Më 13 korrik kalendari kujton shën Henrikun II Perandor
Vatican News
Më 13 korrik kalendari kishtar përkujton shën Henrikun II, fytyra e një politike koherente, dëshmitare e vlerave që proklamon. Një administrator i bindur për rolin e tij të përgjegjshëm edhe në zhvillimin harmonik të jetës fetare të vendit të tij: ky profili i bën Shën Henrikun II, perandor i Perandorisë së Shenjtë Romake midis viteve 1014 dhe 1024, një zë ende profetik dhe aktual. Një dëshmitar i gjallë se si politika është gjithmonë një shërbim i plotë për të mirën e njeriut.
Shën Henriku II është një nga ata sundimtarë që dëshmuan se pushteti mund të bëhet një rrugë drejt shenjtërisë, kur ushtrohet me përvujtëri, drejtësi dhe në shërbim të së mirës së përbashkët. Jeta e tij tregon se madhështia e një udhëheqësi nuk matet me forcën apo pasurinë, por me aftësinë për t'u vënë në shërbim të njerëzve, veçanërisht të më të dobëtve.
Henriku lindi në vitin 973 në Bamberg të Bavarisë dhe u rrit në një familje të mbushur me frymë të krishterë. Edukimin e mori nga kanonikët e Hildesheimit dhe më pas nga ipeshkvi i Regensburgut, Shën Volfgangu, i cili ndikoi thellësisht në formimin e tij shpirtëror. Edhe pjesëtarët e tjerë të familjes së tij ndoqën rrugën e shenjtërisë: vëllai Bruno u bë ipeshkëv i Augsburgut, njëra motër u bë murgeshë, ndërsa tjetra u martua me Shën Stefanin, mbretin e ardhshëm të Hungarisë.
Fillimisht Henriku ishte dukë i Bavarisë. Më vonë u bë mbret i Gjermanisë dhe i Italisë, ndërsa në vitin 1014 Papa Benedikti VIII e kurorëzoi Perandor të Perandorisë së Shenjtë Romake. Megjithëse mbante një nga postet më të larta të kohës së tij, ai nuk e pa pushtetin si privilegj, por si një përgjegjësi për t'i shërbyer popullit dhe Kishës. Ai punoi për të forcuar paqen, për të ndërmjetësuar konfliktet dhe për të reformuar jetën kishtare, duke kërkuar që edhe kleri të jetonte me më shumë besnikëri ndaj Ungjillit. Në këtë mision u ndihmua edhe nga abati i njohur i Klunit, Shën Odiloni, një prej këshilltarëve të tij më të afërt.
Një rol të rëndësishëm në jetën e Henrikut pati edhe bashkëshortja e tij, Shën Kunegonda. Të bashkuar jo vetëm në martesë, por edhe në fe, ata jetuan me thjeshtësi dhe e vunë në qendër të jetës së tyre dashurinë për Zotin dhe kujdesin për njerëzit. Së bashku mbështetën Kishën, ndërtuan Kisha e manastire dhe u përpoqën të qeverisnin me drejtësi e ndershmëri, duke u bërë shembull i një çifti që jeton pushtetin si shërbim.
Shën Henriku II ndërroi jetë në vitin 1024, në Saksoninë e Poshtme. Më shumë se një shekull më vonë, në vitin 1146, Papa Eugjeni III e shpalli shenjtor, duke njohur jetën e tij të shenjtë dhe përkushtimin e tij ndaj Kishës dhe popullit. Edhe sot ai mbetet një shembull i rrallë i një udhëheqësi që dëshmoi se pushteti fiton kuptim vetëm kur vihet në shërbim të drejtësisë, paqes dhe dinjitetit të çdo njeriu.