Kardinali Sako: ta mbajmë gjallë flakën e shpresës në Lindjen e Mesme
R.SH. / Vatikan
“Duhet ta mbajmë të ndezur flakën e shpresës brenda nesh dhe ta çojmë dritën e saj në errësirën e një bote të ndarë dhe të plagosur”. Një bote të prekur nga konflikte të shumta, që shikon miliona njerëz duke vuajtur dhe duke vdekur. Letra baritore e Patriarkut të Bagdadit të Kaldeasve, kardinalit Louis Raphael Sako për Jubileun, i kushtohet tërësisht shpresës, e cila mbështetet tek tema e Vitit të Shenjtë 2025, "Shtegtarë të Shpresës", ndërsa ai vetë shpjegon, për mediat e Vatikanit, si u përgatit për Krishtlindje Iraku dhe bashkësia e krishterë.
Hirësi, çfarë shprese keni për bashkësitë e krishtera në Irak në kohën e Krishtlindjes, e me Jubileun në portë?
Jubile do të thotë ndryshim pozitiv nga e kaluara. Ndryshim personal, kishtar dhe shoqëror për një jetë të re me marrëdhënie vëllazërimi, afërsie, pajtimi dhe solidariteti. Është mundësi unike për t’i arritur të tjerët. Por edhe mundësi për humanizëm më të ndershëm, që nënkupton braktisjen e prodhimit të armëve dhe përqendrimin në zhdukjen e shkaqeve të konflikteve shkatërrimtare e tragjedive të padrejtësisë, lakmisë, korrupsionit dhe pakujdesisë, si dhe krijimin e ekuilibrit, harmonisë së qëndrueshme dhe sigurisë ndërmjet popujve.
Si u përgatit Kisha Kaldease për lindjen e Zotit tonë Jezus?
Organizuam takime të shumta lutjesh, meditime mbi leximet e Ardhjes dhe takime me priftërinjtë, rregulltarët dhe besimtarët laikë. Patriarkana vuri në dispozicion 80,000 dollarë për priftërinjtë kaldeas që të mund të ndihmojnë vëllezërit e tyre të varfër dhe në vështirësi. Bamirësia është mënyrë për t’i jetuar Krishtlindjet. Për më tepër, një natë më parë, u kremtua mesha në kisha të ndryshme. Bagdadi dhe qytete të tjera u zbukuruan me bredhat dhe dritat e Krishtlindjes nga myslimanët, që e vlerësojnë Jezusin, pasi Kurani flet për të me një respekt të tillë.
A krijon në vendin tuaj pasoja lufta në Rripin e Gazës e, në veçanti, rënia e regjimit në Siri?
Ishte e papritur e madhe. Jo vetëm për sirianët, por për të gjithë Lindjen e Mesme. Ngjarje kaq e shpejtë, që do të çojë në ndryshime. Le të shpresojmë mirë për Sirinë. Udhëheqësit e opozitës së armatosur që morën pushtetin në vend, flasin për një regjim civil, për një Siri të re, që respekton të drejtat e njeriut, me një qeveri që do të shohë pjesëmarrjen e të gjithë komponentëve politikë dhe shoqërorë. Shpresojmë se janë të sinqertë. Në Irak situata është paksa e tensionuar për shkak të asaj që ndodhi. Ka paksa frikë mes njerëzve dhe ne pyesim se çfarë pasojash mund të ketë ky ndryshim në Irak. Shpresojmë se qeveria e re siriane do të marrë vendimet e duhura për të mbrojtur vendin dhe qytetarët, që vuajtën shumë deri tani.
Ju kohët e fundit u bëtë thirrje për unitet trashëgimtarëve të Kishës Lindore. Mendoni se kjo ftesë juaja do të merret seriozisht në konsideratë nga të gjithë, e së shpejti? A i ka ndjekur ndokush fjalët tuaja?
Deri më sot, nuk kam marrë asnjë reagim nga autoritetet kishtare. Por mbështetje të madhe nga ana e besimtarëve.
Më se 10 vjet më parë ndodhi dëbimi i të krishterëve nga Rrafshi i Ninives. A është ende i gjallë ai kujtim në bashkësinë e krishterë, apor po harrohet dalëngadalë, për të filluar një kurs të ri?
Ajo që jetuan të krishterët, është e gjallë në kujtesën e tyre. Shumë familje janë të ndara ndërmjet Irakut dhe diasporës. Është e trishtueshme. Pas çlirimit nga Shteti Islamik, 60% e të krishterëve u kthyen, të tjerët mbetën në Kurdistan, ku gjetën shtëpi të re dhe punë të re. Por ka shumë, në këtë 60%, që zgjodhën emigrimin. Nuk ka kushte për siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm për të jetuar në liri dhe respektim të të drejtave. Një shtytje e fortë për t'u larguar lindi nga prania e milicëve të armatosur që kontrollojnë gjithçka, e edhe nga zjarri tragjik i 26 shtatorit 2023, kur 133 persona humbën jetën dhe qindra u plagosën në një sallë pritjeje në Qaraqosh, gjatë një dasme. Megjithatë, unë shpresoj se Iraku mund të nxjerrë një mësim të dobishëm nga ajo që ndodhi në të kaluarën e tij.
Ju keni bërë gjithnjë thirrje për harmoni, paqe dhe dialog ndërfetar. A mund të na thoni nëse ka pasur hapa konkrete në këtë drejtim gjatë viteve të fundit?
Rruga dhe lidhjet ndërfetare janë shumë të gjalla. Edhe nëse nuk kemi mundësi të takohemi shumë, sepse ambienti nuk krijon lehtësi, flasim shpesh. Ne, të krishterët, kemi marrëdhënie miqësore me shiitët, sunitët dhe grupet e tjera fetare. Punuam për ta zhdukur urrejtjen. Problemi nuk janë liderët fetarë, por politikanët. Fetë duhet të japin kontributin e tyre duke i zhdukur përçarjet dhe copëzimet brenda tyre. Me unitet përgatitet ardhmëria e vendit.
A besoni se rruga drejt paqes dhe harmonisë është ende e kërcënuar nga grupet fondamentaliste, që mund ta rrezikojnë?
Mendoj se po! Feja bëhet mjet politik dhe jo marrëdhënie e lirë dashurie me Zotin. Prandaj, unë kërkoj gjithmonë ta ndajë fenë nga shteti. Janë dy realitete të ndryshme. Feja është për individët, shteti për të gjithë. Shteti nuk duhet të ketë një fe të vetme.