Kongresi i Berlinit (13 qershor – 13 korrik 1878) dhe pasojat për Shqipërinë

Për shqiptarët, Kongresi i Berlinit përbënte një padrejtësi të madhe historike. Ai jo vetëm që nuk njohu aspiratat kombëtare të shqiptarëve, por edhe vendosi copëtimin e trojeve të tyre në favor të shteteve fqinje. Megjithatë, ky zhvillim pati edhe një pasojë të rëndësishme: ai forcoi ndërgjegjen kombëtare shqiptare.

Vatican News

Kongresi i Berlinit u zhvillua në periudhën midis 13 qershorit dhe 13 korrikut të vitit 1878 në kryeqytetin e Gjermanisë.  Si sot më 13 korrik 1878 përfundoi Kongresi i Berlinit, një nga ngjarjet më të rëndësishme diplomatike të shekullit XIX, i cili ndryshoi hartën politike të Ballkanit pas Luftës Ruso-Turke. Ai u promovua nga Austria dhe u pranua nga fuqitë e tjera evropiane, me qëllim rishikimin e Traktatit të Paqes të Shën Stefanit

Punimet e kongresit zgjatën një muaj dhe u drejtuan nga kancelari gjerman Otto von Bismarck. Në to morën pjesë gjashtë Fuqitë e Mëdha të kohës – Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia – së bashku me përfaqësues të Perandorisë Osmane dhe të shteteve ballkanike.

Qëllimi i kongresit ishte rishikimi i Traktatit të Shën Stefanit, por vendimet e marra nuk u mbështetën në të drejtën e popujve për vetëvendosje. Përkundrazi, ato u diktuan nga interesat politike dhe strategjike të Fuqive të Mëdha, të cilat synonin të ruanin ekuilibrin e forcave në Evropë dhe të zgjeronin ndikimin e tyre në Ballkan.

Edhe pse në Berlin vendosej edhe fati i trojeve shqiptare, shqiptarët nuk u njohën si komb me të drejta të veçanta. Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e themeluar vetëm pak ditë më parë, dërgoi peticione dhe memorandume ku kërkonte mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë, bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet autonom dhe njohjen e të drejtave kombëtare. Disa patriotë shqiptarë kërkuan madje krijimin e një shteti të pavarur shqiptar. Megjithatë, këto kërkesa u shpërfillën plotësisht. Përpjekja e Abdyl Frashërit për ta paraqitur çështjen shqiptare para kongresit dështoi, ndërsa kancelari Bismarck deklaroi se "nuk ka një komb shqiptar", duke mohuar ekzistencën politike të shqiptarëve.

Me Traktatin e Berlinit, Shqipëria nuk u përmend as me emër dhe nuk iu njoh asnjë e drejtë kombëtare. Territoret shqiptare u trajtuan si pjesë e pazareve diplomatike midis Fuqive të Mëdha dhe shteteve fqinje. Malit të Zi iu dhanë krahinat shqiptare të Plavës, Gucisë, Rugovës, Podgoricës dhe Tivarit, ndërsa Serbia përfitoi zona si Vranja, Piroti dhe Treni. Edhe Greqia fitoi mbështetje për pretendimet e saj ndaj viseve shqiptare në jug, veçanërisht në Epir dhe Çamëri. Këto vendime cenonin rëndë tërësinë territoriale të Shqipërisë dhe rrezikonin identitetin kombëtar të shqiptarëve.

Një tjetër vendim me pasoja afatgjata ishte neni 23 i Traktatit të Berlinit, i cili parashikonte reforma administrative në vilajetet osmane, por nuk pranonte bashkimin e trojeve shqiptare në një njësi të vetme administrative. Kjo do të thoshte se shqiptarët mbeteshin të ndarë në katër vilajete të ndryshme, duke e bërë më të vështirë bashkimin politik, ekonomik dhe kulturor të tyre. Po ashtu, Protokolli nr. 13, që trajtonte çështjen e Mirditës, i hapi rrugë ndërhyrjeve të Austro-Hungarisë në çështjet e brendshme shqiptare.

Nga ana tjetër, kongresi njohu pavarësinë e Serbisë, Malit të Zi dhe Rumanisë, ndërsa Bullgaria u krijua si principatë autonome me kufij më të ngushtë se ata të parashikuar në Traktatin e Shën Stefanit. Austro-Hungaria fitoi të drejtën të pushtonte Bosnjë-Hercegovinën dhe të vendoste garnizone ushtarake në Sanxhakun e Novi Pazarit, ndërsa Britania e Madhe mori administrimin e ishullit të Qipros.

Për shqiptarët, Kongresi i Berlinit përbënte një padrejtësi të madhe historike. Ai jo vetëm që nuk njohu aspiratat kombëtare të shqiptarëve, por edhe vendosi copëtimin e trojeve të tyre në favor të shteteve fqinje. Megjithatë, ky zhvillim pati edhe një pasojë të rëndësishme: ai forcoi ndërgjegjen kombëtare shqiptare dhe e shndërroi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit në qendrën kryesore të rezistencës politike dhe ushtarake për mbrojtjen e tokave shqiptare. Lufta për të drejtat kombëtare, e cila mori hov pas Kongresit të Berlinit, do të vazhdonte për më shumë se tri dekada, deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.

13 korrik 2026, 12:37