Raporti Fides: në vitin 2024 u vranë 13 misionarë
R. SH - Vatikan
Trembëdhjetë vetë, që dhuruan jetën duke derdhur gjakun. Trembëdhjetë njerëz të pagëzuar, priftërinj, rregulltarë e laikë, në shërbimin baritor ndër skajet më largëta të Tokës. Trembëdhjetë njerëz, që shpesh në heshtje, larg vëmendjes të botës së madhe, kryen me përkushtim dhe thjeshtësi veprën apostolike të shpalljes së Ungjillit, dhuratën e sakramenteve dhe të bamirësisë.
Raporti i Fides
Si çdo vit, Raporti nga Agjensia Fides, organ i Veprës Misionare Papnore, tregon historitë e misionarëve dhe të veprimtarëve baritorë, të vrarë në mbarë botën. Agjencia, në Dikasterin për Ungjillëzimin, në punën e monitorimit të atyre që dhanë jetën ndërsa, me besim, ishin të angazhuar në shërbim të Kishës, shqyrton një horizont të gjerë dhe i regjistron të gjithë katolikët e përfshirë në një farë mënyre në punët baritore dhe kishtare, të vdekur dhunshëm, edhe pse jo barbarisht "nga urrejtja për fenë". Prandaj autorëve të dosjes u duket e arsyeshme të mos përdorin termin "martirë", përveçse në kuptimin etimologjik të fjalës "dëshmitarë", për të mos hyrë në gjykimin që Kisha mund të japë për disa prej tyre përmes proceseve të kanonizimit.
Harta e dhunës
Sipas të dhënave të vërtetuara nga Agenzia Fides, në vitin 2024 në botë u vranë tetë priftërinj dhe pesë laikë. Gjashtë prej tyre humbën jetën në Afrikë, pesë në Amerikë, dy ndër kontinente, të cilat vitet e fundit “zunë vendin e parë në këtë renditje tragjike”, sqaron raporti. Renditje që nis me Afrikën, ku u vranë dy priftërinj: një në Afrikën e Jugut dhe një në Kamerun, e më pas edhe një katekist dhe një vullnetar në Burkina Faso dhe një laik në Republikën Demokratike të Kongos.
Në kontinentin amerikan, një prift u vra në Kolumbi, një në Ekuador dhe një tjetër në Meksikë. Laikët, që u qëlluan për vdekje, ishin: një bashkëpunëtor famullie në Brazil e një laik në Honduras.
Në listë është edhe Evropa: në Spanjë Juan Antonio Llorente, frat françeskan i Zojës së Papërlyer u vra në manastirin ku jetonte, në Gilet. Në Poloni, Ati Lech Lachowicz, 72 vjeç, vdiq pasi u sulmua nga një burrë që hyri në rektorat i armatosur me sopatë. Në vitin 2024 nuk ka asnjë misionar të vrarë në Azi, por ka disa kombe në kontinentin e gjerë ku punëtorët baritorë rrezikuan jetën ose u plagosën rëndë për shkak të konflikteve, trazirave dhe krimit.
Angazhimi misionar
Në informacionet e verifikuara dhe të publikuara nga Fides, nga biografitë e viktimave dalin pamje të jetës së përditshme të karakterizuara shpesh nga dhuna, varfëria, shtypja dhe pasiguria. Kujtojmë rastin e Juan Antonio López, koordinator i kujdesit social baritor në dioqezën e Truijllos dhe anëtar themelues i kujdesit baritor për ekologjinë integrale në Honduras, i njohur për veprimtarinë në fushën e drejtësisë sociale, “që mori forcë e guxim nga feja e tij të krishterë” - lexojmë. Vrasja e López, i cili kishte denoncuar lidhjet e dyshuara të anëtarëve të administratës komunale të Tocoa me krimin e organizuar, ndodhi në rrethanat e ndjekjes në rritje kundër mbrojtësve të të drejtave të njeriut në Honduras.
Papa Françesku, në Engjëllin e Tënzot të 22 shtatorit, nënvizoi rëndësinë e mbrojtjes së atyre që i dalin zot drejtësisë dhe "që angazhohen për të mirën e përbashkët, duke iu përgjigjur me gjakun e tyre britmës të të varfërve dhe të tokës".
Që nga fillimi i mijëvjeçarit: 608 dëshmorë
Lista e trembëdhjetë të vrarëve në vitin 2024, i shtohet numrit të misionarëve dhe punëtorëve të tjerë baritorë, që dhanë jetën: duke nisur nga viti 2000, arrin në 608 persona, vëren Fides.
“Këta vëllezër dhe motra mund të duken si dështime, por sot e shohim qartë se nuk është ashtu. Tani, si atëherë, fara e flijimeve të tyre, e cila duket se vdes, mbin rishtas, jep fryt, “sepse Zoti nëpërmjet tyre vazhdon të bëjë mrekulli, të ndryshojë zemrat dhe të shpëtojë njerëzit" – na kujtoi Papa Françesku më 26 dhjetor 2023, në festën liturgjike të Shën Shtjefnit protomartir.