Taizé, takimi evropian i të rinjve në Tallinn
R.SH. / Vatikan
Ta gjejsh vetveten në Talin nuk është rastësi, por përfaqëson një simbol. Të fuqishëm. “Këtë vit, në një çast kaq delikat të historisë, na dukej veçanërisht e rëndësishme të ishim të pranishëm si dëshmitarë të paqes, në kryeqytetin e një kombi të vogël, që ndodhet në Evropën Lindore dhe pak hapa larg Rusisë.
Shenjë e vëllazërisë
Kur Eprori i Bashkësisë së Taizé-s, Vëlla Mateu përdor shumësin, ka në mendje një gjë të vetme: mijëra të rinj evropianë të cilët që sot po marrin pjesë në Shtegtimin e 47-të të besimit mbi Tokë, organizuar nga Bashkësia e Taizé-së (shqipto Tezesë), që do të përfundojë më 1 janar. Natyrisht - nis t'u tregojë mediave të Vatikanit i pari i realitetit ekumenik monastik kristian, sot i përbërë nga rreth tetëdhjetë vëllezër katolikë, anglikanë dhe protestantë - "ne nuk kemi ardhur këtu për të gjetur zgjidhje të lehta: jemi këtu për t’u lutur të gjithë së bashku, ndërmjet të krishterëve. Lutja mund të jetë edhe shenjë e dëshirës së të rinjve për të jetuar vëllazërinë në Krishtin, e cila më pas të çon në paqen e vërtetë".
Bashkëpunim për unitet
Përmasa ekumenike, që përshkon të gjithë ngjarjen - pritur në vende evropiane gjithnjë në ndryshim që nga viti 1978 - mund të perceptohet gjithashtu nga organizimi i këtij viti, i cili përfshiu tërësisht Këshillin e Kishave të Krishtere të Estonisë: “Kisha më e madhe është ajo luterane, por kanë bashkëpunuar edhe ajo katolike si dhe disa kisha ortodokse e baptiste. Kjo përfshirje është shumë e rëndësishme për ne”.
Ekumenizmi praktik
Një ekumenizëm që është edhe praktik, sepse të rinjtë, gjatë gjithë periudhës së manifestimit, priten në bashkësitë e ndryshme të krishtera: famulli, familje, qendra fetare, shkolla. “Mëngjesi fillon gjithmonë me një çast lutjeje, me këngë, me dëgjim të Fjalës së Zotit, pastaj nuk mungojnë kohët e heshtjes dhe koha e përshtatshme për diskutim ndërmjet të rinjve dhe njerëzve që i presin, për të shkuar thellë në rrënjët e vëllazërisë”.
Lutja në qendër
Lutjet, çdo ditë, do të bëhen në tri Kisha në qendër të qytetit: dy luterane dhe një baptiste. “Pasdite planifikohen laboratorë të shumtë, të cilët do t'u kushtohen temave të ndryshme: nga kultura - te mjedisi, nga angazhimi konkret në shoqëri - tek ai në besim. Mbrëmja përfundon me një lutje kolektive në stadiumin e akullit, të përgatitur për këtë rast".
Lidhja me Jubileun
Vëllai Mateu, më pas, vë në dukje një rastësi provanie: Shtegtimi i 47-të i Besimit mbi Tokë këtë vit filloi një ditë pas hapjes së Jubileut 2025, i përqendruar te shpresa: “A e dini se si desha ta titulloja letrën time që i jepte konkretësi temës qendrore të takimit tonë? “Duke shpresuar përtej çdo shprese". Teksti u shkrua me një metodë ndoshta të pazakontë, por efektive: me të dëgjuarit paraprakisht, drejtpërdrejt dhe pa asnjë ndërmjetësim, të tregimeve të të rinjve që jetojnë në situata të vështira, ndonjëherë të dëshpëruara. «Mblodha tregimet e atyre që jetojnë në Liban, në Betlehem, Myanmar. Sepse është e lehtë të flasësh për shpresën, kur jeton në qetësi. Por për të kuptuar vërtet se çfarë është, ne duhet të meditojmë mbi këto dëshmi”.
Unë dëgjoj, për të kuptuar
Atë që dëgjoi, nuk ngurroj ta krahasoj me një mrekulli: “Është e vërtetë. Unë arrita të kuptoj rolin e rëndësishëm që luan besimi në jetën e këtyre të rinjve. Dhe si i ndihmon feja në Ringjallje për të kuptuar se vuajtja dhe vdekja nuk do ta kenë fjalën e fundit. Dhe më pas, ajo që më goditi, ishte aftësia e tyre për elasticitet: pavarësisht nga gjithçka, ata përpiqen të ecin përpara. Për mua është sfidë e madhe”.
Ndryshimet e epokës
Vëllai Mateu sigurisht që nuk mund ta fshijë nga mendja kujtimin e takimit të parë të të rinjve evropianë, që Bashkësia e Taizé-së organizoi në Paris, më 1978. Por që atëherë bota nuk është më e njëjtë, si të rinjtë. “Vitet e fundit jemi përpjekur të rrisim bashkëpunimin me Kishat lokale, sepse ky nuk është thjesht takim i Taizésë, i komunitetit tonë, por është ngjarje ekumenike. Ne e ndërtojmë programin së bashku. Krahasuar me tridhjetë vjet më parë, mbledhjet janë bërë më të vogla, por ka përvojë më të madhe në jetën e kishave lokale”.