Abu Dabi Abu Dabi

Çmimi Zayed 2027, kanditaturat, të hapura

Propozimet për çmimin e themeluar pas nënshkrimit të Dokumentit mbi Vëllazërinë Njerëzore nga Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al-Azhar Al-Tayeb, mund të dorëzohen deri më 1 tetor 2026. Çmimi do të nderojë individë dhe organizata që punojnë për nxitjen e bashkëjetesës paqësore ndërmjet popujve

Vatican News

Është zyrtarisht e hapur paraqitja e kandidaturave për edicionin e tetë të Çmimit Zayed për Vëllazërimin Njerëzor, kushtuar individëve dhe organizatave që punojnë për bashkëjetesën paqësore ndërmjet popujve. Çmimi u krijua pas takimit historik mbajtur në Abu Dhabi, në vitin 2019, nga Imami i Madh i Al-Azhar Ahmed Al-Tayeb dhe Papa Françesku, gjatë të cilit dy udhëheqësit fetarë nënshkruan Dokumentin mbi Vëllazërinë Njerëzore për Paqen Botërore dhe Jetën e Përbashkët. Kandidaturat mund të dorëzohen deri më 1 tetor 2026, përmes faqes zyrtare të internetit të Çmimit Zayed për Vëllazërinë Njerëzore: https://zayedaward.org.

Trashëgimia morale e Shehut Zayed

I krijuar sipas dëshirës së të ndjerit Shehut Zayed bin Sultan Al Nahyan, themelues i Emirateve të Bashkuara Arabe, çmimi, i cili përbëhet nga një vlerësim prej 1 milion dollarësh, synon të nxjerrë në pah trashëgiminë morale të Shehut Zayed, shpirtin e tij humanitar dhe respektin për të tjerët, si dhe angazhimin e tij për të ndihmuar, pavarësisht nga feja, gjinia, raca a kombësia. Çdo vit nderon ata që kontribuan në dialog e solidaritet.

Të nderohen përpjekjet humanitare

Në një komunikatë, Sekretari i përgjithshëm i Çmimit Zayed për Vëllazërinë Njerëzore, gjyqtari Mohamed Abdelsalam, thekson se hapja e kandidaturave për edicionin e tetë të çmimit pasqyron vazhdimësinë e misionit të tij, "që synon të nxjerrë në pah dhe të nderojë përpjekjet humanitare pioniere, të cilat i shërbejnë njerëzimit dhe nxisin vlerat e vëllazërisë njerëzore në mbarë botën". Çmimi, shpjegon më tej ai, njeh "nisma me ndikim të lartë, që sqarojnë parimet e Dokumentit historik mbi Vëllazërinë Njerëzore në programe konkrete".

Nga viti 2019, 20 fitues

Edicioni i vitit 2026 i nderoi fituesit më 4 shkurt, gjatë një ceremonie të mbajtur në Memorialin e Themeluesit. Çmimi iu dorëzua marrëveshjes historike të paqes ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë, organizatës humanitare palestineze Taawon dhe avokates së të drejtave të grave afgane Zarqa Yaftali. Që nga viti 2019, 20 laureatë nga 20 vende të ndryshme u njohën për kontributet e tyre në një gamë të gjerë sektorësh humanitarë, duke përfshirë shëndetësinë, arsimin, qëndrueshmërinë, ndihmën për refugjatët, zhvillimin e komunitetit, ndihmën ushqimore dhe fuqizimin e të rinjve dhe grave, për të përmendur vetëm disa.

Tani priten të tjerë.....

21 gusht 2026, 13:04