Gjergj Fishta, parë nga Sabri Hamiti
R.SH. - Vatikan
Gjergj Fishta, parë nga Sabri Hamiti, në librin Át Gjergj Fishta
Fishta i përjetshëm
Në fund të veprës Lahuta e Malcís Fishta me tone solemne madhëronte krijimin e Shqipërisë politike:
Edhe kshtu, mbas sa mjerimit
Mbas sa gjakut e shemtimit
E p’r inàt t’ Shkjeve t’Ballkanit
Per gazep t’atij Sulltanit:
Si premtue kisht’ Perendija:
Prap zojë m’vedi duel Shqypnija.
Mirëpo, më 28 Nanduer 1913 Fishta krijonte këngët e vajit e të protestës, që Shqipëria s’u bë etnike. Klithmat për dhembjet e humbjet shqiptare në këto vite, Fishta i ndien edhe personalisht dhe i shfaq në vargun e parë:
Oj Zanë, t’këndojm… t’vajtojm, deshta me thanun
Zana, në këtë varg e kudo në veprën e Fishtës është më tepër se një figurë, është një vetë e dytë (alter ego) e autorit. Pra, ç’u bë me poetin që përnjëherësh këndon e vajton me alter egon e vet, madje mbrenda një vargu i cili ndahet përgjysëm me tri pikat e heshtjes.
Ky varg i famshëm i shkrimtarit kombëtar në fakt jep esencën e botës shqiptare dhe të botës krijuese të vetë Fishtës, që ndërtohet ndërmjet dy poleve: këndim i përhershmërive nacionale, me një ngjyrim himnizues dhe vajtim e kritikë e realiteve shqiptare me ngjyrim përjashtues.
Në këtë mënyrë Gjergji vetëm rikrijon me shembullin e vet modelin e krijuesit himnizues, model zotërues për letërsinë shqiptare.
Po këtë modelim paradoksal do ta riforcojë edhe vetë ndodhja me personin dhe poetin Fishta, para e mbas vdekjes. Për të gjallë ky autor u kurorëzua si Poeti kombëtar më i madh i Shqipërisë. Mbas vdekjes u mallkua e u ndalua.
Kjo tregon që shoqëria shqiptare (edhe ajo letrare) jeton ndërmjet paradokseve të pëlqimit e të refuzimit, duke u përqendruar në faza të ndryshme në njërin nga këto pole, qoftë edhe lidhur me një person apo shkrimtar.
Fishta tash po rikthehet në Shkodër e te shqiptarët, aty ku ishte e ku duhej të ishte. Madje me një përpjekje që, karshi shkrimtarit kombëtar, të marrë titullin e të martirizuarit, një gjysëm shekulli mbas vdekjes.
Për të shpëtuar nga hipotezat, por kthehemi tek të dhënat. Formula themelore morale-atdhetare-poetike e Fishtës, në fillim e në fund ishte: Atmé e Fé. Prishja e këtij binomi, për cilatdo arsye, prish gjithë sistemin e vlerave të tij. Kjo formulë është provuar edhe me gjestin social të Fishtës. Më 1913 ai lidhte me drita kumbonaren e kishës së Gjuhadolit me minaren e xhamisë së Qytetit, të cilat i ndante një udhë në qendër të Shkodrës. Po aty, në kulmin e kishës, Fishta ngrinte flamurin kombëtar, kur ndalohej nga pushtuesi i huaj.
Pra Fishta këlthiste e këndonte vlerat shqiptare e atdhetarinë, ndërsa mallkonte e truante dobësitë e ligësistë shqiptare të aktualitetit. Kështu formula e tij morale letrare, edhe për shqiptarët ishte: himnizim e mallkim.
Himnizim e mallkim u bë, më vonë, formula e vlerësimit dhe e përmbysjes së tij.
Mbas vitit 1967, kur Shqipëria me ligje u bë shtet jo fetar, eshtrat e Fishtës u nxorën nga varri në Kishën e Gjuhaolit (ku kishte punuar për së gjalli e ku pushote për së vdekuri) dhe u hodhën në lumë, kurse kisha u shndërrua në kinema “Punëtori”. Mbas 90-tës shqiptare, kisha u rizbulua, ashtu si edhe varri i Fishtës (tani duke gjetur disa eshtra të vegjël të dorës dhe një unazë të kurrizit). Në fund të këtij muaji(dhjetor), në përvjetorin e vdekjes (1940), Fishta do të rivarrosej në Shkodër, jo pa një synim të shenjtëruar si martir i zhvarrosur. Thonë njësoj si Gjergj Kastrioti në Lezhë e Pjetër Bogdani në Prishtinë.
Pra Fishta po të kthehet në botën shqiptare. Unë mendoj se ai ishte aty dhe mbetet aty përgjithnjë. Çështja më themelore është a u kuptua dhe a kuptohet Fishta edhe sot në këtë botë. Jo, nëse merret si figurë e mitizuar, çfarëdo shenje që të ketë ky mitizim.
Ky autor i madh i shqipes mund të kuptohet vetëm kur të botohet vepra e tij e madhe letare e kulturore si e tërë, dhe të jetë në qarkullim të lirë, të leximit të lirë. Mbas kësaj vjen domethënia e vërtetë e kësaj vepre dhe vlerësimi i saj në rrjedhën historike të shqipes si dhe në strukturën e sistemit të vlerave të kësaj kulture.
Një ndërrrmarrje të këtillë me peshë, si shumë të tjera më parë, e ka marrë Rilindja e Prishtinës, duke përgatitur botimin e plotë të letërsisë së Fishtës në katër vëllime të mëdha .
Ja pse më duket çështja e Fishtës paradigmatike për kulturën shqiptare edhe sot, kur nuk pushojnë zjarrmitë intelektuale për mbivlerësime apo nënvleftësime të autorëve e të veprave të kaluara apo të tashme.
Prandaj, theksoj se Fishta nuk po kthehet, ai ishte këtu, si vlerë që mund kohët dhe si model krijues dominant shqiptar.