Shën Benedikti Abat: trashëgimia shpirtërore që i dha Evropës një fytyrë të re
Vatican News
Më 11 korrik Kisha kremton Shën Benediktin nga Norcia, themeluesin e murgërisë perëndimore dhe Pajtorin e Evropës. Figura e këtij shenjtori të shekullit VI vazhdon të mbetet një pikë referimi për historinë e krishterimit dhe të qytetërimit evropian, sepse përmes jetës, veprës dhe sidomos Rregullës së tij, ai hodhi themelet e një kulture të re të frymëzuar nga Ungjilli.
Në një kohë kur Perandoria Romake kishte rënë dhe Evropa po përjetonte pasiguri, ndarje e kaos, Benedikti, Abat, nuk zgjodhi rrugën e pushtetit apo të përballjes. Ai zgjodhi të ndërtonte nga brenda, duke formuar bashkësi murgare ku lutja, puna, mikpritja dhe jeta vëllazërore u bënë themeli i një shoqërie të re. Pikërisht nga këto bashkësi murgërore lindi një unitet i ri shpirtëror dhe kulturor, i bazuar në fenë e krishterë, që do të shënonte historinë e kontinentit për shekuj me radhë.
Në zemër të trashëgimisë së Shën Benediktit qëndron bindja se shpirti i Evropës i ka rrënjët në Ungjill. Dinjiteti i çdo njeriu, si pasqyrim i dashurisë së pafund të Zotit, është vlera mbi të cilën ndërtohet bashkëjetesa e vërtetë. Prandaj edhe sot mesazhi i tij mbetet aktual, duke kujtuar se paqja dhe vëllazëria lindin nga aftësia për ta vënë tjetrin në qendër.
Në Rregullën që hartoi rreth vitit 530 për bashkësinë e murgjve, Benedikti shkruan se askush nuk duhet të kërkojë dobinë e vet, por të mirën e tjetrit. Këto fjalë shprehin frymën që përshkon gjithë jetën benediktine, të përmbledhur në moton e njohur «Ora et labora» – «Lutu dhe puno». Për Shën Benediktin, lutja dhe puna nuk ishin dy rrugë të ndara, por dy shprehje të së njëjtës dashuri për Zotin dhe për njeriun. Soditja e misterit të Zotit dhe përkushtimi në punën e përditshme bashkohen për ta bërë botën më njerëzore, më të drejtë dhe më mikpritëse.
I lindur në Norçë rreth vitit 480, Benedikti u dërgua për studime në Romë, por shpejt u largua nga qyteti, i zhgënjyer nga rënia morale e kohës. Ai zgjodhi fillimisht jetën oshënare në Shpellën e Shenjtë të Subiakos, ku kaloi një periudhë të gjatë lutjeje dhe heshtjeje. Më pas kuptoi se thirrja e tij ishte të themelonte bashkësi murgare, duke ngritur manastire fillimisht në Subiako e më pas në Montekasino, që u bë qendra më e rëndësishme e traditës benediktine.
Shën Benedikti ndërroi jetë, sipas traditës, rreth vitit 547 në Montekasino. Trashëgimia e tij, megjithatë, vazhdoi të jetojë në mijëra manastire që u bënë qendra lutjeje, kulture, arsimi, mikpritjeje dhe pune, duke ruajtur e përcjellë vlerat e qytetërimit të krishterë në mbarë Evropën.
Duke njohur rëndësinë e jashtëzakonshme të kësaj figure për historinë e kontinentit, Papa Pali VI e shpalli Shën Benediktin Pajtor të Evropës më 24 tetor 1964, me Letrën Apostolike Pacis nuntius. Edhe sot, mesazhi i tij mbetet një ftesë për ta ndërtuar të ardhmen mbi themelet e fesë, të paqes, të punës dhe të vëllazërisë.