Forum ndërkombëtar me Këshillat Ndërfetarë të Evropës në Shqipëri

Nga data 20 deri më 24 korrik 2026, në Shqipëri u zhvillua Forumi Rajonal Evropian. Programi mblodhi përfaqësues të këshillave ndërfetarë, komuniteteve fetare, rrjeteve të grave dhe të rinjve, institucioneve akademike, shoqërisë civile dhe institucioneve publike nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Finlanda, Gjermania, Greqia, Italia dhe Spanja.

Vatican News

Në një Evropë të përballur me ndarje, pasiguri dhe sfida të reja për bashkëjetesën, Shqipëria u kthye për disa ditë në një pikë takimi të dialogut ndërfetar evropian. Nga 20 deri më 24 korrik 2026, Tirana dhe qytete të tjera shqiptare mirëpritën përfaqësues të këshillave ndërfetarë, komuniteteve fetare, institucioneve publike e akademike, shoqërisë civile, si dhe rrjeteve të grave dhe të rinjve nga shtatë vende evropiane.

Forumi Rajonal Evropian i organizuar nga Religions for Peace International, European National Interreligious Bodies (ENIB) dhe Religions for Peace Europe, në bashkëpunim me Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë – Religions for Peace Albania, pesë komunitetet fetare dhe partnerë të tjerë kombëtarë e vendorë, nuk ishte thjesht një takim protokollar. Ai synoi të vendoste dialogun ndërfetar në një terren më konkret: nga njohja dhe mirëkuptimi reciprok drejt veprimit të përbashkët për paqen, dinjitetin njerëzor dhe të mirën e përbashkët. Po më hollësisht nga Tirana të ndjekim njoftimin e Prof. Dr. Genti Kruja, president i Këshillave Ndërfetarë të Europës:

Genti Kruja

Zhvillohet PROGRAMI RAJONAL EVROPIANi Këshillave Ndërfetarë të Europës dhe Religions for Peace Europe

Nga data 20 deri më 24 korrik 2026, në Shqipëri u zhvillua Forumi Rajonal Evropian. Programi mblodhi përfaqësues të këshillave ndërfetarë, komuniteteve fetare, rrjeteve të grave dhe të rinjve, institucioneve akademike, shoqërisë civile dhe institucioneve publike nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Finlanda, Gjermania, Greqia, Italia dhe Spanja.

Programi u organizua nga Religions for Peace International, European National Interreligious Bodies (ENIB) dhe Religions for Peace Europe, në bashkëpunim me Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë – Religions for Peace Albania, pesë komunitetet fetare të vendit dhe partnerët kombëtarë e vendorë.

Një nga aktivitetet kryesore ishte Forumi Evropian Ndërfetar, i cili krijoi një hapësirë për dialog, shkëmbim përvojash dhe forcim të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve fetare, shoqërisë civile, akademisë dhe institucioneve publike. Gjatë forumit u prezantua përvoja shqiptare e harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare si një model me vlerë për Evropën. Delegacioni zhvilloi një takim të veçantë me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj.

Gjatë takimit u diskutua rëndësia e dialogut ndërfetar në ndërtimin e paqes, mirëkuptimit dhe besimit shoqëror. Presidenti Begaj vlerësoi traditën shqiptare të harmonisë fetare, ndërsa përfaqësuesit e Religions for Peace prezantuan qëllimet dhe rëndësinë evropiane të programit.

Një pjesë qendrore e programit ishte Trajnimi treditor i Trajnerëve. Dita e parë u përqendrua te konceptet Shared Sacred Worldview dhe Shared Sacred Flourishing dhe te lidhja ndërmjet besimit, individit, shoqërisë, natyrës dhe së mirës së përbashkët. Dita e dytë trajtoi kalimin nga vlerat te veprimi konkret, analizën e përbashkët dhe metodën e veprimit të Religions for Peace. Në ditën e tretë, pjesëmarrësit punuan për krijimin e partneriteteve, zbatimin e metodologjisë ndaj sfidave bashkëkohore dhe hartimin e planeve kombëtare për trajnime e konsultime të ardhshme.

Trajnimi u pasurua me leksione dhe fjalime nga pedagogë, studiues dhe drejtues institucionesh. Ata trajtuan rolin e familjes, komuniteteve, institucioneve dhe sistemeve shoqërore në promovimin e së mirës së përbashkët, rëndësinë e partneriteteve ndërmjet komuniteteve fetare, shtetit, shoqërisë civile dhe akademisë, si dhe zbatimin e Shared Sacred Flourishing ndaj sfidave globale. Kontribute të veçanta dhanë edhe përfaqësues të institucioneve publike, ndërmjet tyre Komiteti Shtetëror për Kultet dhe Qendra e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (Qendra CVE). Diskutimet u përqendruan te liria fetare, bashkëpunimi institucional, parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm, kohezioni shoqëror dhe identifikimi i veprimeve që i shërbejnë së mirës së përbashkët.

Programi përfshiu gjithashtu edhe takime me krerët dhe përfaqësuesit e pesë komuniteteve fetare në Shqipëri: Komunitetit Mysliman, Kishës Ortodokse, Kishës Katolike, Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë (VUSH). Gjatë këtyre takimeve, pjesëmarrësit u njohën me historinë, misionin dhe kontributin e secilit komunitet në promovimin e paqes, solidaritetit dhe bashkëjetesës fetare.

Delegatët vizituan objekte të rëndësishme kulti, ndërmjet tyre Xhaminë e Et’hem Beut, Katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, Katedralen Katolike të Shën Palit, mjediset e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe kishën e Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë. Këto vizita ofruan mundësi për t’u njohur nga afër me trashëgiminë fetare, historike dhe kulturore të Shqipërisë dhe me veprimtarinë e komuniteteve të ndryshme fetare.

Krahas aktiviteteve formuese dhe institucionale, programi përfshiu një ekspozitë ndërfetare, vizita në muze, përfshirë Bunk’Art 1 dhe Muzeun e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, si dhe vizita kulturore në qytetet historike të Shkodrës dhe Krujës. Këto aktivitete u mundësuan pjesëmarrësve të njihnin më nga afër historinë, kulturën, trashëgiminë dhe traditën shqiptare të bashkëjetesës.

Programi u përmbyll me një ceremoni zyrtare, gjatë së cilës pjesëmarrësve iu shpërndanë certifikatat për përfundimin me sukses të Trajnimit të Trajnerëve. Ata shprehën angazhimin për t’i përdorur njohuritë dhe metodologjitë e fituara në organizimin e trajnimeve kombëtare, konsultimeve shumëpalëshe dhe iniciativave konkrete në vendet e tyre. Programi shënoi një hap të rëndësishëm në forcimin e rrjeteve ndërfetare evropiane dhe në kalimin nga dialogu te veprimi i përbashkët për përbashkët për paqen, dinjitetin njerëzor, kohezionin shoqëror dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

18 gusht 2026, 10:02