Kërko

Logoja e Jubileut 2025 Logoja e Jubileut 2025

Jubileu 2025. Ipeshkvijtë Katolikë të Tokës së Shenjtë: të "rizbulojmë shpresën!"

Këtë të diel më 29 dhjetor, në Nazaret, me kremtimin e një Meshe në Bazilikën e Lajmërimit të Zotit, kryesuar nga Patriarku i Jeruzalemit, Kard. Pizzaballa, do të bëhet hapja e Jubileut të Shpresës në Tokën e Shenjtë.

R.SH. / Vatikan

Këtë të diel më 29 dhjetor, në Nazaret, me kremtimin e një Meshe në Bazilikën e Lajmërimit të Zotit, kryesuar nga Patriarku i Jeruzalemit, Kard. Pizzaballa, do të bëhet hapja e Jubileut të Shpresës 2025 në Tokën e Shenjtë.

Në kuadër të kësaj ngjarjeje, sot në Jeruzalem, Asambleja e Ipeshkvijve Katolikë të Tokës së Shenjtë u ka drejtuar një mesazh besimtarëve. Këtyre të fundit u ofrohen shtegtime në Nazaret (Bazilikën e Lajmërimit), në Betlehem (në Bazilikën e Lindjes së Krishtit) dhe në Jerusalem (në Bazilika e Varrit të Shenjtë-Anastasis). Por mbi të gjitha besimtarëve u kërkohet të "rizbulojnë shpresën" në kontekstin e vështirë që po kalon sot Toka e Shenjtë.

Shpresa veçanërisht e nevojshme në këto kohë 

“Shpresa, pikërisht në këto kohë, është veçanërisht e nevojshme. Dhe shpresa jonë e krishterë nuk duhet të ngatërrohet me dëshirën e paqartë për një të ardhme më të mirë të rrënjosur në një vizion optimist të jetës, por duhet kuptuar si fryt i mundimeve, vdekjes dhe ngjalljes së Jezusit. Shpresa që nuk zhgënjen është ajo që lind nga varri bosh i Krishtit, domethënë nga Pashkët e Jezusit, nga Ngjallja e tij”. Kështu nis mesazhi drejtuar “besimtarëve të Tokës së Shenjtë” me rastin e Jubileut 2025 nga Asambleja e Ipeshkvijve të dioqezave Katolike të Tokës së Shenjtë (Aocts), të kryesuar nga Patriarku Latin i Jeruzalemit, kardinali Pierbattista Pizzaballa, shpellur sot në qytetin e shenjtë.

Solidariteti i Papës dhe i Kishave.

Mesazhi thekson gjithashtu edhe solidaritetin shpirtëror dhe material të Kishës universale ndaj asaj të Tokës së Shenjtë, afërsinë e Papa Françeskut me të gjithë popujt e përfshirë në konflikt dhe veçanërisht me të krishterët e Tokës së Shenjtë, mbështetjen e marrë nga "thirrjet e shumta si nga Selia e Shenjtë, si dhe nga konferencat ipeshkvore dhe Kishat simotra të vendeve të ndryshme që kanë bërë vazhdimisht thirrje për ndërprerjen e luftërave dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve përmes negociatave dhe mjeteve të diplomacisë".

Duke dëshmuar shpresën.

Prandaj ftesa drejtuar besimtarëv është që "të dëshmojnë edhe për shumë shenja të tjera shprese të pranishme në kontekstin tonë kishtar dhe të kenë një vështrim feje dhe t'i njohin këto shenja brenda familjeve dhe komuniteteve tuaja, në mjediset tuaja të jetesës dhe rreth jush". “Është sigurisht pjesë e misionit tonë për të njoftuar dhe ofruar shpresë për të gjithë” por në mënyrë të veçantë, Ipeshkvijtë e Dioqezave Katolike të Tokës Shenjte u drejtohen, "më të rinjve, më të brishtëve dhe më të varfërve të shoqërisë, qofshin ata të rinj që luftojnë për të gjetur punë, një shtëpi dhe të krijojnë një familje, apo të moshuar të mbetur vetëm dhe të margjinalizuar nga shoqëria, ose punëtorë emigrantë, të zhvendosur dhe refugjatë që kërkojnë një të ardhme më të mirë për veten dhe për të dashurit e tyre: nëse përmes dhurimit ne marrim, është e vërtetë që duke mbështetur shpresën e të tjerëve forcohet edhe e jona”. “Ne i kërkojmë Zotit – përfundon mesazhi – aftësinë për të shpresuar ende, pikërisht sepse kohët në të cilat jetojmë kërkojnë një shtesë shprese për të qenë në gjendje të jetojmë me besnikëri ndaj Zotit dhe në dashuri për vëllezërit tanë“.

27 dhjetor 2024, 12:58