Më 10 korrik kalendari kujton shën Rufinën e Shën Sekondën, martire
Vatican News
Më 10 korrik, Kalendari kishtar përkujton Shenjtoret Rufina dhe Sekonda, dy motra romake që dëshmuan me jetën dhe me vdekjen, me martirizim, besnikërinë e tyre ndaj Krishtit. Historia e tyre na kujton se feja e vërtetë forcon lidhjet më të thella njerëzore dhe i shndërron besimtarët në dëshmitarë të guximshëm të dashurisë së Zotit.
Sipas traditës, Rufina dhe Sekonda jetuan në Romë rreth vitit 260 p.K. dhe ishin të fejuara me dy të rinj të krishterë. Kur shpërthyen përndjekjet e ashpra kundër të krishterëve gjatë sundimit të perandorëve Valerian dhe Galien, të fejuarit e tyre u frikësuan dhe mohuan fenë. Dy motrat, përkundrazi, zgjodhën të qëndronin besnike ndaj Krishtit. Ato bënë kushtin e virgjërisë së përjetshme dhe refuzuan të hiqnin dorë nga besimi, pavarësisht çdo presioni.
Të rinjtë, të zemëruar nga vendosmëria e tyre, i paditën si të krishtera. Të nxjerra para prefektit romak Gjunio Donati, Rufina dhe Sekonda e shpallën hapur fenë e tyre në Krishtin, pa u lëkundur nga kërcënimet dhe dënimet.
Vendimi ishte i pamëshirshëm. Ato u çuan në miljen e dhjetë të rrugës romake Cornelia, në një vend të quajtur Buxo, sot Boccea, pranë Romës. Atje Rufinës iu pre koka, ndërsa Sekonda u rrah mizorisht deri në vdekje, duke marrë kështu kurorën e martirizimit.
Tradita tregon se trupat e tyre u lanë pa varrosur, që të bëheshin pre e kafshëve të egra. Por një matronë romake, Plautila, pasi i pa martiret në ëndërr dhe mësoi vendin ku ndodheshin trupat e tyre, i mori reliket dhe i varrosi me nderim të madh. Ky takim me dëshminë e tyre e forcoi edhe vetë në fenë e krishterë.
Nderimi për Shenjtoret Rufina dhe Sekonda u përhap shpejt në Kishën e hershme. Mbi varrin e tyre, në shekullin IV, Papa Juli I ndërtoi një bazilikë, e cila më vonë u restaurua nga Papa Adriani I dhe u zbukurua nga Papa Leoni IV me vepra të denja për lavdinë e dy martireve.
Sot, kujtimi i Shenjtoreve Rufina dhe Sekonda mbetet një ftesë për besnikëri, guxim dhe qëndrueshmëri në fe. Jeta e tyre dëshmon se dashuria për Krishtin është më e fortë se frika dhe se dëshmia e besimit lë gjurmë që i kapërcejnë shekujt.