Kërko

At Leonard de Martino, françeskani arbëresh që ia kushtoi jetën Shqipërisë

Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 12 korrik, kujtojmë përvjetorin e kalimit në amshim të poetit e shkrimtarit arbëresh, Atë Leonardo de Martino, françeskan. At Justin Rrota: françeskani At Leonardo de Martino është “poet prej natyre, shkroi e botoi shumë kangë, sa kje pa ardhë në Shqypni, në gjuhë italishte. Këtu mandej, si e theu dialektin e vet n’atë të Gegnis, ia muer doren e shkroi me aq mjeshtri..".

Vatican News

Sot, më 12 korrik, kujtohet përvjetori i kalimit në amshim të At Leonard de Martinos (1830-1923), françeskanit arbëresh, poetit, misionarit dhe mësuesit, që lidhi përgjithmonë fatin e tij me tokën shqiptare. At de Martino u nda nga jeta më 12 korrik 1923, në kuvendin françeskan të Sarnos, pranë Napolit, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar shpirtërore e letrare.

I lindur në Greçi të Kampanjës, në zemër të Arbërisë italiane, At Leonardi mbërriti i ri si misionar në Shkodër. Për gati katër dekada ai shërbeu mes popullit shqiptar, kryesisht në Troshan, në Zadrimë dhe në fshatrat e Lezhës, duke e jetuar meshtarinë jo vetëm në altar, por edhe në shkollë, në kulturë dhe në fjalën e shkruar. Ishte ndër nismëtarët e hapjes së shkollës së parë italiane në Shqipëri, ndërsa për një kohë shërbeu edhe pranë Prenk Pashës së Mirditës, si sekretar dhe edukator i të birit, Prenk Bibë Dodës.

Megjithatë, trashëgimia e tij më e madhe mbetet formimi i një djaloshi të thjeshtë nga Zadrima, Zekë Ndocit, i cili, falë kujdesit dhe mësimit të fratit arbëresh, do të bëhej At Gjergj Fishta, poeti që do ta ngrinte letërsinë shqiptare në majat e saj më të larta.

At Leonard de Martino ishte poet nga natyra. Fillimisht shkroi në italisht, por, pasi përvetësoi me mjeshtëri gegërishten, krijoi edhe në shqip me një elegancë që u vlerësua nga bashkëkohësit. Filologu At Justin Rrota e përshkruante me këto fjalë: "Poet prej natyre, shkroi e botoi shumë kangë... si e theu dialektin e vet n'atë të Gegnis, ia muer dorën e shkroi me aq mjeshtri."

Veprat e tij, origjinale dhe të përkthyera, pasqyrojnë dashurinë për gjuhën, fenë dhe kulturën shqiptare. Ndër më të njohurat janë përmbledhja poetike "L'Arpa di un italo-albanese" ("Harpa e një arbëreshi"), drama "Nata e Këshnellavet", një nga veprat e para teatrore në shqip, si edhe shkrimi kushtuar Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Emri i tij lidhet gjithashtu me përhapjen e devocionit ndaj Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtores së Shqiptarëve, të cilës i kushtoi vargje të frymëzuara.

At Leonard De Martino lidhet me përhapjen e devocionit ndaj Zojës së Këshillit të Mirë sepse ai ishte një nga promotorët letrarë dhe shpirtërorë të kultit të saj, veçanërisht në kohën kur Selia e Shenjtë e shpalli Zojën e Këshillit të Mirë Pajtore të Shqiptarëve. Me këtë rast, At De Martino shkroi një pamflet poetik kushtuar Zojës së Bekuar, i cili u shpërnda gjerësisht gjatë kremtimeve. Ky tekst poetik kishte për qëllim të forconte devocionin e besimtarëve shqiptarë ndaj Zojës së Këshillit të Mirë dhe konsiderohet një nga krijimet e tij më të frymëzuara.

Lidhja e tij me këtë devocion buron edhe nga identiteti i tij arbëresh. Arbëreshët kishin ruajtur prej shekujsh një lidhje të veçantë me Shenjtëroren e Zojës së Këshillit të Mirë në Genazzano, ku, sipas traditës, mbërriti mrekullisht afresku i Zojës pasi u largua nga Shkodra në shekullin XV, në kohën e pushtimit osman. Për këtë arsye, Zoja e Këshillit të Mirë është bërë një nga simbolet më të dashura të identitetit shpirtëror shqiptar. Pra, At De Martino nuk ishte themelues i këtij devocioni, por kontribuoi në përhapjen dhe thellimin e tij përmes poezisë dhe shkrimeve të tij, duke e lidhur figurën e Zojës së Këshillit të Mirë me besimin dhe identitetin kombëtar të shqiptarëve.

At Leonard de Martino nuk u largua kurrë shpirtërisht nga Shqipëria. Edhe pse vitet e fundit të jetës i kaloi në Itali, ai mbeti deri në fund frati që i shërbeu Zotit dhe popullit shqiptar me të njëjtin përkushtim. Sot ai kujtohet si një urë e gjallë mes Arbërisë dhe Shqipërisë, mes fesë, kulturës dhe letërsisë, një misionar që mbolli dije, besim dhe dashuri për gjuhën shqipe, frytet e së cilës vazhdojnë të jetojnë edhe sot.

12 korrik 2026, 09:22