Të meditojmë me Ungjillin e Familjes Shenjte
R.SH. – Vatikan
E diela në mes të Tetëditëshes së Krishtlindjes na bën të meditojmë për familjen e Jezu Krishtit. Kështu, kuptohet më mirë ngjarja qendrore e kremtuar në Krishtlindje, mishërimi, i cili nuk kufizohet vetëm në lindjen e Jezusit, por shtrihet në rritjen e tij fizike, psikologjike dhe shpirtërore (shih Lk 2,52), në zhvillimin e tij njerëzor brenda një familjeje dhe një kuadri të caktuar kulturor e fetar, ku përfshihen shtegtimi vjetor në Jerusalem, festa e Pashkëve, tempulli, mësimi i librit të shenjtë Torah me mësuesit.
Episodi i shtegtimit të familjes së Nazaretit në tempullin e Jerusalemit përbën fundin e historive të fëmijërisë së Jezusit. Menjëherë pas, shën Luka ungjilltar e vijon tregimin ungjillor me dëshminë e pagëzimit të Krishtit nga ana e Gjon Pagëzuesit (v. 3). Me të vërtetë, tregimi i tij duket si i inkuadruar nga theksi mbi rritjen e Jezusit (v. 40.52): dëshirohet kështu të mbushet, të paktën pjesërisht, heshtja mbi adoleshencën dhe rininë e Foshnjës së Betlehemit. Ky tregim mund të ndahet në disa pjesë: shtegtimi në Jerusalem (v. 41-43); kërkimi i Jezusit nga ana e Jozefit dhe e Marisë (v. 44-47) dhe dialogu ndërmjet Jezusit dhe prindërve (48-50), me përfundimin e krejt historisë(v. 51-52), me rastin e festës së Pashkëve. Por të ndjekim pjesën ungjillore marrë nga Shën Luka (2,41-52)...
Prindërit e Jezusit për çdo vit shkonin në Jerusalem për të kremten e Pashkëve. Kur Jezusi i mbushi të dymbëdhjetat, u ngjitën sipas dokes së festës. Si kaluan ato ditë, ata u kthyen, kurse Jezusi ende fëmijë, u ndal në Jerusalem pa dijen e prindërve të vet. Duke qenë të bindur se është me turmën, ecën ashtu një ditë rrugë e atëherë zunë ta kërkojnë ndër kushërinj e të njohur. Pasi nuk e gjetën, u kthyen në Jerusalem për ta kërkuar. Pas tri ditësh e gjetën në Tempull mes dijetarësh duke i dëgjuar ata dhe duke u bërë pyetje. Të gjithë ata që e dëgjonin, i mrekullonte dija dhe përgjigjet e tija. Kur e panë, u çuditën dhe e ëma i tha: “Ç’na bëre kështu, o bir? Ja, yt atë dhe unë të kërkuam plot pikëllim!” Ai u përgjigji: “Po, pse më kërkuat? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?” Por ata nuk kuptuan çka deshi t’u thotë. Atëherë Jezusi u kthye me ta, erdhi në Nazaret dhe i dëgjonte. E ëma i ruante me kujdes në zemër të gjitha këto ngjarje. Ndërkaq Jezusi përparonte në dije, në moshë e në hir para Hyjit e para njerëzve.
Të lutemi së bashku
Edhe Maria e Jozefi, si gjithë prindërit,
u desh ta kuptonin
se nuk mund të vendosnin ata vetë për të ardhmen tënde.
Sepse Tij, o Jezus, si të gjithë bijtë,
duhet t’i marrësh vetë vendimet themelore
që të duhen për jetën.
Edhe Maria e Jozefi, si gjithë prindërit,
zbuluan detyrën e tyre themelore:
të përgatisin për jetën një krijesë
që pastaj, pashmangshmërisht, do të ndërmarrë
rrugën e vet, një udhë të paparashikueshme,
në të cilën do të ecë me liri.
Edhe Maria e Jozefi, si gjithë prindërit,
e kuptuan se kishte ardhur çasti
për t’u mënjanuar,
pasi kishin dhuruar çdo gjë
për të cilën ka nevojë një fëmijë:
dashurinë e çiltër, orientimin e sigurt,
fenë e sinqertë, bërë nga fjalë,
por edhe nga gjeste të përditshme.
Edhe Maria e Jozefi, si gjithë prindërit,
e provuan personalisht ç’do të thotë
të respektosh etapat e ndryshme
të rritjes së një fëmije.
Në fund të fundit, edhe Ti, o Jezus,
duke u kthyer me ta në Nazaret,
vazhdove t’ua njohësh rolin
dhe autoritetin e tyre.