UNESCO në Mosul UNESCO në Mosul

Luftërat, UNESCO: “Të mbrosh kulturën do të thotë të mbrosh identitetin e popujve”

Në një intervistë me zëdhënësin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën: “Nëse integrohet në strategji më të gjera për paqen, arsimin dhe zhvillimin, kultura mund të ndihmojë në rimëkëmbjen e shoqërive të qëndrueshme, duke rihapur njëkohësisht rrugët e dialogut, të pajtimit dhe të kohezionit shoqëror”

Vatican News

Xhami, mauzoleume, biblioteka: jo vetëm dëme anësore, por objektiva të qëllimshme, të goditura për të zhdukur identitetin e bashkësive të tëra. Të sulmosh trashëgiminë kulturore do të thotë të godasësh shpirtin e një populli. Pikërisht për këtë arsye, trashëgimia kulturore po bëhet gjithnjë e më shpesh viktimë e drejtpërdrejtë e konflikteve të armatosura. Kjo është një sfidë, me të cilën UNESCO përballet çdo ditë, përmes mbrojtjes juridike dhe rindërtimit në terren.

“Kemi hartuar kuadrin normativ më të fortë në botë në fushën e kulturës dhe të trashëgimisë, i përbërë nga gjashtë konventa kulturore, secila kushtuar një përmase të veçantë të mbrojtjes së trashëgimisë materiale, ose jomateriale. Së bashku, këto mjete juridike garantojnë një qasje gjithëpërfshirëse për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore”, shpjegon zëdhënësi për Italinë i agjencisë së specializuar të OKB-së, Andrea Lenzi, për mediat e Vatikanit.

Ai shton se “mjeti kryesor në rastet e konflikteve të armatosura është Konventa e Hagës e vitit 1954, së bashku me dy Protokollet e saj - traktati i parë ndërkombëtar, që i kushtohet ekskluzivisht mbrojtjes së pasurisë kulturore në këto rrethana. Ajo parashikon masa parandaluese, detyrime për shtetet dhe respektimin e trashëgimisë kulturore gjatë operacioneve ushtarake. Dy Protokollet e përforcojnë më tej Konventën dhe mbështesin zbatimin e saj”.

Nga normat te veprimi në terren

Megjithatë, UNESCO nuk mbështet vetëm zbatimin e normave juridike, por edhe bashkëpunimin ndërkombëtar, asistencën teknike, këshillimin politik, formimin e ekspertëve dhe të bashkësive lokale, si edhe dialogun me shtetet anëtare.

“Ne bashkërendojmë punën me partnerët humanitarë dhe kulturorë për të promovuar respektimin e trashëgimisë kulturore para, gjatë dhe pas konflikteve”, vijon zëdhënësi. “Vitet e fundit, trashëgimia kulturore dhe, në disa raste, edhe ajo natyrore, është ekspozuar gjithnjë e më shumë ndaj rreziqeve në situata konflikti të armatosur. Në disa raste dëmet janë pasojë anësore e luftimeve, por, në raste të tjera, trashëgimia sulmohet qëllimisht, duke goditur identitetin, kujtesën dhe vlerat që ajo përfaqëson për komunitetet, kombet dhe për mbarë njerëzimin. Një shkatërrim i tillë nuk prek vetëm monumentet, ose objektet kulturore, por edhe strukturën shoqërore e shpirtërore të vetë shoqërive. Si bartëse e kujtesës, e dijes dhe e kohezionit shoqëror ndër breza, humbja e saj mund të bëhet pengesë për dialogun dhe pajtimin”.

Për këtë arsye, UNESCO i vendos bashkësitë njerëzore në qendër të mbrojtjes dhe të administrimit të trashëgimisë. “Pas konfliktit, ndërhyrja jonë shkon përtej rindërtimit të monumenteve, duke synuar t’i rilidhë njerëzit me historinë e tyre dhe, njëkohësisht, të rigjallërojë jetën kulturore, arsimore dhe shoqërore”.

Timbuktu dhe Mosuli, simbole të rilindjes

Ndër shembujt konkretë në këtë drejtim, zëdhënsi përmend Timbuktunë në Mali dhe Mosulin në Irak.

“Në rastin e parë, në Mali, kemi mbështetur rindërtimin e 14 mauzoleumeve të shkatërruara në vitin 2012, duke punuar me mjeshtër vendas, që përdorin teknika tradicionale për të ruajtur autenticitetin e vendit. Njëkohësisht, për të garantuar transmetimin e kësaj mjeshtërie, u formuan edhe rreth dyzet artizanë të rinj”, shpjegon zëdhënësi.

“Në mënyrë të ngjashme, në Irak, nisma Revive the Spirit of Mosul (Të rinjgallet shpirti i Mosulit), e nisur në vitin 2018, tregon përmasat dhe karakterin kolektiv të këtyre përpjekjeve. Me përdorimin e mbi 115 milionë dollarëve dhe të 15 partnerëve ndërkombëtarë, programi bëri të mundur rindërtimin e monumenteve kryesore të trashëgimisë, ndër to, edhe Xhaminë Al-Nuri me minaren e saj të famshme të pjerrët. Po ashtu u rehabilituan 124 shtëpi historike, u restauruan më se 400 klasa shkollore dhe u krijuan mbi 7.700 vende pune për banorët vendas”.

Ringjallja e kujtesës për të ndërtuar paqen

UNESCO e konsideron rindërtimin një proces shoqëror shumë më të gjerë sesa një ndërhyrje thjesht teknike.

“Ai vlerësohet rast pas rasti, me kusht që të jetë i dokumentuar mirë dhe t'u përgjigjet nevojave dhe pritshmërive të bashkësive lokale; në disa raste edhe mosrindërtimi mund të jetë vendim i vetëdijshëm. Kur ndërmerret, rindërtimi synon të realizohet me dhe nga njerëzit e vendit, duke u mbështetur në njohuritë dhe në praktikat tradicionale. Në këtë këndvështrim, kultura mund të bëhet shtyllë themelore e qëndrueshmërisë, paqes dhe rimëkëmbjes”, thekson zëdhënësi.

“Meqenëse trashëgimia kulturore sulmohet pikërisht për atë që përfaqëson, restaurimi i saj jep një mesazh të fuqishëm vazhdimësie dhe ripërtëritjeje. Ai ndihmon në forcimin e kohezionit shoqëror dhe të besimit, duke krijuar edhe mundësi punësimi dhe jetese. Procesi i rimëkëmbjes nis me ndërhyrjet urgjente për mbrojtjen dhe dokumentimin e trashëgimisë e, më pas, vazhdon me përpjekjet për të ringjallur jo vetëm strukturat fizike, por edhe jetën shoqërore dhe shpirtërore që lidhet me to. Nëse integrohet në strategji më të gjera për paqen, arsimin dhe zhvillimin, kultura mund të kontribuojë në rimëkëmbjen e shoqërive të qëndrueshme, duke rihapur njëkohësisht rrugët e dialogut, të pajtimit dhe të kohezionit shoqëror”.

13 korrik 2026, 14:18