Kërko

Patriarku Pizzaballa në meshën e kremtuar në Betlehem Patriarku Pizzaballa në meshën e kremtuar në Betlehem

Patriarku Pizzaballa: gëzimi i Krishtlindjes kundër retorikës së luftës

Në Betlehem, mesha e Krishtlindjes e Patriarkut Latin të Jeruzalemit, me ftesën për të qenë "shtegtarë të shpresës edhe në mes të rrugëve e të shtëpive të shkatërruara" nga konflikti

R.SH. – Vatikan

         2024-a ka qenë "një vit i lodhshëm, me lot, gjak, vuajtje, shpresa shpesh të zhgënjyera dhe me projekte të parealizuara për paqe e drejtësi": kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriarku i Jerusalemit të Latinëve, nuk i fsheh vështirësitë ndërsa shpall gëzimin për lindjen e Jezu Krishtit Shëlbues e Shpëtimtar, në një kuadër të karakterizuar tragjikisht nga lufta. Në homelinë e meshës së Krishtlindjes, më 24 dhjetor në Betlehem, kardinali vuri në dukje "ndjesinë e pakëndshme të fjalëve të kota, madje, edhe të atyre të fesë, para ashpërsisë së realitetit, dëshmisë së një vuajtjeje, që duket se s’ka ndërmend të mbarojë".

Qëndresë pa frikë në udhën e drejtësisë

Megjithatë, shtoi ai, "Krishtlindja e Zotit është e gjitha këtu: përmes Birit të Tij, Ati Qiellor hyn në historinë tonë dhe merr përsipër barrën e saj, ndan vuajtjet dhe lotët e saj deri në gjakderdhje dhe i ofron një rrugëdalje jete e shprese”. Fuqia e dashurisë së Zotit – pohoi Patriarku - "na kërkon të mos kemi frikë nga pushteti i kësaj bote, por të ngulmojmë në rrugën e drejtësisë dhe të paqes". Që këtej, ftesa për të besuar me fe, sepse të krishterët në Lindjen e Mesme janë vërtet "të paktë dhe ndoshta edhe të parëndësishëm në plejadën e pushtetit dhe në tabelën e shahut ku luhen lojërat e interesave ekonomike dhe politike", por ata përfaqësojnë "popullin, të cilit i drejtohet gëzimi i Krishtlindjes".

Shtegtarë të shpresës, edhe mes rrënojave të luftës

“Guxojmë të besojmë – shtoi Pizzaballa – se, që kur Fjala u bë njeri këtu, në çdo njeri dhe në të gjitha kohërat, vazhdon të fekondojë historinë, duke e orientuar atë drejt lavdisë së plotë”. Në Vitin Jubilar kushtuar shpresës, pra, kënga e gëzimit për lindjen e Shpëtimtarit “nuk stonon, por i bën boshe krismat e luftës dhe retorikën e të fuqishmëve! Ajo këngë nuk është aspak e dobët, por rezonon fuqishëm në lotët e atyre që vuajnë dhe na inkurajon ta çarmatosim hakmarrjen me falje. Mund të jemi shtegtarë të shpresës edhe mes rrugëve dhe shtëpive të shkatërruara të tokës sonë, sepse Qengji ecën me ne”.

25 dhjetor 2024, 12:05