Pallati Adriano nderoi albanologun Ignazio Parrino

Akademikë, përfaqësues të institucioneve civile dhe fetare, studiues italianë dhe shqiptarë u mblodhën për të kremtuar trashëgiminë shkencore të albanologut të shquar. Në qendër të veprimtarisë ishin kujtesa si pasuri e gjallë, dialogu ndërmjet Shqipërisë dhe komuniteteve arbëreshe, si edhe e ardhmja e kërkimit shkencor.

Vatican News

Palazzo Adriano, në Sicili, nderoi albanologun e shquar Prof. Ignazio Parrino duke i kushtuar emrin e tij një salle të Muzeut Qytetar "Real Casina", në një ceremoni solemne të zhvilluar më 4 korrik 2026. Veprimtaria mblodhi akademikë, studiues, përfaqësues të institucioneve civile dhe fetare nga Italia dhe Shqipëria, të cilët vlerësuan kontributin e tij të jashtëzakonshëm në studimet albanologjike, historinë e Arbërisë dhe ruajtjen e identitetit kulturor të komuniteteve arbëreshe. Nderoi me praninë e tij Eparku i Horës s Arbëreshëve, Imzot Raffaele De Angelis.

Gjatë ceremonisë u theksua se veprat e Profesor Parrinos kanë shërbyer si një urë e rëndësishme ndërmjet Shqipërisë dhe diasporës arbëreshe në Itali, duke sjellë në dritë burime të çmuara historike dhe duke promovuar njohjen e trashëgimisë shqiptare. Pjesëmarrësit vlerësuan rigorozitetin e tij shkencor, përkushtimin ndaj kërkimit dhe aftësinë për ta kthyer dokumentacionin historik në një pasuri të përbashkët për studiuesit dhe komunitetin.

Në fjalët e tyre, përfaqësuesit e institucioneve italiane dhe shqiptare nënvizuan se trashëgimia e Ignazio Parrinos nuk duhet të mbetet vetëm objekt kujtese, por të shndërrohet në një pikënisje për brezat e rinj të studiuesve, si edhe nevojën për të mbështetur projekte të reja kërkimore kushtuar historisë, gjuhës dhe kulturës arbëreshe. 

Kontribute të veçanta sollën edhe studiues shqiptarë e italianë, të cilët vlerësuan veprat më të rëndësishme të Parrinos, ndër to Acta Albaniae Vaticana dhe përkthimin e plotë të poemës kombëtare shqiptare "Lahuta e Malcis" të Atë Gjergj Fishtës. U vu në dukje roli i Ignazio Parrinos në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë historike e kulturore shqiptare, si dhe ndikimi që studimet e tij kanë pasur në zhvillimin e albanologjisë bashkëkohore.

Ceremonia u përmbyll me fjalën e vajzës së tij, Ilaria Parrino, e cila solli një dëshmi prekëse për figurën njerëzore të të atit, duke kujtuar integritetin moral, përulësinë, ndershmërinë dhe dashurinë e pakushtëzuar që ai kishte për kulturën arbëreshe dhe shqiptare. Emërtimi i sallës së Muzeut "Real Casina" me emrin e Profesor Ignazio Parrino u konsiderua një akt mirënjohjeje publike ndaj një prej figurave më të rëndësishme të albanologjisë, si edhe një angazhim për të ruajtur dhe zhvilluar më tej trashëgiminë e tij shkencore dhe kulturore në shërbim të brezave të ardhshëm.

10 korrik 2026, 16:02