullit të vet ngaqë është Ai vetë Hyj. Ligji ishte veçse përgatitja dhe kalitja që Hyji po i bënte Izraelit për pranimin e Birit të vet – të cilin ungjilltari sot e quan Fjala – që u bë njeri. E Urtia, Dija e Hyjit, përmes së cilës Hyji krijoi gjithësinë dhe e mban atë, është Jezusi, Biri i Tij: «Në fillim ishte Fjala e Fjala ishte në Hyjin e Fjala ishte Hyj. Kjo ishte në fillim në Hyjin. Prej Saj u bë çdo gjë e pa Të nuk u bë asgjë».
T’i hapemi, pra, dhe ta lëmë të na flasë kjo Fjalë e Hyjit. Ta ndjekim Birin e Hyjit që u bë Njeri – i cili e vendosi tendën e Tij në mesin tonë –, sepse vetëm bashkimi më Të është garancia se jemi në praninë e Hyjit. Ai është Urtia që na udhëheq kah njohja e Hyjit të papashëm dhe kah njohja e duhur e njeriut.
Le ta bëjmë Shën Palin të gëzohet edhe për ne ashtu siç u gëzua për Efesianët: «Qysh se dëgjova për fenë tuaj në Jezusin Zot dhe për dashurinë kundrejt të gjithë shenjtërve, nuk pushoj të falënderohem për ju e t’ju kujtoj në urata e mia».
Këtu termi “shenjtërit” nënkupton bashkësinë e të krishterëve. Shën Pali gëzohet kur sheh se në Kishë jetohet dashuria e mësuar nga Jezusi, sepse vetëm ajo lloj dashurie është dashuria e vërtetë. Kur duam ashtu siç na e ka mësuar Jezusi, do të thotë se kemi filluar ta njohim siç duhet fytyrën e Hyjit dhe se kush duhet të jetë njeriu. Vetëm prej Birit të Hyjit të bërë njeri ne mund ta njohim të vërtetën mbi Hyjin dhe mbi njeriun.
Sikurse dikur populli i Izraelit ecte i sigurt në shkretëtirë kur Hyji zbriste mbi Arkën e Besëlidhjes, ashtu tani ne jemi të thirrur të ecim edhe më të sigurt pas Jezusit në shkretëtirat e jetës sonë. E thoshte edhe Shën Piu nga Pietrelçina: «Jezusi Fëmijë qoftë ylli që të udhëheq gjatë ecjes në shkretëtirën e kësaj jete».