Kërko

 Vangelo della V domenica 'B' , duarigione della suocera di Pietro Vangelo della V domenica 'B' , duarigione della suocera di Pietro

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës V të vitit kishtar ‘B’

...o Jezus, ty nuk të mjafton/vetëm kumtimi i ngushëllimit,/i Lajmit të Mirë,/Ti lufton me duar e me dhëmbë/kundër çdo lloj sëmundjeje/që e trishton jetën e njerëzve./ Fjalët dhe gjestet e tua, në fund të fundit,/zbulojnë mëshirën e Hyjit,/dhembshurinë e tij për krijesat e veta,/në veçanti, për më të munduarit,/më të shtypurit, më të trishtuarit, më të vetmuarit.../

R.SH. - Vatikan

Jezu Krishti kalon mes nesh e na shëron. Ungjilli i kësaj së diele e paraqet Jezusin të impenjuar në misionin për shërimin e të sëmurëve. Krishti, përveç se është mjek i shpirtit, është edhe mjek i trupit: ky është mesazhi i pjesës së Ungjillit të kësaj së diele, marrë nga kreu i parë i Shën Markut, në të dielën V të vitit liturgjik ‘B’. Ungjilli na bën të kuptojmë se jemi shpëtuar nga Krishti, që na ka dhënë një jetë të re qysh me hirin e pagëzimit, të cilin e rinovon çdo ditë me mëshirën e tij. Ashtu si vjehrra e shën Pjetrit, edhe ne, kur shërohemi prej Zotit, ftohemi t’u shërbejmë të tjerëve, për të qenë shenjë e Krishtit pranë vëllezërve e motrave tona. Por le të ndjekim një pjesë të Ungjillit të kësaj së diele:

29 Në atë kohë, Jezusi, sapo doli nga sinagoga, shkoi me Jakobin e me Gjonin në shtëpinë e Simonit e të Andreut. 30 Vjehrra e Simonit ishte në shtrat ndër ethe. Menjëherë i treguan për të. 31 Jezusi u afrua, e kapi për dore dhe e ngriti. E lëshuan ethet dhe u shërbeu. 32 Në mbrëmje, me të perënduar të diellit, ia sollën para të gjithë të sëmurët dhe të djallosurit. 33 Mbarë qyteti u mblodh para derës. 34 Ai i shëroi të sëmurët - ishin shumë dhe me sëmundje të ndryshme. Dëboi edhe shumë djaj. Por nuk i lejoi djajtë të flasin sepse e njihnin. 35 Herët në mëngjes, kur ende ishte natë, Jezusi u çua e shkoi në një vend të pabanuar e atje thoshte uratë. 36 Simoni me shokët e vet u vunë ta kërkojnë. 37 Kur e gjetën i thanë: “Të gjithë po të kërkojnë”. 38 Ai u tha: “Ejani të shkojmë gjetiu, në fshatrat e afërme që të predikoj edhe atje. Prandaj edhe erdha”. 39 Dhe i ra kryq e tërthor Galilesë duke predikuar nëpër sinagogat e tyre dhe duke dëbuar djajtë.

Të lutemi së bashku:

Zoti nuk e do vuajtjen

megjithëse, nganjëherë, njerëzit

i ngjisin në fytyrë

maskën monstruoze

të atij, që përdor sëmundjen, për dënim e shpagim.

 

Përkundrazi, Zoti i do njerëzit me të vërtetë

prandaj, nuk mund të tolerojë

çka i mundon, i prangos,

i pengon të lëvizin,

të jetojnë lirisht,

çka u peshon mbi supe

si barrë e rëndë,

çka u mohon gëzimin e jetës.

 

Prandaj, o Jezus, ty nuk të mjafton

vetëm kumtimi i ngushëllimit,

i Lajmit të Mirë,

Ti lufton me duar e me dhëmbë

kundër çdo lloj sëmundjeje

që e trishton jetën e njerëzve.

 

Fjalët dhe gjestet e tua, në fund të fundit,

zbulojnë mëshirën e Hyjit,

dhembshurinë e tij për krijesat e veta,

në veçanti, për më të munduarit,

më të shtypurit, më të trishtuarit, më të vetmuarit.

 

Nuk është Hyj, që rri e sheh

asnjanës, pa iu dridhur qerpiku,

është Zot që ndërhyn

e shkon deri atje, sa të marrë mbi vete

çdo mëkat e çdo të keqe.

03 shkurt 2024, 10:50