Kërko

 Papa Giovanni Paolo II –  Natale 1982 Papa Giovanni Paolo II – Natale 1982

Gjon Palit II e Nata e Krishtlindjes së Jubileut të 2000-it

Gjon Pali II: "Rikumbon këtë natë, i lashtë e përherë i ri, lajmi i Lindjes së Zotit. Rikumbon për atë, që rri zgjuar në lutje, si barinjtë e Betlehemit dymijë vjet më parë; rikumbon për atë, që e ndoqi thirrjen e Kohës së Ardhjes dhe, syhapur, në pritje, është gati ta pranojë lajmin e gëzuar, që në liturgji bëhet sonte këngë: “Sot lindi për ne Shëlbuesi!”.

R.SH. / Vatikan

Në kujtim të Gjon Palit II – nga Jubileu – në Jubile

Homelia e Gjon Palit II Natën e Krishtlindjes së Jubileut të 2000-it

Rikumbon këtë natë, i lashtë e përherë i ri, lajmi i Lindjes së Zotit. Rikumbon për atë, që rri zgjuar në lutje, si barinjtë e Betlehemit dymijë vjet më parë; rikumbon për atë, që e ndoqi thirrjen e Kohës së Ardhjes dhe, syhapur, në pritje, është gati ta pranojë lajmin e gëzuar, që në liturgji bëhet sonte këngë: “Sot lindi për ne Shëlbuesi!”.

Rri në përgjim populli i krishterë. Në përgjim është një botë e tërë, në këtë natë të Krishtlindjes, që rilidhet me Natën e paharrueshme të një viti më parë, kur u hap Porta e Shenjtë e Jubileut të Madh, porta e hirit, në dy kanata për të gjithë.

Në çdo ditë të Vitit Jubilar, duket sikur Kisha nuk pushoi së përsërituri: “Sot lindi për ne Shëlbuesi!”. Ky kumt, me ngarkesë të pashterrshme përtëritjeje, rikumbon këtë natë  shenjte me forcë të veçantë: është Krishtlindja e Jubileut të Madh, kujtesë e gjallë e dymijë vjetëve të Krishtit, lindjes së tij të mrekullueshme, që shënoi fillimin e ri të historisë. Sot Fjala u mishërua e erdh e ndej ndër ne!” (Gjn. 1,14).

“Sot!”. Në këtë natë koha bën shteg drejt amshimit, sepse Ti, o Krisht, erdhe mes nesh, duke lindur prej së larti. Dole në dritë nga kraharori i një gruaje të bekuar mbi të gjitha gratë. Ti, Biri i të Tejetlartit. Shenjtëria jote e shenjtëroi përgjithmonë kohën tonë: ditët, shekujt, mijëvjeçarët. Me lindjen Tënde bëre nga koha, një të sotme shëlbimi.

 Sot lindi për ne Shëlbuesi!”.

Kremtojmë në këtë natë Misterin e Betlehemit, misterin e një nate të veçantë, që është, në një farë mënyre, në kohë e përtej kohës. Nga kraharori i Virgjërës lindi një Foshnjë; një grazh qe djep për jetën e pa mort!

Krishlindja është festa e jetës, sepse Ti, Jezus, duke dalë në dritë, ashtu si secili nga ne, bekove orën e lindjes: një orë që, simbolikisht, përfaqëson misterin e jetës njerëzore, duke bashkuar mundimin me shpresën, dhimbjen me gëzimin. Gjithë kjo ndodhi në Betlehem: një nënë nxori në dritë foshnjën e vet; “Erdhi në botë një njeri” (Gjn 16,21). I Biri i njeriut. Misteri i Betlehemit!

Me emocion të thellë kujtoj ditët e shtegtimit tim në Tokën Shenjte. Kthehem me mend në atë Shpellë, në të cilën m’u dha hiri të gjunjëzohem në lutje. E puth me gjithë shpirt atë Tokë të Bekuar, në të cilën lulëzoi për botën gëzimi i pamort.

Mendoj me shqetësim për vendet shenjte e, në mënyrë të posaçme, për qytetin e Betlehemit.... e dëshiroj që sonte këto bashkësi të krishtera ta ndjejnë thellë solidaritetin e mbarë botës.

Jemi pranë jush, vëllezër e motra të shumëdashura, lutemi për ju me gjithë shpirt. Së bashku me ju, jemi në ankth për fatet e mbarë zonës së Lindjes së Mesme. Zoti e dëgjoftë lutjen tonë! Nga ky shesh, zemër e botës katolike, rikumboftë edhe një herë me fuqi kumti, që u dhanë Engjëjt barinjve: “Lumni Hyjit në lartësitë qiellore e paqe mbi tokë njerëzve, që Ai i do!” (Lk 2,164).

Nuk mund të luhatet besimi ynë, ashtu si nuk mund të na mungojë mahnitja, për atë që po kremtojmë! Lind sot Ai, që i jep botës paqen!

“Sot lindi Shëlbuesi!”.

Fjala e Hyjit qan në grazhd. Quhet Jezus, që do të thotë “Hyji shpëton”, sepse “do ta shpëtojë popullin e vet nga mëkatet” (Mt 1,21).

Nuk është pallat mbretëror ky, në të cilin lind Shpërblyesi, i paracaktuar të ngrejë mbretërinë e amshuar dhe universale. Lind në një stallë dhe, duke ardhur ndër ne, ndez në botë zjarrin e dashurisë së Hyjit (cfr Lk 12,49). Ky zjarr nuk do të shuhet më kurrë.

Ndriçoftë, ky zjarr, ndër zemra, si flaka e dashurisë vepruese, e cila bëhet pranim e mbështetje  për shumë vëllezër, që kanë nevojë e që vuajnë.

O Zot Jezus, që të kundrojmë në varfërinë e Betlehemit, na bëj dëshmitarë të dashurisë sate, të asaj dashurie, që të shtyu të zhvishesh nga lavdia jote hyjnore, për të lindur ndërmjet njerëzve e për të vdekur për ne.

Ndërsa Jubileu i madh hyn në fazën përfundimtare, dikoje Shpirtin tënd, që hiri i Mishërimit të ngjallë në çdo besimtar impenjimin për t’iu përgjigjur më bujarisht jetës së re, të marrë në Pagëzim.

Premto që drita e kësaj nate, më e ndritur se dita, të projektohet mbi të ardhmen e t’i drejtojë hapat e njerëzimit në rrugën e paqes.

Ti, Princ i paqes, Ti, Shëlbues i lindur sot për ne, ec me Kishën tënde në rrugën, që na hap përpara në mijëvjeçarin e ri!

23 dhjetor 2024, 11:21