2019.08.21 Beata Vergine Maria Regina

Me 22 gusht kalendari kremton festën e Shën Marisë Mbretëreshë

Zoja Mari është mbretëreshë, sepse është Nëna e Krishtit, Mbret. Është mbretëreshë, sepse shkëlqen mbi të gjitha krijesat në shenjtëri. "T'’ falem, Mbretëreshë, e bukura! Mbi krye tand ndritë kunora,/ Që e popujve edhe e kombeve/ Desht me vendue dora,/ Kah n’ ahte t’ njëmijë zemrave,/Toka ty t’ thotë se t’ don!”.

Vatican News

Më 22 gusht kalendari kishtar përkujton Zojën Mari Mbretëreshë e Qiellit dhe e Tokës.

Kremtimin liturgjik e themeloi Papa Piu XII më 1955,  por, festa e Zojës Mbretëreshë, që Kisha e kremton sot, i ka rrënjët në shekujt e parë të historisë së krishterë. I pari që e quajti shën Marinë, Mbretëreshë, qe shën Efraimi në shekullin IV. E ndoqën etër të tjerë të Kishës, duke i njohur Zojës dinjitetin mbretëror, si Nënë e Mbretit të Gjithësisë. Në Koncilin e Efesit, në shekullin V, kundër tezave të Nestorit, u pranua se Maria është Theotòkos, pra, Nëna e Zotit. Që këndej, nisi praktika e kurorëzimit të Zojës. Por, devocioni për të duhet të presë shekullin XX, që të marrë formën e festës së vërtetë liturgjike.

Festa e Zojës Mbretëreshë

Papa Piu XII, me enciklikën “Ad Coeli Reginam”, në vitin 1954, themeloi për herë të parë festën e Zojës MAri Mbretëreshë të Gjithësisë, duke e fiksuar më 31 maj. “Nuk është e vërtetë e re kjo, që i propozohet popullit të krishterë – shpjegon Papa – sepse bazat dhe arsyet e dinjitetit mbretëror të Marisë, shprehur gjerësisht në çdo kohë, gjenden në dokumente të lashta të Kishës dhe në librat e Liturgjisë shenjte”. Papa Pacelli i referohej Shkrimit Shenjt dhe Etërve të Kishës, liturgjisë dhe artit. Pas reformës liturgjike të Koncilit Dytë të Vatikanit, festa u zhvendos nga Papa Pali VI më 22 gusht, tetë ditë pas të Ngjiturit të Zojës në Qiell, për të nënvizuar natyrën e njëjtë me atë të glorifikimit të korpit të saj. Për t’u vënë në dukje se qe pikërisht Papa Piu XII ai, që kishte shpallur dogmën e të Ngjiturit të Zojës në Qiell, në vitin 1950.

Tradita e kurorëzimit të Marisë

Kurorëzimi i shën Marisë Virgjër ishte gjest shumë i ndjekur nga populli. I pari që i ka kurorëzuar solemnisht paraqitjet e ndryshme të Zojës Bekuar mbahet frati kapuçin Atë Girolamo Paulucci de Calboli nga Forli, në periudhën ndërmjet ‘500-ës dhe ‘600-ës. Kjo traditë e ndjente atmosferën e krijuar pas Koncilit të Trentit e kishte edhe aspekt pendestar, pasi besimtarët dhuronin në shenjë largimi nga kotësitë e kësaj bote, arin dhe gurët e çmuar, që shërbenin për kurorën. Traditë e rëndësishme, vijuar në vite nga kapuçinët e më pas, në veçanti nga konti i Borgonovos, Alessandro Sforza Pallavicini, i cili i la një trashëgimi të madhe Kapitullit të Shën Pjetrit në Vatikan, për të kurorëzuar fuguret më të famshme të Zojës së Bekuar.

Lëvizja, që solli festën

Por është fillimi i viteve ‘900 ai, që do të sjellë kërkesën për ta shpallur Zojën Mari, Mbretëreshë të Gjithësisë, duke u nisur nga tre kongreset mariane të viteve të para të shekullit. Nxitja tjetër erdhi edhe nga Papa Piu XI, që në përfundim të Vitit Shenjt 1951, shpalli festën e Krishtit Mbret. Pastaj, qe një grua, Maria Desideri, e cila në vitet ’30, themeloi në Romë lëvizjen “Pro regalitatae Mariae”, duke mbledhur peticione në të gjithë botën, në favor të kësaj feste. Qe kjo rruga, që e nxiti Papën Piu XII të shpallë festën, i cili nuk kishte harruar edhe ndihmën e Zojës për Romën, gjatë Luftës II Botërore, kur shmangu ndeshjen ndërmjet gjermanëve dhe aleatëve. Jo rastësisht, ai shpalli vitin marian 1953, gjatë të cilit përuroi homazhin tradicional, që i bëjnë Papët Zojës në sheshin e Spanjës në Romë, çdo vit, më 8 dhjetor.

Papët dhe shën Maria Mbretëreshë

Të paharrueshme lutjet e shumta dhe aktet e kushtimit Shenjtës Mari, që Papa shën Gjon Pali II bëri gjatë papnisë së tij, me moton “Totus tuus”. Edhe Papa Benedikti XVI ia pati kushtuar audiencën e përgjithshme të 22 gushtit 2012, duke shpjeguar pse Zoja është Mbretëreshë:

 “Si e ushtron Maria këtë privilegj mbretëror shërbimi dhe dashurie? Duke vigjëluar mbi ne, bijtë e saj: bij, që i drejtohen Asaj në lutje, për ta falënderuar, ose për t’i kërkuar mbrojtjen amnore dhe ndihmën e saj qiellore, pasi, ndoshta, e kanë humbur rrugën, nën thundrën e dhimbjes apo të ankthit për ngjarjet e trishtuara e për shqetësimet e jetës. Në qetësinë, ose në errësirën e jetës, ne i drejtohemi Marisë, duke i besuar ndërhyrjes së saj të vazhdueshme, që i Biri Jezus të na nxjerrë çdo hir e mëshirë të nevojshme për shtegtimin tonë përgjatë udhëve të botës”. Maria nuk është mbretëreshë e largët, që ulet mbi fron, por Nëna që përqafon të Birin, Jezu Krishtin e, me Të, të gjithë ne, bijtë e saj.

22 gusht 2026, 12:57