"Gratë, Kisha, Bota". Shtrigat, historia e një persekutimi gjatë shekujve
Vatican News
Në një pikë të caktuar të historisë evropiane, mijëra gra morën fytyrën e së keqes. Mjaftonte një zi buke, një sëmundje, një stuhi e papritur... E mjaftonte të ishe e vejë, të jetoje vetëm, të njihje bimët medicinale, ta kishe gjuhën të lirshme ose të ishe shumë e pavarur. Dyshimi lindi shpejt: ishte kthetra e djallit! E djalli, gjithnjë e më shumë, "nisi të fliste" me gojën e një gruaje. Magjija u bë kështu një nga vendet ku u ndërthuren frika, supersticioni dhe kontrolli shoqëror. Nuk është herezi në kuptimin e ngushtë të fjalës; nuk ka të bëjë me mospajtimin teologjik. Përkundrazi, ka të bëjë me mëkatin: marrëdhënien me djallin, bashkimin infernal, fluturimet e natës drejt të shtunave. E është për të ardhur keq që, në ndërtimin kulturor perëndimor, përfundon duke marrë një karakter thellësisht femëror.
"Në Vulgatën Latine të Biblës (Eksodi 22:18), lexojmë se keqbërësi, shumës mashkullor i tejzgjatur që përfshin edhe gratë, nuk duhet të lejohet të jetojë. Por në një çast të caktuar, zanorja e fundit ndryshohet dhe fjala bëhet ekskluzivisht femërore", shpjegon Marina Benedetti, profesoreshë e Historisë së Krishterimit dhe Kishave, në Universitetin e Milanos. Një hollësi që është vetëm në dukje gjuhësore. "Nëse edhe autoriteti biblik është i prirur drejt një projekti të nëpërkëmbjes së grave dhe shtypjes së lirisë së tyre, kjo do të thotë se jemi përball me diçka shumë më të madhe". Ky ndryshim zanor tregon një histori shekullore: shndërrimin e grave në të preferuarat e të dyshuarat e djallit. Një histori kontrolli, heshtjeje të imponuar dhe ndëshkimesh shembullore. Si në rastin e Zhanë D'Ark. Në Mesjetë, kujton Benedetti, gratë jetonin në një gjendje minoriteti ligjor. Dekreti i Gracianit, teksti themelues i ligjit kanonik, thotë se gratë nuk duhet të flasin në kuvende. Megjithatë, Zhan flet. Ajo udhëheq ushtritë, merr vendime, pohon misionin e saj. Ata nuk mund të provojnë se ajo është krijesë e djallit: virgjëria e saj e mbron nga kjo akuzë. Ndaj e godasin diku tjetër. E dënojnë si heretike dhe e djegin mbi turrën e druve. Edhe sepse vesh rroba burrash.
Gjuetia e shtrigave u përhap në të gjithë Evropën ndërmjet viteve 1450 dhe 1750. Dhe ekziston një tekst latin që ndez supersticionin dhe persekutimin: Malleus Maleficarum (Çekiçi i Malefikëve), botuar në vitin 1487 në Gjermani nga dy fretër dominikanë, Heinrich Kramer dhe Jacob Sprenger. Një tekst që Kisha nuk e ka miratuar kurrë zyrtarisht (por as nuk e ka vendosur në Listën e Zezë), nga i cili dolën 34 botime, me mbi 35,000 kopje. Duke filluar me titullin, me fjalën maleficarum të ulur në gjininë femërore (ka ndryshim në zanore) sepse, lexojmë, gruaja është mas occasionatus (mashkull i dështuar) dhe, për shkak të dobësisë dhe intelektit të saj inferior, është e predispozuar të nënshtrohet ndaj tundimeve të Shejtanit.
Shtrigat fluturojnë dhe kanë marrëdhënie seksuale me demonë, duke krijuar stuhi dhe duke hedhur magji. Ato janë, shkurt, kurbanet perfekte për të gjitha llojet e fatkeqësive. Prandaj, thashethemet publike janë të mjaftueshme për t'i çuar në gjyq, dhe për t’ia nxjerrë rrëfimet përmes torturës: në veçanti, rekomandohet përdorimi i një hekuri të skuqur për të rruar të gjithë trupin në kërkim të stigmës diaboli (shenjës së djallit). "Gratë" , vëren Benedetti, "gjithmonë paguajnë me trupat e tyre". Megjithatë, dënimi me kunj pati një ndikim shumë të fortë, "aq sa inkuizitorët ia dorëzuan krahut laik, gjykatave civile, për të siguruar rendin publik që do të lejonte tolerimin e erës së mishit të djegur".
Historianët ofruan interpretime të ndryshme të lidhjes ndërmjet bulës papnore të shpallur në vitin 1484 nga Inoçenci VIII, Summis desiderantes affectibus (Duke dëshiruar me zellin më të madh) dhe Malleus Maleficarum, botuar tre vjet më vonë. Sipas Marina Montesanos, profesoreshë e Historisë Mesjetare në Universitetin e Mesinës dhe autore e Andare per i luoghi della stregoneria (Il Mulino), vula papnore është "me sa duket një vazhdim i atyre dokumenteve me të cilat pontifikati kishte shprehur tashmë shqetësimin e tij për fenomenet heretike dhe magjike në dy shekujt e mëparshëm". Në realitet, është "një pikë kthese e mbushur me pasoja: teksti nuk bën asnjë referencë të qartë për magjinë, por akuza e papës përdor tone kaq radikale, saqë largohet nga denoncimet e zakonshme të praktikave magjike. Bula papnore e Innocentit ratifikon veprimet e inkuizitorëve dominikanë Jakob Sprenger dhe Heinrich Krämer (i quajtur Institor) në Austrinë e sotme; pak më vonë, vetë dominikanët publikojnë një tekst të titulluar “Malleus".
Në një Evropë ku gjuetia e shtrigave rrënoi afërsisht 50,000 jetë (vlerësohet kështu sepse shumë arkiva u dogjën), Gjermania ishte e njohur për disa nga ngjarjet më të përgjakshme. I tillë ishte gjyqi i shtrigave në Würzburg në Bavari (1626–1631), i cili rezultoi në dënimin me vdekje të afërsisht 900 vetëve, 80% e të cilëve ishin gra. Tërbimi inkuizitor preku çdo klasë shoqërore, por ishte zemërimi për zgjerimin e djegieve tek fëmijët, që i shtyu autoritetet ta ndalonin atë.
Në Romë, në selinë e papnisë, nuk pati kurrë gjueti shtrigash; askush nuk u dogj në turrën e druve për këtë akuzë. Edhe një nga gjyqet më të famshme italiane, ai i Triorës në Liguria (1587–1589), përfundoi pa gjyq. Njëzet gra, të akuzuara si arkitekte të një zie dyvjeçare, u arrestuan dhe, nën tortura, denoncuan të tjera. Shtatëmbëdhjetë gra u dënuan me vdekje. Sipas shumicës së historianëve, të gjitha u liruan nga Dozhi i Gjenovës. Megjithatë, shtrigat e Val Camonicës, vendi i masakrës më të madhe në Itali, nuk u kursyen. Në fillim të shekullit të 16-të, 67 gra dhe një burrë u dogjën në turrën e druve në Breshia dhe qytetet fqinje, të akuzuara për shkaktimin e thatësirës dhe sëmundjeve. Në vitin 1518, ndërsa Reforma Protestante po fitonte terren, persekutimi u intensifikua dhe 80 persona të tjerë u zhdukën në flakë.
Gjuetia e shtrigave kaloi Atlantikun me Etërit Shtegtarë Puritanë dhe kulmoi në vitin 1693 me Gjyqet e Salemit në Massachusetts. E gjitha filloi kur Elizabeth Parris dhe Abigail Williams, vajza dhe mbesa e pastorit, shfaqën sjellje të konsideruara të pashpjegueshme: "Hynin në gropa, zvarriteshin nën karrige e stola me gjeste komike dhe mbanin fjalime qesharake, absurde dhe të pakuptueshme". Pasi një mjek dyshonte për pushtim nga demonët, shpërtheu një zinxhir persekutimesh: vajzat torturoheshin duke i emërtuar me të tjerët, ndërsa ankesat vërshuan kundër grave beqare që trajtoheshin me bimë. Psikoza kolektive i shndërroi këto gra në kurbane nga frika e komunitetit. Mbi 150 persona u burgosën dhe 19 u varën: 13 ishin gra, kryesisht të moshuara dhe jashtëzakonisht të varfra. Një burrë u "shtyp për vdekje" sepse refuzoi të fliste. Jeta në koloni u ndal: të mbjellat dhe bagëtia u braktisën, mullinjtë u mbyllën e heshtën.
Në shumë pjesë të botës, gjuetia e shtrigave vazhdon, siç denoncojnë disa raporte nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB-së: "Çdo vit, qindra mijëra njerëz të prekshëm vuajnë nga dhuna në vende si Afrika Sub-Sahariane, India dhe Papua Guinea e Re". "Të paktën 20,000 'shtriga' u vranë në 60 vende ndërmjet viteve 2009 dhe 2019". Persekutimi modern "ushqehet kryesisht nga fundamentalizmi fetar dhe keqësohet më tej nga faktorë të tillë si luftërat civile, varfëria dhe mungesa e burimeve". Amnesty International denoncoi situatën në Ganë, ku katër kampe informale strehojnë ende qindra shtriga të dyshuara, pothuajse të gjitha ndërmjet moshës 50 dhe 90 vjeç.
Mizogjinia mbetet faktor vendimtar. Të prekurat janë gratë më të cenueshme ose që konsiderohen "jashtë normës": vejushat, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe ato që perceptohen si shumë autonome ose të pavarura. Akuzat për magji vazhdojnë të jenë mjet kontrolli mbi trupat femrorë dhe, në disa kontekste, nxisin trafikimin e qenieve njerëzore, duke i izoluar viktimat nga komunitetet e tyre. "Është një diskutim që gjithmonë sillet rreth trupit femëror, sa është i rregulluar sipas asaj që konsiderohet normë, duke kërkuar shenja të djallit në trupat e grave", shton Marina Montesano, vepra e fundit e së cilës është Ars magica. Një histori në 20 objekte (botuar nga Carocci). "E shoh sot, këtu, në demonizimin e grave myslimane që mbajnë vello, për shembull", thekson ajo.
Marina Benedetti po shkruan një libër që do të botohet vitin e ardhshëm nga Carocci: Masche 1495. Proceset e Shtrigave në Manastirin e Santa Maria della Stella në Rifreddo. Masche janë shtrigat në Piedmont. Libri rrëfen "një rast në të cilin gjyqet zhvillohen në një manastir dhe një abat vepron kundër grave". Sepse "mekanizmat e caktuara nuk aktivizohen rastësisht; shkaktohen nga një çështje kontrolli".
nga Federica Re David